RREZIKU I ABUZIMIT TË FËMIJËVE ONLINE
09/07/2020 Shpërndaje

RREZIKU I ABUZIMIT TË FËMIJËVE ONLINE

Pavarësisht prezencës së gjerë të fëmijëve në internet, 1 në 3 përdorues të internetit në gjithë botën është minoren. Shumë pak është bërë për mbrojtjen e tyre nga rreziqet e botës dixhitale dhe për të rritur aksesin e tyre në përmbajtje të sigurt.

Kësisoj rreziku i abuzimit të fëmijëve online është rritur me kalimin e viteve dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale pa kontroll.

“Egzistojnë të rritur qofshin këta burra, gra apo të rinj, që e përdorin teknologjinë për t’i dëmtuar dhe abuzuar fëmijët. Dëmtimi apo abuzimi në këtë rast shfaqet në formën e dërgimit të sms-ve apo e-maileve abuzive dhe të turpshme, mesazheve joshëse për ti përfshirë në abuzime seksuale, ose përmes përdorimit të kameras së kompjuterit/telefonit për të shfaqur imazhe të papërshtatshme ose për të diskutuar rreth temave të papërshtatshme.

Prindërit duhet të jenë shumë të vëmëndshëm për të kontrolluar faqet e internetit që hapin fëmijët e tyre, profilet e regjistruara të cilat mund të jenë burim trafikimi, apo çdo veprimtari tjetër të fëmijëve që lidhet me përdorimin e teknologjisë”, thuhet në manualin Mbrojtja e Fëmijëve nga Abuzimi me fokus abuzimin seksual.

Kush janë fëmijët të cilët janë më të predispozuar të abuzohen?

Disa fëmijë ndodhen në situata që e shtojnë rrezikun për të qenë të neglizhuar dhe të abuzuar. “Faktorët që rrisin rrezikun mund të lidhen me paragjykimet dhe diskriminimin, izolimin, përjashtimin social, mungesën e komunikimit dhe hezitimin e të rriturve nga ana e tyre për të pranuar se abuzimi ka ndodhur, ose sepse neglizhimi ndaj fëmijëve ju duket diçka normale.

Fëmijët që kanë nevojë për vëmendje të veçantë nga aspekti i mbrojtjes dhe garantimit të sigurisë mund të vijnë nga këto kategori: Fëmijët me aftësi të kufizuara; Fëmijët që abuzohen sistematikisht në familje; Fëmijët e braktisur nga prindërit (që jetojnë në institucione të kujdesit rezidencial) Fëmijët që jetojnë në familje të përkohshme; Fëmijët emigrantë; Fëmijët që nuk ndjekin shkollën; Fëmijët në familje ekstremisht të varfëra; Fëmijë që diskriminohen dhe keqtrajtohen mbi bazën e rracës, etnicitetit, besimit fetar apo përkatësisë seksuale”, thuhet më tej në manual.

Cilat janë disa nga shkaqet e abuzimit ndaj fëmijëve?

Abuzimi ndaj fëmijëve ekziston në të gjitha shoqëritë. Bazat ose arsyet se përse ai vazhdon të shfaqet, janë të ndërlikuara dhe lidhen me një numër faktorësh.

Disa prej tyre mund të jenë: izolimi shoqëror i familjes; mungesa e njohjes së nevojave të zhvillimit të fëmijës; aftësitë e kufizuara fizike ose mendore të fëmijës; prindër me të kaluar abuzuese; mungesë kohezioni ose mosfunksionim i marrëdhënieve brenda familjes; abuzimi me drogën/alkoolin nga prindi/ërit, kujdestari/ët; prindër të rinj me mbështetje të pakët; prind/kujdestar i vetëm; lidhje e dobët midis prindërve dhe fëmijës; pikëpamjet negative për fëmijën, fajësimi pa vend; nivel i lartë i stresit tek të rriturit; sëmundjet e shëndetit mendor tek prindërit, përfshirë depresionin; nivelet e larta të dhunës në komunitet; varfëria dhe situata të tjera të pafavorshme socio-ekonomike, si papunësia,  sugjeron manuali.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.