RRËFIMI I GAZETARES EGLA BARDHI: SI E KRIJOVA GAZETËN SHËNDET PLUS. GAZETARIA SOT E KA HUMBUR MAGJINË E TË QENIT NË KONTAKT ME NJERËZIT, ME PACIENTËT ME PROBLEMET. TEKNOLOGJIA NA KA INFEKTUAR TË GJITHËVE.
12/12/2022 Shpërndaje

RRËFIMI I GAZETARES EGLA BARDHI: SI E KRIJOVA GAZETËN SHËNDET PLUS. GAZETARIA SOT E KA HUMBUR MAGJINË E TË QENIT NË KONTAKT ME NJERËZIT, ME PACIENTËT ME PROBLEMET. TEKNOLOGJIA NA KA INFEKTUAR TË GJITHËVE.

Ata që e njohin prej vitesh nuk e ndajnë dot emrin e saj nga fjala shëndet. Egla Bardhin, gazetaren e dikurshme të sociales mund ta pyesësh për shumë tema që ajo ndjek me organizatën që drejton. Por këtë herë pozitivi.org u fokusuar në iniciativën e saj për të pasur një media të shkruar të vetën, gazetën “Shëndet Plus”. Ajo lindi si një media e shkruar për t`u shndërruar shumë shpejt në media online, bazuar edhe në trendin mediatik në Shqipëri. Në këtë intervistë Egla na ka treguar për vështirësitë e fillimit në gazetari, për pasionin që mbartte dikur ky profesion dhe për gazetën që ajo drejton “Shëndet Plus”.

Egla si lindi ideja e themelimit të një gazete kushtuar shëndetit?

Ideja e themelimit të një gazete kushtuar çështjeve shëndetesore erdhi në mënyrë krejt të natyrshme duke qenë se unë punoja në një të përditshme siç ishte gazeta Shekulli e kisha mbuluar këtë sektor prej 8 vitesh dhe mendoja se e njihja si sektor. Përveç kësaj, më kishte lindur kjo ide duke u nisur edhe nga fakti që njerëzit donin të dinin shumë rreth shëndetësisë, patjetër edhe rreth lajmeve që kishin të bënin me edukimin shëndetësor. Ndaj me t`u larguar nga gazeta Shekulli, ku unë edhe isha formuar si gazetare kisha krijuar njohuritë e mia në këtë fushë, mendova që të hap një gazetë që të ishte e fokusuar rreth çështjeve shëndetësore, rreth edukimit shëndetësor, problematikave të sistemit shëndetësor dhe çdo gjë që kishte lidhje me këtë sektor.   

E kishe menduar ndonjëherë që do të kishte kaq shumë sukses?

Në fakt nuk e kisha menduar se do të kishte kaq shumë sukses si gazetë, duke qenë se në fillim e nisa si një pasion bazuar edhe në background-in im si gazetare e këtij sektori. Pa diskutim që shumë shpejt vumë re që njerëzit e përqafuan si ide, e donin. Dhe mund të themi tashmë që në median online, gazeta jonë shëndeti.com.al ka rreth 35 mijë klikime në ditë çka është vërtet sukses. Shpresojmë që të rritet akoma më shumë.

Me çfarë vështirësish u përballe në fillimet e punës me gazetën?

Vështirësitë kanë qenë të jashtëzakonshme. Sigurisht kur gazeta ishte në print kishte edhe një kosto të madhe financiare. Por përveç kësaj kishte problem edhe me menaxhimin. Duhet të keni parasysh që një media ka kosto, jo vetëm në para, por në energji, në kohë e në shumë gjëra të tjera. Megjithatë vit pas viti këto vështirësi filluan të përballohen pasi gazeta filloi të merrte atë ritmin e vet, të kishte lexuesit e saj dhe ta kishte rrugën e shtruar. Sigurisht vështirësitë asnjëherë nuk përfundojnë, megjithatë mendoj se mund t`ia dalësh nëse diçka e ke vërtet për zemër.  

Të kujtohet momenti kur doli kopja e parë? A u shit aq sa prisje apo doje ti?

Kur doli kopja e parë në treg, me thënë të drejtën, nuk u shit aq sa prisnim, pasi në shitjen e një gazete ka disa komponentë dhe është shumë komplekse. Një ndër to psh ishte se nuk u dërgua në mediat vizive që ta lexonin çdo mëngjes, sepse shumica e lexuesve e blinin gazetën më shumë për atë që dëgjonin nga mediat vizive. Por përveç kësaj, një gazetë e re kur është e panjohur nuk është se i ka lexuesit e saj. Në fillim ky ishte pak si zhgënjim, por ne nuk u dorëzuam dhe vazhduam që të korrigjonim difektet që vinim re hap pas hapi, për ti përmirësuar në mënyrë që të kishim vijueshmëri dhe sukses.

Cili ishte lajmi i parë që ke botuar atje?

Të them të drejtën nuk është se e kujtoj lajmin e parë, ndoshta sepse gazeta ishte e fokusuar në edukim dhe informim dhe jo në ndonjë scoop apo skandal a investigim, se zakonisht këto lajme i fiksohen një gazetari. Në momentin që ka arritur të investigojë një skandal në shëndetesi apo edhe në sektorë të tjerë dhe pastaj ka parë edhe efektet që ka shkakuar një lajm i tillë, ai mbahet mend. Meqë gazeta jonë ka qenë e fokusuar tek edukimi dhe informimi mendoj se do kenë qenë lajme për patologjitë më të përhapura.

Po lajmi që të ka mbetur më shumë në mendje?

Nuk është vetëm një, ka disa në fakt. Ne kemi patur një rubrikë shumë interesante ku persona shumë të njohur i sillnim në formatin “Vip shëndet”, duke treguar si jetonin ata, sa janë të dhënë pas shëndetit, sa edukim shëndetësor kanë, sa shëndetshëm jetojnë. Mund të them psh se më ka bërë përshtypje is miss Albania, Valbona Selimllari, që kishte një stil jetese shumë interesant dhe shumë për t`u admiruar. Ne nuk mund ti ndaheshim faktit që një media duhet të prodhojë lajm, ndaj ka pasur edhe lajme si psh për barnat e rimbursueshme që shpeshherë ishin jo të efektshme, mungesat e tyre, problematikat me fëmijët me sëmundje të rënda që shpeshherë nuk kishin mjekimin. Këto janë pak a shumë, por nuk ndalem dot në një specifikisht, sepse kanë qenë të shumta ato që i kam pasur shumë për zemrër.

Vitet që pasuan sollën në treg të tjera botime për shëndetin. A u shtua konkurenca në fushën e shëndetësisë?

Është një pyetje me shumë vend dhe do doja të ndalesha pak këtu. Unë asnjëherë nuk i jam trembur konkurencës dhe gjithmonë kam menduar se konkurenca më bën më të fortë dhe gjithmonë kam menduar që nuk do të jem e vetmja në treg. E vërteta është që gazeta “Shëndet plus” ishte e para në këtë lloj në Shqipëri, e para që fokusohej vetëm tek shëndeti. Pas gazetës sonë, u krijuan edhe 4 a 5 gazeta të tjera dhe padiskutim që i kam parë me shumë vëmendje ato gazeta. Puna jonë ishte që të shikonim se si të tjerët po operonin në treg dhe mund të them se nuk ishte më një konkurencë. Ishte një abuzim i madh që vinte nga këto media, të cilat me atë ambicjen vetëm për t`u shitur e për të nxjerrë para, u kthyen në ca media komerciale të cilat ne nuk i përqafonim dot.  

Flitet shumë për shëndetësinë, por a bëhet kaq shumë sa flitet?

Është e vërtetë që flitet shumë për shëndetësisnë, është e vërtetë që shëndetësia është përdorur shumë si fasadë nga të gjitha qeveritë, por në të vërtetë nuk është se bëhet aq shumë për të. Ajo që ne vëmë re është se asnjë hallkë e sistemit nuk është se funksionon ashtu si duhet. Për sa kohë sistemi ka mangësi, për sa kohë ligji për kujdesin shëndetësor nuk zbatohet dhe të drejtat e pacientëve nuk zbatohen, mendoj se nuk bëhet aq sa duhet për sektorin e shëndetësisë.

Pas kaq shumë vitesh në treg, je ende kritike me lajmet që publikoni në gazetë apo koha e ka kthyer në një proces rutinë?

Unë vazhdoj të jem kritike gjithmonë ndaj vetes dhe ndaj asaj qe ne krijojmë. Vazhdoj që gjithmonë të kërkoj më të mirën dhe një përmirësim të asaj qe ne bëjme. Por, në fakt, nëse unë do bëja një krahasim me produkte që nxirrnim jo vetëm ne si staf, por edhe mediat në përgjithësi më përpara, kanë qenë produkte shumë më të mira para 10 vitesh kur gazetarët dilnin në terren, ishin më pranë njerëzve ishin më pranë pacientëve, kishin një komunikim të d.p.d me ta. Ndërsa sot puna e gazetarit mund të jetë lehtësuar për shkak të teknologjisë dhe gazetarët dhe ne vet mund ta kemi më të thjeshtë. Por nga ana tjetër nuk mendoj se arrijmë të prodhojmë më produkte, lajme, investigime, që të jemi më pranë pacientit, njerëzve që të kemi një kontakt të d.p.d me ta, të flasim d.p.d me ta. Fatkeqësisht kjo tashmë ka filluar të humbasë, dhe ne, stafi ynë nuk është se ka mbetur pa u prekur nga kjo rutinë. Megjithatë me aq sa mundemi përpiqemi të jemi pranë njerëzve. Në këtë pjesë mendoj se mund të bëhet më shumë edhe nga ne edhe nga të gjithë gazetarët.

Nëse do kishim në Shqipëri fonde të mjaftueshme, çfarë do doje të ndryshoje së pari në sistemin shëndetësor?

Unë nuk mendoj se është vetëm çështje fondesh. Por sigurisht paratë dhe buxhetet janë shumë të rëndësishme. Ajo që unë do sugjeroja të bëhej është që shëndetësia të niste të shihej si një pjesë e pandarë, pjesë edukative që në shkollë. Pra brezat e rinj të edukohen me një edukatë shëndetësore. Dhe këtu nuk e kam fjalën për ato dietat drastike që mbajnë njerëzit pët të mbajtur trupin në formë. Jo nuk është kjo. Ështe në lidhje me mënyrën se si duhet të ushqehemi shëndetshëm të bëjmë aktivitet fizik por edhe si të kemi një shëndet mendor të mirë. Mendoj që duhet të nisë nga edukimi e pastaj edhe dhënia e shërbimit në mënyrë korrekte sipas protokolleve dhe futja e teknologjive me të mira në sektorin shëndetësor. Mund të duket luks por shpresojmë që do rregullohet një ditë,. Pasi nëse nuk kemi një shëndet të mirë nuk kemi një sistem edukativ të mirë, ekonomi të mirë, ndaj mendoj që shëndeti është A-ja dhe Zh-ja në shoqëri, në familje, te individi dhe kudo.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.