Dua Lipa iniciatore e akademisë së artit në Kosovë
24/08/2019 Shpërndaje

Dua Lipa iniciatore e akademisë së artit në Kosovë

Këngëtarja e famshme shqiptare, Dua Lipa, ka dhuruar 150 mijë euro për një qendër arti, për të rinjtë në kryeqytetin e vendlindjes së saj Kosovës disa javë më parë.

Lajmin e bukur për hapjen e një akademie muzikore për talentet e reja, e dha vetë Dua, gjatë një konference. Në mbështetje të saj për këtë hap të madh ka qenë babai dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ky do të jetë përfundimisht një projekt i madh dhe diçka për të cilën ne jemi shumë të entuziazmuar. Mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Ne do ti japim diçka komunitetit tonë, kemi mundësinë që të sjellim artistë ndërkombëtarë të shohin Kosovën, ta shohin atë në një tjetër mënyrë, ta përjetojnë atë dhe kulturën e saj”, ka thënë Dua Lipa.

Projekti do të titullohet “Sunny Hill Academy” dhe do të jetë i vendosur në pallatin e rinisë në Prishtinë. Pas dhënies së lajmit Dua organizoi edhe një koncert ku të ftuar kanë qenë këngëtarë me famë botërore me emra si Miley Cyrus apo Calvin Harris. Kjo është mënyra më e mirë e mundshme për të promovuar Kosovën.

“Kur unë rritesha, këtu në Kosovë, mund të numëroja me gishtat e duarve koncertet në të cilat kisha qenë, sepse pak artistë vinin këtu. Ndaj ishte për ne gjithnjë një ëndërr të sillnim artistë nga e gjithë bota në Prishtinë dhe të krijonim diçka të re”, ka thënë Dua.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.