RENALDO SALIANJI, GAZETARI I DASHURUAR PAS LIBRAVE: “I DEDIKOJ LEXIMIT ÇDO DITË DY ORË TË JETËS SIME”.
Binomi i ri – libër gjithmonë e më shumë po bëhet i vështirë për t`u hasur në vendin tonë. Shumica e të rinjve ditëve të sotme janë të tërhequr drejt teknologjisë, rrjeteve sociale apo argëtimit mes miqsh. Pak syresh gjen që ende konsiderojnë librin një strehë të ngrohtë dhe të sigurtë për të kaluar kohën e lirë. Pozitivi.org do t`iu prezantojë sot me një prej tyre. Renaldo Salianji është një gazetar i ri, që i ka ngjitur shpejt shkallët e suksesit në profesion. E nisi gazetarinë dikur ndërsa ishte student, në terren duke mbuluar çështjet politike në vend. Përgjatë kësaj eksperience provoi edhe emocionet e moderimit, një pikë kthese kjo në karrierën e tij. Sot në këtë intervistë Renaldo rrëfen pasionin e tij për librat dhe ekulibrin që ka gjetur mes gazetarisë dhe letërsisë.
Sot nuk has shpesh të rinj të moshës tënde që janë të apasionuar kaq shumë pas librave dhe leximit. Si lindi dhe u rrit tek ty ky pasion?
Është i vërtetë ky konstatimi juaj, sot të rinjtë po largohen gjithnjë e me shumë nga libri dhe leximi. Kjo e ndikuar nga shumë faktorë, interneti, mënyra e jetesës por më kryesorja është shkolla. Sepse është pikërisht shkolla vendi ku pasioni për librin lind dhe kultivohet. E pikërisht shkolla ka qenë vendi ku unë pata kontaktin e parë me librin dhe leximin. Më pas në bibliotekën e qytetit, dhe Pallatin e Kulturës. Dhe dëshira për librin është si refleksi për ti dhënë biçikletës, nëse e mëson njëherë nuk e harron më. Nëse edukohesh me libra që i vogël ajo të kthehet në mënyrë jetese dhe zor se ndryshon dot me rritjen.
Sa orë në ditë i dedikon leximit?
Përpiqem të gjej kohë për lexim, pavarësisht angazhimeve të ditës. Përpiqem të jem ne kontakt me botimet e reja dhe të ndjek aktivitetet letrare. Por të paktën 1 ose 2 orë në ditë, kryesisht në darkë, kur edhe i kam mbyllur angazhimet e ditës, ia dedikoj leximit.
Organizohesh nëpër klube leximi?
Për fat të keq, klubet e leximit në Tiranë nuk janë të shumta, por në ato pak që janë, apo nëpër aktivitete të tjera letrare, mbrëmje poezie, promovime, takime me shkrimtarë etj, përpiqem të jem i pranishëm sa më shumë që mundem. Sepse janë një mënyrë e mirë për të diskutuar me njerëz të kësaj fushe tema që më interesojnë, të marr sugjerime etj.
Cilat libra të pëlqejnë më shumë? Ke ndonjë rekomandim për lexuesit?
Kryesisht këto kohë po lexoj shumë poezi. Pozi greke, turke, poezi të lindjes etj. Më tërheqin shumë poetët e lindjes për ndjeshmërinë që kanë, janë shumë shpirtërorë dhe pa shumë thellime filozifike, në dallim nga poetët evropianë, që duke e sofistikuar shumë poezinë, e kanë larguar njerëzoren dhe shpirtin për hir të formës. Por ky është një perceptim totalisht personal. Por edhe poetë shqiptarë. Ne kemi shumë poetë të mirë, por pak të njohur. Edhe poetë të rinj madje, shumë të talentuar, dhe jo vetëm në Shqipëri. Ajo që me gëzon është se në trevat shqipfolëse, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në diasporë, ka shumë poetë të rinj, shumë të talentuar.
Të rinjtë nuk i kanë qejf shumë sugjerimet, ndaj sugjerimi im i vetëm do të ishte të lexojnë atë lloj letërsie që ju pëlqen. Letërsia është shumë personale. Por meqë fola pak për poezinë, modestisht ju them se disa poetë që nuk duhen lënë pa lexuar janë: Nazim Hikmet, Orhan Veli Kanik, Seferis, Ricos, Elitis, (por edhe antologjia e poezisë greke e përkthyer nga Sokol Çunga nuk duhet lënë mënjanë), Nizar Kabani, Mahmud Dervish, Sherko Bekash, Yehuda Amichai, Alen Ginsberg etj.
Ti je edhe gazetar e moderator televiziv në Euronews Albania. Nga anon peshorja më shumë nga pasioni për televizionin apo për librin?
E bukura e televizionit është që ti mund ta bësh bashkë me pasionin për librin. Në të gjitha formatet që unë kam bërë në televizion, e kam patur librin të pranishëm, si në kohën kur isha në terren, po ashtu edhe në emisionin e mëngjesit, edhe tani në programin që drejtoj. Madje rubrika e librit që kishim tek “Mirëmëngjes” ka qenë një nga më të pëlqyerat edhe nga publiku. Aq sa edhe tani që nuk është më, më pyesin për këtë rubrikë kudo ku takoj njerëz të botës së letrave.
Sa i mungon medias shqiptare hapësira e dedikuar librave?
I mungon shumë në fakt. Duket qartazi që libri nuk është aq i pranishëm sa duhet të jetë në median shqiptare. Justifikimi që përdoret në këtë rast është që këto do publiku, libri nuk ka audiencë, libri nuk ka klikime etj. Por media ka edhe rol edukues, duhet të jetë media ajo që i kultivon dhe i çon përpara shijet e publikut, dhe jo gjithmonë duhet të udhëhiqet nga ajo që njerëzit duan. Informim, edukim, argëtim, këto janë qëllimet e medias, pra edukimi është një aspekt shumë i rëndësishëm në rolin që media ka në shoqëri.
Si mund të rregullohet kjo?
Kjo mund të rregullohet me pak dashamirësi nga ana e mediave, me pak përpjekje, duke e patur librin të pranishëm sa më shumë, dhe t’i kthejnë bisedat për librin në një gjë të zakonshme. Me kalimin e kohës, edhe audienca do të mësohet të pranojë dhe të dojë librin si pjesë të televizionit.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.
