“Pyet qytetarin”, Erind Bejko: Pushteti lokal qeveris mbi nevojat që ka qyteti
27/03/2019 Shpërndaje

“Pyet qytetarin”, Erind Bejko: Pushteti lokal qeveris mbi nevojat që ka qyteti

Në përmbyllje të projektit “Pyet qytetarin” u organizua një konferencë me administratorët e njësive administrative të Tiranës, ku i pranishëm ishte dhe drejtori i Bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës, Erind Bejko, i cili foli mbi strategjinë që përdor bashkia për të evidentuar problematikat e qytetarëve dhe mënyrën si qeveris pushteti lokal.

“Në katër vite në Bashki kam kuptuar se qeverisja e pushtetit lokal ka dy lloje formash sesi mund të zhvillohet. Në formën  e saj të diskutimit për emergjencë ku  administratorët përfaqësuesit në zona, thonë duhet kjo rruga duhet kjo rruga,  dhe kjo zakonisht është reflektimi  dëshirave të pakicës. Dikush mund të ngrejë një alarm të madh se e do një njeri. Ndërkohë forma e dytë e qeverisjes është forma ku ne drejtojmë në bazë të asaj çka kuptojmë nga ajo që kërkojnë vetë qytetarët.

Edhe në mandatin e dytë të kryetarit të bashkisë duhet të fillojmë të kuptojmë sa përqind të qytetarëve u shërben, sa përqind e qytetarëve e kërkojnë. Duhet ky kopështi, sa fëmijë ka në këtë zonë që ky kopështi do tu shërbejë. Kemi katër vite që qeverisim në emergjencë, shpejt se na duhet kjo shpejt se na duhet kjo. Mendoj që tani pasi kemi mbaruar fazën e emergjencës të vendosim disa pika shumë të qarta të cilat janë realisht si funksion i asaj  që ne pyesim.

Mendoj se në mandatin e dytë të gjitha gjërat që ne mësuam nga shkolla që quhet Bashkia e Tiranës do ta reflektojmë duke pyetur qytetarin dhe duke nxjerrë të dhëna të mirëfillta shkencore mbi nevojat që ka qyteti. Dhe mbi bazë të të dhënave të mirëfillta shkencore ne do ndërtojmë buxhetet”, është shprehur Erind Bejko, gjatë konferencës së organizuar nga “Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore” mbështetur nga Lëviz Albania.

Gjatë konferencës u prezantuan të dhëna të mbledhura nga terreni, nga një anketim i realizuar në 5 njësi të ndryshme administrative, për të matur perceptimin e qytetarëve për shërbimet e Bashkisë së Tiranës. Nga 550 anketime që janë realizuar në 5 njësitë administrative përgjithësisht reflektohet një perceptim i mirë i shërbimeve të Bashkisë së Tiranës.

Sipas rezultateve të anketimit, në njësinë 5 ka përmirësim në shumë sherbime. Kjo evidentohet në të 10 pyetjet. Vihet re se në disa prej tyre rreth 1 e 3 e banorëve kërkojnë që të bëhet me shumë për shërbimin e pastrimit të ambientit, për mbeturinat. Ka nevojë të merren masa për ndriçimin në disa lagje.

Edhe në njësinë 7 reflektohet perceptim i mirë nga ana e qytetarëve për shërbimet e bashkisë, si pastrimi, mirëmbajtje e parqeve apo e zonave të gjelberta. Në disa prej zonave në njësinë 7 mungojnë trotuaret. Sakaq në njësinë 8 rezultojnë standarde të dyfishta. Njëra nga zonat nuk ka fare probleme të evidentuara, ndërsa zona tjetër kryesisht në rrugën ‘5 Maji’ gjendja e rrugës është e keqe. Kurse koshat e mbeturinave apo mirëmbajtja e ambientit janë shërbime të plotësuara.

Perceptimi i të anketuarve edhe në njësinë 9 është kryesisht pozitiv. Rekomandimet e anketimit për njësinë 9, janë ‘nevoja për përmirësim në menaxhimin e ujërave të ndotura, përmirësim i shërbimit të transportit publik. Rekomandimet e njësisë 10 janë: Ujërat e ndotura; shërbimi i ndriçimit; parkimi shkakton kaos etj.

“Ky studim është ndërmarrë sepse angazhimi i publikut në vendimarrjen e organeve të qeverisjes vendore është një vlerë e shtuar në një sistem demokratik. Aktualisht studimet tregojnë se ka një rënie të besimit të publikun në elitën qeverisëse dhe ne duhet ta studiojmë se pse ka ndodhur kjo. Synimi final është që këto rekomandime ti bëhen prezente kandidatëve të ardhshëm të bashkisë së Tiranës dhe administratës së tanishme”, u tha gjatë prezantimit të anketimit.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.