Pozitive: Ja si u strehua & u punësua familja rome!
Jetesa e familjes Nuredini, është e njëjtë me atë të dhjetra familjeve të tjera rome që jetojnë në Shqipëri. Bashkëshorti që merret me mbledhjen dhe shitjen e mbetjeve të riciklueshme, gruaja dhe fëmijët që lypin në situatë rruge. Në të shumtën e rasteve për këto familje, nuk ka alternativa të tjera jetese, prandaj zgjedhin këtë rrugë, siç ka edhe një pakicë qëpavarësisht mundësive që u jeten, e kanë të vështirë të ndryshojnë mentalitetin e dogmave tradicionale të tyre. E megjithatë, rasti i familjes Nuredini është kthyer në histori suksesi, kur hallkat instititucionale funksionojnë siç duhet dhe i japin një dorë këtij komuniteti. Menaxhimi i familjes rome nga Qendra Komunitare në Shkozë, Bashkia Tiranë, ka kaluar në jo pak peripeci, por në fund, mund të quhet një familje e rehabilituar.

Fakt 1: Familja Nuredini e përbërë nga kryefamiljari Iljaz Nuredini, bashkëshortja Jalldëz, 3 vajzat e tyre dhe vjehrra jetonin në Qendrën Tranzitore të Emergjencave, ku merrnin shërbime bazike si paketa ushqimore, veshje, produkte higjeno-sanitare. Iljazi merrej me mbledhjen dhe shitjen e mbetjeve të ricikueshme, punë me të cilën siguronte të ardhura për familjen, ndërsa Jalldëzi kujdesej për fëmijët në shtëpi.
Fakt 2: Tetor 2015, familja përfiton banesë sociale dhe transferohet tek Blloku i Banesave Sociale në Shkozë. Por, pas disa kohësh Iljazi dënohetme burg (shitje të lëndëve narkotike) dhe familja pohon se ka vështirësi ekonomike dhe mungesë të të ardhurave.Jalldëzi nis të shfrytëzojë fëmijët në lypje për të siguruar të ardhura.
Fakt 3: 10 Qershor 2016, familja merret në menaxhim nga punonjësit e Qendrës Komunitare Shkozë, ku Jalldëzi dhe fëmijët nisin të frekuentojnë shërbimet e qendrës. Ata nuk tregohen bashkëpunues, duke refezuar shpesh herë shërbimet. Pas burgosjes të Iljazit, për Jalldëzin përgjigjej më tepër Liria, vjehrra e saj. Komunikimi me të, ka qenë shumë i vështirë për punonjësit sociale, fillimisht sepse refuzonte marrjen e shërbimeve, me idenë që duhet të ndihmohej vetëm me mbështetje financiare.Familja mbetej problematike për shkak të nxjerrjes së fëmijëve në lypje.
Fakt 4: Pas punës bindëse të punonjësve dhe stafit të Qendrës Komunitare, u gjet rruga e komunikimit. Në janar të vitit 2017, u bë e mundur hapja e kartelave mjekësore në ambulancën nr.8 dhe nisi procesi i vaksinimit për të treja vajzat.
Fakt 5: Qershor-Shtator 2017, të treja vajzat e familjes u regjistruan në institucionet arsimore, e konkretisht në çerdhe, kopësht dhe shkollë. Jalldëzi u orientua drejt punësimit duke u regjistruar në zyrat e punës si dhe u asistua me dokumentacionin e nevojshëm për të bërë shpalljen e martesës me Iljazin, duke bërë celebrimin në burg, me datë 20 Prill 2018.
Fakt 6: Shtator 2018, Jalldëzi dhe vjehrra e saj Liria, u punësuan pranë ndërrmarjes Eco Tirana, ku punojnë aktualisht. Pas punësimit të tyre, situata e familjes ndryshoi, vajzat frekuentojnë kopështin parashkollor dhe shkollën duke mos dalë më në lypje.Vajzat marrin gjithashtu shërbimin e mensës, orët mbështetëse edukative, si dhe kanë pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme që realizon nga qendra komunitarte.
Fakt 7: Në Prill 2019, në bashkëpunim me personazhin e njohur publik,Valbona Selimllarin dhe emisionin “Ma jep Dorën”, familjes Nuredini iubë e mundur mobilimi i shtëpisë. Ndërsa në Maj, me hapjen e Tregut të Rrobave të Përdorura në Shkozë, Liries ju ofrua edhe nje punë e dyte, duke i dhënë mundësi shitje në këto ambiente.
Situate e romëve në Shqipëri
Tirana : Statistikat zyrtare, nga një studim census i Fondacionit Soros, viti 2014 rezulton se në Tiranë janë të regjistruara mbi 800 familje rome, prej të cilave 731 marrin shërbimet e Bashkisë Tiranë që nga bonuset e strehimit e deri tek punësimi i tyre, në Tregun e Rrobave të Përdorura në Shkozë. Ndërkohë që shifra prej më shumë se 70 familjesh rome, mbetet ende e pa asistuar nga shërbimet sociale lolale.
Shqipëria: Gjithashtu ekziston dhe një raport që analizon profilin social-demografik të popullsisë rome dhe egjiptiane, nivelin e tyre arsimor, situatën në drejtim të punësimit, strehimit, shëndetësisë dhe dimensione të tjera lidhur me kushtet e tyre të jetesë “Romët dhe egjiptianët në Shqipëri: “Profili social-demografik dhe ekonomik bazuar në Censusin 2011” I botuar në prill të vitit 2015”.
Sipas këtij raporti romët në Shqipëri kanë nivel të lartë fertiliteti por dhe shkallë të lartë vdekshmërie. Ata preferojnë zonat urbane dhe përqendrohen në lagje të ndryshme ku krijojnë komunitetin e tyre. Sipas studimit:
Popullsia rome priret të jetojë në zona të caktuara në Shqipëri. E vendosur kryesisht në zonat urbane (76,5% krahasuar me 53,5% për popullsinë e përgjithshme), familjet rome janë mjaft të përqendruara në disa rrethe dhe lagje: 50% e popullsisë rome jeton në 25 zonat më të përqendruara të numërimit (ZN). Në këto ZN, popullsia rome përbën të paktën 32% të popullsisë totale, e cila përbën një nivel relativisht të lartë përqendrimi duke pasur parasysh se përfaqësimi mesatar i këtij grupi është 0,5%. Për shembull, në disa ZN në Shkodër, Levan, Tiranë ose Fier, romët përbëjnë më shumë se 60% të popullsisë.

Problem arsimimi
Profili demografik I publikuar nga “PROGRAMI I KOMBEVE TË BASHKUARA PËR PËRFSHIRJEN SOCIALE NË SHQIPËRI” flet për ndjekje të shkollës në nivele të ulëta dhe braktisja e hershme e shkollës që çon në arritje të ulëta arsimore, madje përhapje të analfabetizmit në këto minoritete. Një tregues shumë domethënës është përqindja e fëmijëve që nuk ndjekin arsimin e detyrueshëm. Sipas të dhënave nga Censusi, shumica e fëmijëve shqiptarë (97%) dhe egjiptianë (93%) të moshës 6 deri në 9 vjeç ndjekin arsimin fillor, por për fëmijët romë kjo ndjekje e shkollës është vetëm në nivelin 55%. Këto shifra shumë të ulëta vijnë kryesisht nga fëmijët që nuk janë regjistruar kurrë në arsim. Braktisja është e rrallë përpara moshës 10 vjeç (më pak se 3% dhe më e lartë për vajzat sesa për djemtë), por është më e konsiderueshme në fillim të ciklit të lartë të arsimit të detyrueshëm. Braktisja te nxënësit e regjistruar romë të moshës 10 deri në 16 vjeç arrin 30% për djemtë dhe 44,6% për vajzat. Në moshën 16 vjeç, 96% e vajzave dhe vetëm 68% e djemve e kanë braktisur shkollën. Këtu ekziston një shqetësim serioz për programin e përfshirjes sociale për të mundësuar regjistrimin e më shumë fëmijëve romë në shkollë, por edhe për t’i mbajtur ata në arsim deri në moshën 16 vjeç, moshë në të cilën kanë nisur ta ndjekin arsimin.
(Mos) Arsimimi vështirëson punësimin
Qasja në arsimin e mesëm është një sfidë madhore për nxënësit romë. Situata kritike në arsim çon në një gjendje akoma edhe më kritike në drejtim të tregut të punës. Shkalla bruto e punësimit dhe shkalla e papunësisë thekson nivelin shumë të ulët të aktivitetit të romëve dhe egjiptianëve, dhe në këtë mënyrë thekson mungesën e burimeve financiare nga e cila vuajnë këto komunitete. Më pak se çereku i secilit grup është i punësuar dhe pabarazia gjinore është befasuese: vetëm 15% e grave rome dhe 13% e grave egjiptiane janë të punësuara. Shkalla e ulët e punësimit mund të shpjegohet nga një tërheqje nga tregu i punës, veçanërisht për gratë, por edhe nga papunësia shumë e lartë. Gjysma e romëve të aftë për punë dhe dy të tretat e egjiptianëve që janë pjesë e tregut të punës kërkojnë një punë, krahasuar me 29% të shqiptarëve. Shkalla e papunësisë te gratë rome po arrin majat në 58% dhe është akoma më e lartë për gratë egjiptiane në nivelin 73%. Për romët e punësuar, cilësia e ulët e punëve që ata kryejnë pasqyron faktin se shumica prej tyre nuk merr pjesë në ekonominë gjithëpërfshirëse, por gjejnë punë në sektorin informal. Ekzistojnë disa shpjegime të ndryshme për këto hendeqe në punësim. Më i qarti është ai i nivelit të ulët në arritjet arsimore dhe në këtë mënyrë i vështirësive që romët dhe egjiptianët hasin në përmbushje të kërkesave të ekonomisë së tregut. Ekziston një korrelacion i qartë midis nivelit arsimor dhe papunësisë. Megjithatë, romët e arsimuar kanë prirjen të gjejnë më pak punë sesa shqiptarët që kanë të njëjtën diplomë. “Hendeku i mbetur”, d.m.th. diferenca që mbetet kur kontrollohen mosha, niveli arsimor dhe gjinia, mund të interpretohet si provë e diskriminimit etnik. Një pyetje direkte mbi përjetimin e diskriminimit nxjerr në pah se 46% e romëve deklarojnë se janë diskriminuar në pesë vitet e fundit kur kanë kërkuar për një punë, dhe 24% e tyre janë diskriminuar në vendin e punës.
Papunësia pengon strehimin
Paqëndrueshmëria në punësim pasqyron një pasiguri të jashtëzakonshme edhe në strehim. Romët jo vetëm që jetojnë të veçuar, por kanë edhe kushte shumë të këqija jetese. Sipas Censusit 2011, 15% e familjeve rome jetonin në banesa jo të zakonshme. Banesat jo të zakonshme mund të jenë streha, tenda, kasolle, baraka ose lloje të tjera ndërtimesh të pasigurta. Pasiguria e banesës nuk pasqyrohet nga statusi i strehimit: shumica e familjeve rome deklarojnë se zotërojnë shtëpinë e tyre (74%), ashtu edhe si shqiptarët, ndonëse një pakicë e konsiderueshme i përdorin ato pa paguar qira (16%). Kushtet e këqija të infrastrukturave të strehimit mund të vërehen në përqindjen më të ulët të banesave që ofrojnë ujë të rrjedhshëm (42% krahasuar me 66% në Shqipëri) ose që kanë tualete (41%, krahasuar me 77% në nivel kombëtar). Frika e dëbimit dhe vështirësitë financiare për të paguar kredinë, qiranë ose për shërbimet është një veçori shumë e zakonshme midis familjeve rome.

Nevoja për vëmendje
Raporti jep gjithashtu të dhëna edhe për statusin e gjendjes shëndetësore dhe kushtet e jetesës së komunitetit rom dhe egjiptian. Panorama e përgjithshme e gjendjes së romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri tregon një histori privimi dhe përjashtimi social, rrënjët e secilës duhen analizuar më thellë. Veprimet vullnetare për reduktimin e varfërisë dhe për rritjen e shanseve duke investuar në arsim dhe strehim për këto dy minoritete janë më se të nevojshme, sepse dinamika e privimit të romëve dhe egjiptianëve duket se është e ngulitur thellë në strukturën e shoqërisë shqiptare.
Rasti i familjes Nuredini ishte vetëm një shembull për të treguar se kur ndërhyjnë institucionet apo kushdo që mundet, ka shumë shpresë për ti ofruar një të ardhme më të mirë pjestarëve të këtij komuniteti.


© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
