Papunësi e varfëri
14/02/2019 Shpërndaje

Papunësi e varfëri

Kryefamiljari i familjes Palusha në Kukës, punon një ose dy muaj maksimumi gjithë vitin. Edhe këtë kohë të pakët, ai punon në punë të zezë. Emri i tij është i njohur në listat e të papunëve në zyrat e punësimit. Do të bënte gjithcka për të mbajtur familjen, por zanati që ka ai si  punëtor  ndërtimi nuk e favorizon aspak. Ndërtimi nuk është në periudhën e tij më të mirë, aq më tepër në një qark si ai Kukësit, ku gjithmonë e më shumë njerëzit po largohen jashtë vendit si emigrantë. Kërkesa e ulët nga banorët për të blerë apartamente të reja, ka ulur në minimum edhe kërkesat për punëtorë ndërtimi. Familja Palushi përbëhet nga pesë anëtarë, 3 nga të cilët janë fëmijët e mitur 12, 7 dhe 3 vjec. E ardhura e vetme e familjes është ndihma ekonomike prej 5.200 lekësh në muaj. Dy nga fëmijët janë në shkollë, e  vlera e ndihmës ekonomike nuk mjafton as për shpenzimet e tyre, jo më për të mbajtur gjithë familjen. Familja është në kushtet e mbijetesës. Të ardhurat e pakta nuk ua mundësojnë pagesën e faturave të energjisë elektrike. Më së shumti familja jeton në errësirë. Fillimisht kryefamiljari bëri një lidhje të paligjshme të dritave, për të cilën edhe sot vuan ndjekjen penale në gjendje të lirë. Në këto kushte familja është detyruar të fusë në punë edhe fëmijët e mitur. Pas shkollës ata mbledhin materiale për skrap, për të siguruar një pjesë nga ushqimi që do të mbajë në jetë familjen. Si familja Palushi në qarkun e Kukësit, ka me qindra të tjerë që presin të gjejnë një vend pune. Ka edhe nga ata që zgjodhën të emigrojnë drejt Gjermanisë për të kërkuar azil. Familja Bala është një prej tyre. Aventura e tyre në Gjermani zgjati më pak se një muaj dhe në Prill të këtij viti ata u riatdhesuan. Rikthimi ishte edhe më i vështirë. Kanë shitur gjithcka kishin dhe tashmë jane edhe pa punë. Me të ardhurat që mblodhën nga puna në Gjermani po shlyejnë borxhet e shumta që kanë duke nisur nga dyqanet ushqimore e deri tek OSHEE. Kryefamiljari është në kërkim të një pune, por në zyrat e punës të Kukësit lista është shumë e gjatë dhe kërkesat për krah pune janë ulur ndjeshëm. Fëmijët ndjekin me vështirësi shkollën, por janë të përjashtuar nga jeta sociale e bashkëmoshatareve të tyre për shkak se familja mezi siguron të ardhurat per të shtyrë muajin. Familja kërkon që të paktën një nga prindërit të gjejë një vend pune, për të ndihmuar sadopak pagesën që marrin nga shteti. Edhe pse kanë pak muaj që jane kthyer nga Gjermania, sërish familja është në kërkim të një mënyre tjetër për të emigruar jashtë vendit, për një arsye kryesore: gjetjen e një vendi pune.

Papunësi e varfëri

Numri i personave të cilët janë në pritje të një vendi pune në Kukës shkon mbi 6 mije persona. Të pakten kjo është shifra e regjistruar pranë zyrës së punës në këtë qytet, por që në fakt mendohet që ajo të jetë disa herë më e lartë. Pikërisht për të minimizuar sadopak këtë problem, drejtues të Shërbimit Kombëtar të Punësimit kanë bërë thirje kryesisht adresuar bizneseve të rrisin numrin e punësimeve të reja. Bashkia e Kukësit mund të konsiderohet si një prej pushteteve vendore me më tepër probleme përsa i përket gjendjes së vështirë financiare që po kalon, fakt i pohuar disa herë edhe nga krerët lokalë. Pranë Bashkisë së Kukësit regjistrohen 2200 familje që trajtohen dhe jetojnë vetëm me të ardhurat nga ndihma ekonomike. Qarku i Kukësit ka shkallën më të lartë të papunësisë me 51,3%. Numri më i madh i të papunëve janë meshkuj 52.6%.  Familjet kuksiane në pjesën më të madhe kanë problematika që nga mungesa e dritave, ujit por edhe deri aty sa familje me njerëz të sëmurë skanë të ardhura për të blerë ilaçe. Vetëm vitin e 2016 nga Kukësi janë larguar 400 familje që kanë ikur. Pra vetëm në një vit mendohet se janë larguar 1200 vetë. Të gjitë këta ashtu si dhe familja Palusha shohin emigracionin si zgjidhje të fundit për mbijetesë.  Sipas shifrave të INSTAT-it, papunësia në gjithë Shqipërinë ka shkuar në 17.6 %. Por shifra më goditëse është se papunësia tek gratë është rritur shumë më tepër se tek burrat. Por nëse papunësia e vajzave deri në 35 vjeçe ka shkuar tek 35% në rang vendi, në Kukës këto shifra kalojnë 50 %.

                            

 

Kontributi i kësaj zone për të gjitha familjet shqiptare që marrin energji me çmim të subvencionuar, nuk i është këmbyer as nga shteti e as nga privati. Përveçse u bë qarku me tokën më të pakët bujqësore në dispozicion (vetëm 25 mijë hektarë, sipas INSTAT), Kukësi është qarku i fundit në vend për vlerën e fondeve publike të shpenzuara ndër vite e sipërmarrjet private.

Të hapësh vjetarin statistikor rajonal të INSTAT-it botuar në fund të vitit të kaluar, kupton pse Kukësi po përjeton sot një eksod të tretë. Largimi i mbi 30 mijë familjeve me përmbytjen e qytetit të vjetër dhe dhjetëra fshatrave, migrimi për një jetë të mirë me rënien e komunizmit dhe sot emigracioni masiv drejt Gjermanisë. Në pothuajse të gjithë treguesit ekonomikë e socialë, Qarku i Kukësit dallon për keq.

Në periudhën 2013-2014, Kukësi është i vetmi qark ku punësimi në sektorin privat ka rënë 2%.

Vendi me nivelin më të lartë të papunësisë, shkallës së varfërisë dhe rrjedhimisht me nivelin më të ulët të prodhimit për frymë. INSTAT vëren se Kukësi jep vlerën më të ulët në prodhimin e brendshëm bruto të vendit, duke kontribuuar për vetëm 2.1% të totalit të prodhimit.

Prodhimi i brendshëm bruto për frymë është vetëm pak më i lartë se në Dibër. Me rreth 320 mijë lekë për frymë në vit, niveli i PPB-së për frymë është 30.5% nën mesataren e vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT dhe Bankës Botërore, Kukësi është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë me 22.5% të popullsisë, nga 14.3% që është mesatarja e vendit. Edhe për hendekun e varfërisë nuk zbret shumë nga kryesimi, duke u renditur i dyti pas Lezhës. Pra, jo vetëm që ka nivelin më të lartë të të varfërve, por kësaj pjese të popullsisë (3.8%) i duhen më shumë para për të arritur te kufiri i varfërisë.

 

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.