Papa Françesku dhuron 100 mijë euro për familjet e dëmtuara nga tërmeti
Pas mbështetjes ditën e djeshme nga sheshi Shën Pjetri në Vatikan, ku ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave që humbën jetën nga tragjedia që ka prekur në Shqipërinë më 26 nëntor, Papa Françesku, sot ka konfirmuar se Vatikani do të dhurojë 100 mijë € për familjet e dëmtuara nga tërmeti prej të cilit deri më tani numërohen 41 viktima dhe mbi 650 të plagosur.
‘’Dhurojmë 100 mijë euro për Shqipërinë. Paratë janë për të ndihmuar popullin shqiptar. Shprehim afërsinë shpirtërore me popullin shqiptar’’, shprehet Papa Françesku.
Ditën e djeshme Papa pasi shprehu ngushëllimet për popullin shqiptar, e mbylli lutjen duke thënë: “Zoti e bekoftë këtë popull të cilin e dua shumë”.
“Dua të përshëndes dhe të shpreh afërsinë time me popullin e dashur shqiptar, i cili ka vuajtur shumë këto ditë. Shqipëria ka qenë vendi i parë në Evropë që kam dashur të vizitoj. Unë jam pranë të prekurve, lutem për viktimat, për të plagosurit dhe për familjet. Zoti e bekoftë këtë popull të cilin e dua shumë”, është shprehur Papa Francesku gjatë lutjes së mëngjesit ditën e djeshme.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
