Pandemia COVID-19 ia shtoi sfidat e raportimit dhe funksionimit medias në Shqipëri
21/09/2020 Shpërndaje

Pandemia COVID-19 ia shtoi sfidat e raportimit dhe funksionimit medias në Shqipëri

Gazetarët në Shqipëri u vunë përballë një sfide të jashtëzakonshme profesionale nga pandemia globale COVID-19, ndërsa shumë prej tyre u përballën me kërcënimin e vazhdueshëm të infektimit shëndetësor, si dhe me vështirësinë e verifikimit të informacioneve të shpërndara nga institucionet shtetërore.

Më 8 mars Shqipëria konfirmoi dy rastet e para me koronavirus, ngjarje që vuri në lëvizje një seri masazh kufizuese që ndryshuan rrënjësisht mënyrën e jetesës të çdo shtetasi, por edhe funksionimin e medias.

Shkollat dhe një grup i madh biznesesh u mbyllën, lëvizjet u kufizuan përmes lejeve dhe në orare strikte, ushqimoret dhe farmacitë vazhduan t’i shërbenin radhëve të gjata dhe në panik të qytetarëve, ndërsa kryeministri i vendit Edi Rama iu drejtua profilit të tij në Facebook për të udhëzuar 2.8 milionë shqiptarë për situatën e “luftës”, me makinat e ushtrisë që patrullonin rrugëve.

“Pas tërmetit, pandemia COVID-19 ka qenë një nga periudhat më të vështira,” kujton gazetarja politike Eksiola Shehu.

Ajo shpjegon se mënyra tradicionale e punës në redaksinë televizive ku ajo punonte, ndryshoi duke ndarë gazetarët e terrenit që merrnin lajmet dhe punonin nga shtëpia, me ata të redaksisë që ishin në numër më të reduktuar dhe kryenin detyrat që nuk mund të ushtroheshin në distancë.

“Ka qenë një periudhë e vështirë, nuk e dija se çfarë më priste. Kisha frikë të them të drejtën, mendoja vetëm familjen time dhe çfarë në fund të ditës do të sillja për prindërit në moshë,” thotë gazetarja.

“Kur isha fizikisht në punë dhe kthehesha në shtëpi, nuk do të duhej t’i takoja prindërit

për të evituar në maksimum kontaktet me ta. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë,” shton ajo.

Biznesi mediatik në Shqipëri përllogaritet të ketë mbi 6000 të punësuar, një pjesë e vogël e të cilët sipas kreut të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa humbën vendin e punës prej pandemisë, ndërsa një masë më e lartë pësuan ulje apo përgjysmim të pagave.

Pakësimi i reklamave, si një ndër mjetet kryesore të financimit të mediave, shtoi drastikisht pasigurinë financiare të mediave në Shqipëri.

Gazetari i fokusuar në gazetarinë mobile, MoJo, Lorin Kadiu tregon se edhe kjo mënyrë më inovatore e medias u trondit nga COVID-19.

Kadiu shpjegon se pandemia COVID-19 theksoi rëndësinë e misionit të gazetarëve për informim të publikut, por njëkohësisht koronavirusi i vuri gazetarët përballë sfidës së një rreziku të madh dhe një informacioni të pakët nga ana e institucioneve.

“Duke qenë njerëz që merremi me median dhe gazetarinë, neve na është dashur që të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë kohës kur gjithë të tjerët qëndronin mbyllur,” tregon gazetari i Citizen Channel, i cili shtoi se puna nga shtëpia i merrte trefishin e kohës.

“Praktikisht, të gjithë metaforat që u përdorën nga ana e qeverisë dhe gjithë retorika ishte që jemi në luftë. Në mendimin tim dhe në gjykimin tim gazetarët dhe dritaret e pavarura të informacionit u listuan tek armiqtë,” deklaron Lorin Kadiu.

Sipas tij, krijimi i situatës së tensionit krijoi një frymë frikësimi, që çoi përpara përpjekjet e qeverisë për të dominuar narrativën dhe për të aneksuar rolin e gazetarëve.

“Asnjëherë nuk është mirë kur ke vetëm një kanal informacioni dhe kur ke vetëm një person, ashtu si sot e kësaj dite që del çdo ditë në konferencë për shtyp reciton shifrat e të prekurve, të shëruarve dhe thjesht kthehet nga ana tjetër, nuk të jep mundësinë t’i pyesësh apo të mendosh pak në mënyrë kritike, gazetareske mbi gjërat që po na përcjell,” thotë ai.

Blerjana Bino, një hulumtuese e medias dhe komunikimit dhe bashkëthemeluese e Qendrës Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) thotë se kriza COVID-19 ka intensifikuar deficitet ekzistuese demokratike në Shqipëri.

“Masat emergjente të vendosura në përgjigje të pandemisë COVID-19 shërbyen edhe si një ekran tymosës i përshtatshëm për të përforcuar tendencat e pushtetit autoritar si edhe për të rritur kontrollin e tepruar mbi qytetarët. Në këto kushte, liria e medias është nën presion të vazhdueshëm,” deklaron Bino.

“Nën rrethanat e pandemisë COVID19, sidomos përgjatë muajve të gjendjes së jashtëzakonshme dhe izolimit, media u përball me disa çështje të ngutshme si mungesa e materialeve dhe procedurave për raportim nga terreni në kushte pandemie, vëllimi i shtuar i punës dhe kërkesa e shtuar për angazhim, rënia dramatike e të ardhurave si rezultat i humbjes së të ardhurave nga reklamat dhe të ardhurat e tjera të biznesit, shtyrja dhe zhvendosja e afatit kohor për zbatimin e projekteve, kufizimet në lëvizje, informacion publik i kufizuar ose censuruar. Për më tepër, masat e rrepta qeveritare, pezullimi i pjesshëm i të drejtave themelore të njeriut, liria e shprehjes, të drejtat e privatësisë dhe siguria e rrezikuar e gazetarëve, e kombinuar me keqinformim të përhapur dhe lajme të rreme e bëjnë këtë situatë edhe më keq,” shton ekspertja.

Sipas saj, media vendase është në një krizë të shumëfishtë.

“Media mund t’i shndërrojë sfidat e pandemisë COVID19 në mundësi për zhvillimin të mëtejshmë sidomos duke u mbështetur në transformimin digjital dhe angazhimin e komuniteteve jo thjesht si audiencë, por si partner,” thekson Bino.

“Diversifikimi i burimeve të të ardhurave dhe bashkëpunimi me sektorë të tjerë mund të sigurojë burime të nevojshme për të zhvilluar kapacitetet e gazetarëve dhe profesionistëve në media për të rritur cilësinë dh pavarësinë e tyre,” përfundon ajo.

Të njëjtin mendim ndajnë dhe gazetarët Shehu dhe Kadiu, të cilët thonë se pandemia nxorri në pah rëndësinë e teknologjisë në përparimin e raportimit dhe funksionimit të medias, si një mënyrë e globalizimit por edhe shtimit të mjeteve për verifikimin e fakteve.

“Mendoj që në këtë rast është zbuluar në një farë mënyre teknologjia dhe sot e kësaj dite pjesa më e madhe e redaksive vijojnë të kenë komunikime me të ftuarit online dhe besoj që komunikimi do të vazhdojë në këtë formë edhe kur koronavirusi të mos ekzistojë,” shprehet gazetarja Eksiola Shehu.

Ndërsa gazetarët dhe ekspertët raportuan se pandemia i vuri më në dukje sfidat e medias në Shqipëri dhe pikat e saj të dobëta, duket se më shumë duhet bërë nga profesionistët për të fituar pavarësinë editoriale, financiare dhe për të mbrojtur lirinë e medias në Shqipëri.

Vetëm kështu në të ardhmen liria e shprehjes do të jetë më imune ndaj ndikimeve të jashtme dhe gazetarët do të vazhdojnë të ushtrojnë lirisht misionin e tyre fisnik të informimit të publikut dhe shërbimit si watchdog të llogaridhënies për institucionet dhe qeveritë.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.