NJË PROTEZË PËR JETËN! ÇEKËT MBËSHTESIN PUNISHTEN E PRODHIMIT TË PROTEZAVE NË TIRANË
26/09/2023 Shpërndaje

NJË PROTEZË PËR JETËN! ÇEKËT MBËSHTESIN PUNISHTEN E PRODHIMIT TË PROTEZAVE NË TIRANË

Imagjinoni një person të privuar nga aktivitetet e përditshmërisë, për shkak të mungesës së një apo dy gjymtyrëve. Një jetë e gjymtuar nga një aksident fatal, që e mban atë larg jetës aktive. Ky është fati i dhjetra personave në Shqipëri, që kanë humbur krahët apo këmbët. Duket si një situatë e pashpresë, por në fakt nuk është e tillë. Këta persona mund ti kthehen jetës aktive, duke zëvendësuar gjymtyrët e munguar me proteza.

Të dhëna të sakta për personat që iu duhen proteza nuk ka, por në punishten e Izet Onuzit, drejtuesit të shoqatës “Shpresë për Jetën”, janë të paktën 200 persona në listë pritjeje për t`u pajisur me një tillë. Pikërisht për t`iu dhënë atyre një shans tjetër, ambasada çeke në Tiranë ka mbështetur me një fond 20.000 – euro prodhimin e protezave.    

Në takimin prezantues të projektit të bashkëpunimit ishte i pranishëm ambasadori i Republikës Çeke në Tiranë, Zoti Karel Urban, dhe drejtori i shoqatës “Shpresë për Jetën”, Zoti Izet Onuzi. Me fondet e dhëna nga Republika Çeke, shoqata mundi të blejë materiale cilësore dhe të prodhojë proteza krahu që iu dhuruan njerëzve që kishin nevojë jetike për to.

Por kjo nuk është hera e parë që ambasada mbështet me financime organizatat vendase. Ambasadori Karel Urban informoi të pranishmit se Republika Çeke financon çdo vit të paktën një projekt ndihme për zhvillim në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri.

Këtë vit, përveç këtij projekti, Republika Çeke gjithashtu do të sigurojë krevate spitalore për spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Vitin e kaluar ajo pajisi maternitetin “Koço Gliozheni” me një inkubator neonatal dhe një çantë transporti neonatal nga prodhuesit çekë. Gjithashtu në vitin 2021 ndihmoi për të pajisur një dhomë lojrash për fëmijët dhe një dhomë vizitash për prindërit në departamentin onkologjik të Spitalit të Fëmijëve në Tiranë.

Gjatë takimit përfaqësuesit e ambsadës shprehën angazhimin e tyre për të vijuar mbështetjen financiare me projekte që iu vijnë në ndihmë shqiptarëve, kryesisht në fushën e shëndetësisë.

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.