“Një Libër më shumë për Preshevën”, kryetari i komunës Arifi jep lajmin e mirë
24/01/2018 Shpërndaje

 “Një Libër më shumë për Preshevën”, kryetari i komunës Arifi jep lajmin e mirë

Pas 10 vitesh zgjidhet problemi i teksteve shqip në Preshevë…

Një grup studentësh të masterit shkencor në Shkenca Komunikimi, prezantuan pranë bibliotekës së Kolegjit Universitar “Bedër”, fushatën sensibilizueze “Një Libër për Preshevën”. Nisma bëri bashkë personalitete të fushave të ndryshme, politikan, përfaqësues të botës akademike, të gazetarisë dhe shoqërisë civile. I ftuari i nderit në këtë aktivitet, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ndau me të pranishmit lajmin e mirë se më në fund, po shkon drejt zgjidhjes problematika e mungesës së teksteve shqip për nxënësit në shkollat e Luginës së Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit.

“Marrëveshja e arritur vitin e kaluar mes Rames dhe Vucic ku kam qënë prezent edhe unë mbi sjelljen e teksteve shkollore nga Shqipëria, ka arritur një sukses të parë. Jemi njoftuar se tekset shqip do të sillen nga Shqiperia drejt Serbisë për t’u harmonizuar me programin e ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe për pasojë duke nisur nga viti shkollor 2018-2019 ne do të kemi 43 tekste të reja shqip për të gjithë nxenësit tanë në Lugine, gjë e cila ndodh pas 10 vjetesh”, tha mes të tjerash Arifi.

Drejtuesi më i rëndësishëm vendor ne Luginën e Preshevës tha se kjo pjesë ku jetojnë shqiptarë ka sfida te mëdha përpara duke nisur nga uji i pijshëm, energjia elektrike, infrastruktura, mungesa e teksteve shkollore dhe thithja e investitoreve nga Shqiperia dhe Kosova. Z.Arifi kërkoi më shumë vëmendje dhe angazhim nga Shqipëria për Luginen e Preshevës, duke e konsideruar nismën studentore për mbledhjen e librave dhe mjeteve arsimore një simbol dhe mësim të mirë të asaj që shqiptaret në Serbi presin edhe nga politika shqiptare.

Nderkohë Zv.Ministri i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve i Shqipërisë, Shpati Kolgega e konsideroi fushatën “Një Libër për Preshevën”, një nisëm me dimension shpirtëror që bën bashkë të rinjve shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Z.Kolgega premtoi angazhimin e tij që nisma të jetë mbarëkombëtare me përfshirjen edhe të shkollave dhe universiteteve të vendit.

Sakaq rektori i universitetit Ferdinand Gjana premtoi se institucioni do të japë disa bursa për vitin e ardhshëm akademik për nxënësit më të mirë të Luginës së Preshevës. Qëllim final i nismës është të mblidhen sa më shumë libra jashtëshkollorë shqip dhe mjete shkollore për nxënësit në shkollat e Luginës së Preshevës. Kushdo mund të kontribuojë duke kontaktuar në faqen zyrtare të fushatës “Një libër më shumë për Preshevën”, në rrjete sociale.

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.