Erion Veliaj hap dyert e Këshillit Bashkiak për të rinjtë e periferisë
24/12/2017 Shpërndaje

Erion Veliaj hap dyert e Këshillit Bashkiak për të rinjtë e periferisë

60 gjimnazistë dhe mësues nga 13 njësitë vendore në periferi të Tiranës, janë ulur në karriget e këshilltarëve bashkiakë për të paraqitur para kryebashkiakut Erion Veliaj kërkesat e tyre për investime për sportin dhe kulturën në shkollat ku mësojnë.

Ky takim u organizua nga Qendra Media dhe Çështjet shoqërore në kuadër të projektit “Të Lëvizim për Sportin dhe Kulturën në Periferi të Tiranës” mbështetur nga LëvizAlbania, për t’ju dhënë mundësinë përfaqësuesve të rinjve të kërkojnë investime për të mundësuar kushte të mira në ambientet ku ata studiojnë.
Pas monitorimit në terren dhe faktimit me pamje dhe intervistave me të rinj, Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore ka bërë një skaner të situates aktuale në shkollat e periferisë. Ndaj kërkesa e parë u bë nga përfaqësuesit e Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore, për palestrën e Vaqarrit si një nga rastet më emergjente për ndërhyrje. Prej më shumë se 3 vitesh palestra e ndërtuar nuk vihet në funksion sepse i mungon çatia, dyert dhe dritaret. Qendra dhe të rinjtë e Vaqarrit morën premtimin e kryebashkiakut

Veliaj që palestra do të rregullohet në 2018. Veliaj theksoi: “Të rinjtë e shkollës së Vaqarrit e dine mirë ku ju pikon çatia dhe kjo në kuptimin e parë të fjalës. Unë jam njohur me problematikën e palestrës, kam qenë edhe vet atje e kam parë. Disa procedura tenderash me firma që nuk kanë mbaruar punimet, na kanë penguar të ndërhyjmë. Por keni fjalën time që në vitin 2018 do të nisim punimet në palestër”.
Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe dëshirën për krijuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore. Më tej shtoi se kontributi për të përmirësuar kushtet duhet të jepet edhe nga vetë ato që jetojnë në këto zona periferike të Tiranës. “Dua t’u falenderoj për faktin që jeni të angazhuar. Ka shumë njerëz që të japin mend, jo s’bëhen shumë gjëra thonë, por ka edhe gjëra që mund ti bësh dhe vetë, ti bëjmë të gjithë bashkë”.

Drejtoresha dhe nxënësit e shkollës “16 Shtatori” Pezë e Madhe shprehën shqetësimin pasi I pohuan Z. Veliaj se shkolla e tyre s’është rikonstruktuar asnjëherë, mbi të nuk është vënë dorë që kur është ndërtuar. Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle duke pasur kushte jonormale është shumë e vështirë të zhvillohen jo vetëm aktivitete por edhe mësimi. “Ka lagështirë të madhe, dyert, muret te gjitha te lagura kur kthehemi të hënë nga ditët e pushimit. Ne kemi 2 klasa që zhvillojnë mësim pasdite, por tani ne dimër i kemi zhvendosur në biblotekë dhe sallë kompjuteras”, theksuan nxënësit në takim.
Ndërsa Veliaj deklaroi para tyre: “Ju premtoj se do të nis një grup për verifikim të situatës në terren dhe do ta fusim shkollën e Pezës në listen e investimeve për vitin 2018.”

I njëjti premtim nga kryebashkiaku Veliaj shkoi edhe për shkollën e Farkës. Edhe pse nxënësit në takim ishin në vitin e fundit të shkollës së mesme, ata pohuan se po e bëjnë këtë lobim për brezat e ardhshëm që do të mësojnë në shkollën e tyre. Veliaj ju tha të rinjve: “Nëse duam të bëjmë një karrierë apo të jemi të dobishëm për shoqërinë duhet të mendojmë më gjerë. Mos mendoni vetëm për lagjen tuaj apo për delixhanin e banjos së shkollës. Si nxënësit le të themi më të spikatur duhet të filloni që tani ta hapni pak diapazonën. Sot jetojmë në një kohë që ka informacion ka akses. Ju nesër mund të jeni këtu në bashkinë e Tiranës, mund të jenë politikë apo mund jeni gazetare shumë të njohura.

Është momenti për ta hapur diapazonin për të eksploruar një botë përtej familjes së ngushtë lagjes apo shkollës tënde dhe për t`u ndjerë tamam si qytetarë të një kryeqyteti që ndoshta është më i shpejti në zhvillim si ritëm. Tani që mbaruam projektet e mëdha si sheshi Skënderbej e Pazari i Ri do na lirohen hapësirat financiare dhe do kemi mundësi të bëjmë investime në periferi gjatë pjesës së mbetur të këtij mandati”.
Mes shqetësimeve kishte dhe nga ata të rinj që falë investimeve tashmë i kanë të gjitha kushtet, ndër to është shkolla e Shëngjergjit. Ata falenderuan kryebashkiakun sepse falë investimit më të fundit të bashkisë u ndërtua terreni i ri sportiv. Ata theksuan se deri vonë në darkë të gjithë fëmijët dhe komuniteti janë atje duke luajtur. Nxënësit e shkollave të Farkës, Vaqarrit, Yzberishtit, Ndroqit, Baldushkut, Pezës etj, nuk u ndalën vetëm tek kërkesat për sportin dhe kulturën por renditën problemet që kanë në ambientet mësimore me sistemin e ngrohjes, bibloteka të varfra, mungesë laboratoresh e të tjerë. Sakaq kishte dhe përfaqësues të shkollave të rikonstrukturuara, të cilët shprehën falenderime pafund për Veliajn, për kushtet që u janë krijuar nxënësve, të zhvillojnë aktivitete kulturore dhe sportive.

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.