Një grua e pavarur nuk ka nevojë për një princ që ta shpëtojë
Ekskluzive për pozitivi.org
Gruaja është shtylla kryesore e funksionimit të rregullit familjar. Roli i gruas në shoqëri ka avancuar me ritme pozitive dhe duhet vlerësuar përkushtimi i bërë për emancipimin e saj krahas gjinisë tjetër. Personazhi kryesor në familje dhe shoqëri mund të themi se është gruaja. Ajo ka rol të rëndësishëm në shoqëri, politikë, familje, pozicione që janë fuqizuar me kalimin e viteve.
Sidoqoftë çdo ditë ajo duhet të kryejë disa detyra, gjatë të cilave has shumë vështirësi. Sfidat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të ndryshme për çdo grua. Mënyra si përballen me këto sfida ato vendos si do jetë e ardhmja e tyre. Të punojnë dhe të përballen me gjithçka për të zënë vendin që iu takon ose të marrin atë që iu servirin. Në filim “Joy” gruaja paraqitet në disa aspekte.
Filmi është realizuar në vitin 2015. Subjekti është Joy Mangano (Lawrence), sipërmarrëse me bazë në Long Island, e cila ka projektuar dhe prodhuar kollarë për qentë në fillim të viteve 1990. Pavarësisht skepticizmit nga babai i saj, Rudy (Robert De Niro) dhe motra Peggy (Elizabeth Rohm), Joy ngre para të mjaftueshme për të bërë 100 lecka me shkop, të cilat do ti shesë. Kur shoku i saj dhe ish-burri, Tony (Edgar Ramirez), i siguron një intervistë me ekzekutivin e QVC-së, Neil Walker (Bradley Cooper), asaj i është dhënë një mundësi për të shitur leckën që krijoi në televizor. Megjithëse shitjet fillestare janë të dobëta, Joy e bind Neil që ta lejojë atë të zëvendësojë prezantuesin “profesional”. Ajo shet më shumë se 18.000 copë dhe duket se është në rrugën e duhur. Por pyetjet në lidhje me pronësinë e kërcënojnë të prishin gjithçka dhe ta çojnë Joyn në falimentim.
Në film, i cili është i bazuar në një histori të vërtetë shfaqen shumë dimensione të femrës. Në të tregohet për historinë e një familjeje përmes katër brezave dhe gruas që ngrihet për t’u bërë themeluese e një dinastie të fuqishme biznesi familjar. Nis me historinë e Xhoit e thënë nga gjyshja e saj, e cila ka një rol të rëndësishëm për mbesën që në vogëli e derisa rritet dhe bëhet nënë. Ëndrrat e të voglës filluan në një oficinë të menaxhuar nga babai i saj. Ajo bënte gjëra të mrekullueshmë në dhomën e saj, gjëra magjike. I pëlqente të krijonte, ndërsa në sfond kishte muzikë. Në këtë pjesë përfaqësohen vajzat që rriten me ëndrra dhe ideale për të ardhmen, që kanë durimin dhe përqendrimin të bëjnë gjëra me duart e tyre. Xhoi ishte një prej atyre njerëzve që argëtohej kur krijonte gjëra.
Filmi nis me gjyshen që tregon historinë e Xhoit. Roli kryesor i gjyshes ishte të inkurajojë dhe mbajë gjallë ëndrrat e vogëlushes. “Ti do të rritesh për të qenë një grua e fortë dhe e zgjuar. Do të shkosh në shkollë do të njohësh dikë dhe do të kesh fëmijë të bukur. Dhe do të krijosh gjëra të bukura si ato të dhomës tënde”. Kjo frazë që gjyshja ia thoshte shpesh përshkruan gjithë jetën e Xhoit, personazhit kryesor.
Po çfarë ndodhi me ëndrrat e kësaj vogëlusheje? Një vajzë me vizion të qartë dhe vetëbesim përfaqësohet nga Xhoi, e cila që e vogël e ka imagjinuar të ardhmen. Një nga mesazhet kryesore përcillet gjatë dialogut të saj me motrën.“Dhe unë hap portën për të parë gjelbërimin e madh. Shkoj në pyll. Aty përballem me shumë rreziqe. Filloj të ndërtoj shtëpinë time. Aty ku do të jetoj dhe të ndërtoj gjëra të mrekullueshme për botën. Mbase për princin dhe për princeshën që do të jetojnë përmes pyllit. Mbase do të më ftojë për të parë gjërat që krijova”, thotë Xhoi.
“Mbase të duhet një princ. Po ty të duhet një princ”, ia kthen e motra, që përmes kësaj fraze tregon mentalitetin që ende ekziston në shoqëri, se që një vajzë t’ja dalë duhet të ketë gjithmonë nga pas një mashkull. Por ajo nuk ka nevojë për një pric, sepse i mjaftonte superfuqia që kishte. Pra, simbolizon femrën e pavarur që ka besim në vete. “Jo nuk kam nevojë për të (princin). Kjo është superfuqi”, thotë Xhoi.
Mamaja e Xhoit përfaqëson femrat me karakter të dobët, e paangazhuar, pa vullnet. Një mama jo aktive, demoralizuese për vajzën e saj e cila ishte plot ëndrra për të ardhmen. E ëma qëndronte e veçuar në dhomën e saj, e futur në botën e televizionit duke mos e vënë trurin në punë për asgjë.
Shtylla e shtëpisë ishte gjyshja. Femra e fortë, e zgjuar, me karakter, vigjilente dhe mbi të gjitha motivuese dhe një drejtuese mjaft e mirë për mbesën (Joy). Xhoi një ditë dëshpërohet ndërsa përjeton trishtimin që përcillte seriali që ndiqte e ëma. Në fokus edhe aty ishte një grua që kishte mbetur në udhëkryq, për shkak të problemeve me të cilat po përballej. Por ishte gjyshja, gruaja e fortë dhe optimiste që dinte ta motivojë mbesën. “Ti do të rritesh për të qenë një grua e fortë dhe e zgjuar. Do të shkosh në shkollë do të njohësh dikë dhe do të kesh fëmijë të bukur. Dhe do të krijosh gjëra të bukura si ato të dhomës tënde”, këto janë fjalët e gjyshes ndaj mbesës së vogël. Femrat janë të forta, të zgjuara dhe fatin e tyre kanë vetë në dorë, askush tjetër. Nëse duan mund të jenë të pavarura dhe të bëjnë gjëra të mëdha.
Vajza e vogël rritet. Shpiku një kollarë për qentë dhe donte të merrte patentë. Doli nxënësja më e mirë në shkollë të mesme ndaj mbajti fjalim në diplomim. Fitoi të drejtën për të studiuar në universitet në Boston por nuk u largua sepse prindërit u divorcuan dhe ajo donte të kujdesej për të ëmën dhe të ndihmone babain. Në përgjithësi gratë janë ato që sakrifikojnë, si në rastin konkret Xhoi që qëndron për familjen. Vetë natyra e femrës, e brishtë, e dhimbsur dhe e kujdeshme, shpesh në heshtje ka marrë veprime të tilla.
Mbaron universitetin, martohet dhe bëhet nënë e dy fëmijëve. Më pas divorcohet nga bashkëshorti. Në këtë periudhë ishte larg asaj që kishte ëndërruar dhe punuar për të arritur në jetë. Jeta e saj ishte një rrëmujë e vërtetë. Kjo tregon se gjërat që duam nuk arrihen menjëherë. Këtu ndodh ‘përplasja’, e femrës zgjedh karrierën dhe suksesin dhe asaj që zgjedh familjen. Ndonjëherë duhet të zgjedhësh mes të dyjave, por edhe mund ti kordinosh. Që kur nis dita gruaja e shtëpisë duhet të mendojë të rehatojë nga A ne ZH familjen, fëmijët. Të kujdeset për veshjen, për ushqimin për pastërtinë, për lulet, gjelbërimin. Kështu ndodh me Xhoin. Ajo duhej të merrej me gjithçka. Të kujdesej për fëmijët, mamanë e saj, punët e shtëpisë, të bënte rolin e mashkullit në shtëpi duke bërë edhe punë të tilla si rregullime hidraulike, të kujdesej për veten si dhe të siguronte të ardhura për të mbajtur shtëpinë sepse ishte e divorcuar.
Nga ana tjetër ishin ëndrrat dhe pasioni i saj për të krijuar gjëra të cilat kishte shpresë se një ditë do ti realizonte. Si gjithmonë vjen mesazhi i rradhës nga gjyshja. “E di nuk ke jetën që kemi diskutuar gjithmonë. Dhe nuk ke saktësisht të njëjtën jetë si më parë por ende të ka mbetur një pjesë e saj. Shpresa do të të sjellë përjetësinë”. Në atë kohë ku mendon se nuk ke rrugëdalje duhet të gjesh një fije shprese. Shpresa e bëri të këmbëngulë, të vazhdojë të krijojë dhe të punojë për të qenë një sipërmarrëse e suksesshme.
Pas një periudhe të gjatë 17 vjeçare, që kishte ndaluar së krijuari gjëra, shikon një ëndërr përmes të cilës kupon se nuk duhet të fshihet më nga vetja. Që duhet të vazhdojë të krijojë gjëra ashtu siç bënte dikur. Ajo vendos të rikthehet. Krijon një leckë që shtrydhej vetë dhe do ta hedhë në treg. Pavarësisht përpjekjeve gjërat s’po i ecnin mirë. Megjithatë ajo s’u ndal. Insistoi pavarësisht çdo pengese dhe u bë një nga biznesmenet më të suksesshme të kohës. Xhoi jo vetëm që regjistroi patentën e parë që ishte një kollare për qenin, por bëri dhe 100 të tjera. Të gjitha të rëndësishme për njerëzit. Një ditë u shpërngul në një shtëpi të madhe e të bukur, së bashku me familjen e madhe. Ashtu siç dëshironte ajo u shndërrua në një biznesmene të suksesshme. Ëndrrat u bënë realitet.
Mesazhi nga kjo histori është se një grua e pavarur nuk ka nevojë për një njeri që ta shpëtojë ose ta përmbushë. Në film u trajtua historia e një shpikësje të përkushtuar dhe të pasionuar, e cila përballon vështirësitë personale dhe financiare në rrugën për të bërë dhe marketinguar pajisjen e saj. Të tilla gra ka shumë edhe në përditshmërinë tonë.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
