Nënë e bijë diskutojnë për bullizmin, një fenomen për të cilën nuk flitet shumë
11/12/2020 Shpërndaje

Nënë e bijë diskutojnë për bullizmin, një fenomen për të cilën nuk flitet shumë

Emisioni “Jo Tabu” në këtë episod të tretë do të sjellë një nga fenomenet, që prek më shumë të rinjtë shqiptarë dhe ai është bullizmi. Për këtë temë do flasin znj. Elma dhe vajza e saj Hana, e cila ka kurajën të flasë mbi tema siç është bullizmi dhe të debatojë nëse është e nevojshme.

Por çfarë është bullizmi?

Bullizmin është një fenomen që ndodh kur një individ është i paaftë të mbrojë veten, ekspozohet në mënyrë të përsëritur dhe për një periudhë të gjatë kohe ndaj dëmtimit të qëllimshëm nga një ose disa të tjerë në mënyrë direkte ose indirekte. Në praktikë format e ndryshme të bullizmit ndodhin së bashku. Vajzat janë më të prirura drejt bullizmit verbal, ndërsa djemtë drejt atij fizik.

Hana tregon për “Jo Tabu” që mbështetet nga Unfpa se për bullizmin ka dëgjuar për herë të parë nga mamaja e saj, në moshën pesë vjeçare dhe kjo tregon se është shumë e rëndësishme të flisni me fëmijët tuaj për këtë temë. Hana tregon se si e sheh bullizmin dhe kur ka dëgjuar për herë të parë për të.

“Kur një fëmijë tall një fëmijë tjetër dhe e bën të ndihet i pavlerë, e dëmtojnë, e gjuajnë diçka e tillë. Unë e mbaj mend pak a shumë, që ti vetëm erdhe dhe ishte motra duke qarë se më duket ishte zënë me një shoqe ose një shok. Ti erdhe dhe po më flisje mua e motrës së madhe duke thënë se bullizmi është diçka që kalon”,- shprehet Hana.

-Bullizmi mund të shfaqet në disa mënyra dhe disa prej tyre po i shkruajmë më poshtë.

-Bullizmi fizik përfshin të qëlluarin, shkelmat apo shkatërrimin e pronës së dikujt ku një grup nxënësish sulmojnë një tjetër.

-Bullizmi verbal përfshin ofendimet, talljet të folurin racist ose si ngacmim seksual, po ashtu këtu përfshihet edhe kërcënimi.

-Bullizmi elektronik mund të ndodhë kudo dhe në çdo kohë fal zhvillimit të teknologjisë në shkollë dhe në shtëpi.

Gjatë bisedës me vajzën dhe nga biseda që bën me të Elma kupton se në shkollë psikologia mungon dhe se nësë ndodhin ngjarje bullizmi ato trajtohen vetëm nga drejtoria e shkollës.

Kurioziteti i Hanës bën që të pyes mamanë e saj nëse ka bullizëm edhe te të rriturit. Elma thotë se ka, por në forma të tjera.

“Ndodh sepse secili do të shfaq formën e vet të prezencës, të idesë, të mendimit dhe mënyra se si do të mbizotërojë tek të tjerët mund të jetë nga format e shprehej së pushtetit. Të rrituri i sofistikojnë mënyrat e shprehjes dhe zgjidhjes nuk i kanë kaq të drejtpërdrejta sa i kanë fëmijët, që janë shumë më të thjeshta dhe të bukura”,-shprehet Elma. 

Elma në fund jep një mesazh për të gjithë fëmijët dhe familjet.

“Në fakt dera më e sigurt për çdo individ dhe aq më shumë për një fëmijë, që është i parritur mirë për të marrë vendime në jetën e tij dhe si i tillë porta më e sigurt është familja”,- thotë ajo.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.