“Në Evropë do shkoja në punë si zonjë, këtu shtypesh”
19/03/2022 Shpërndaje

“Në Evropë do shkoja në punë si zonjë, këtu shtypesh”

Prej orës 11 të paradites mijëra qytetarë, të rinjë e të moshuar, ashtu siç kishin paralajmëruar dolën në shesh për të protestuar për rritjen e çmimeve dhe plotësimin e kërkesave të tyre.

Marshimi nisi nga sheshi Skënderbej drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur para kryeministrisë, aty ku ndodheshin forca të shumta policia për mbarëvajtjen e protestës. Efektivët e policisë kishin rrethuar kryeministrinë nga të gjitha anët një orë para protestës. E mbrojtur nga forcat e rendit ishte edhe godina e ministrisë së Brendshme.

Ndërsa turma i afrohej bulevardit efektivët e policisë paisur me maska kundra gazit. Gjatë marshimit qytetarët përcollën mesazhet e tyre përmes pankartave që mbanin në duar.

“Ta harrojnë se largohemi nga sheshi sot pa marrë të drejtat tona”, tha një qytetar. Qytetarët nuk i kanë kursyer ironitë as për ministret. Protestuesit risjellin shprehjen e ministres Edona Bilali për “Zeusin”. “T’i lutemi Zeusit për shi”, shkruan një pankartë.

“Me 5 thashë miell në muaj nuk quhesh i varfër”, thotë një tjetër pankartë me foton e ministres Delina Ibrahimaj, e cila tha se një qytetar me 140 euro nuk quhet i varfër.

‘Të bëhemi 100 fermerë t’i blejmë këpucë të reja ministres’- është pankarta e cila u paraqit sot në protestën e qytetarëve përballë kryeministrisë.

Qetësisht qytetarët nisën të përsërisin kërkesat drejtuar qeverisë. Në paketën e propozuar përfshihen pezullimi i taksave për qarkullimin në mënyrë që të ulet çmimi i naftës.

Kërkesat zyrtare të protestuesve:
A. Masa për uljen e barrës fiskale dhe përcaktimit të marzhit të fitimit për përballimin e krizës dhe garantimin e qëndrueshmërisë së çmimeve:
1. Marrje e masave në formë të alternuar si: pezullim i taksës së qarkullimit dhe i taksës së karbonit, me qëllim afrimin e çmimit të karburantit me vendet e rajonit.
2. Zerim i përkohshëm i TVSH-së produkteve të shportës (dhe ulja në masën 10% në vijim) dhe mbikëqyrje e periodike rigoroze e tregut për reflektimin përkatës në çmime.
3. Përcaktimi i përkohshëm i marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.
B. Masa për mirëfunksionim e tregut dhe në mbështetje të fondit për përballimin e krizës:
4. Pezullim i përkohshëm i a) Koncesionit të Markimit, b) Koncesionit të Skanimit dhe c) Koncesionit të Kontrollit të Pompave (bazuar në klauzolën “force major” në kontratën përkatëse dhe në mbrojtje të interesave publike), si dhe hetim e mbikëqyrje në vijimësi e operatoreve ekonomike te importit dhe tregtimit me shumice që ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimit të naftës, me qëllim pezullimin e përkohshëm apo anulimin e tyre në favor të interesit publik.
5. Mbikëqyrje dhe raportim periodik tremujor ne Kuvendin e Shqipërisë nga Autoriteti i Konkurrencës së të gjithë përqendrimeve në treg dhe transparencë e plotë e zinxhirit të vlerës për të gjithë operatorët ekonomike sektoriale që vitin e mëparshëm kanë zotëruar/zotërojnë mbi 25% të vlerës në sektorin përkatës, nga institucionet përgjegjëse.

6. Rishikim i buxhetit te shtetit për vitin 2022 për shkurtimin e shpenzimeve operative dhe të luksit të administratës shtetërore.
7. Krijim me prioritet në kohë i një kompanie publike që të konkurrojë në tregun privat të naftës dhe burime parësore të energjisë me perspektivë investimin në prodhim.
C. Masa mbështetëse dhe subvencionime: Përcaktimi dhe publikimi i përvitshëm i minimumit jetik si baze për mbështetjen financiare të shtresave në nevojë, personave me aftësi të kufizuar dhe atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike. Rekomandohet barazimi i pensioneve të pjesshme me minimumin jetik. Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.

Fjalimet e mbajtura para kryeministrisë ishin të pakta por të spikatura. Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje pasi pasqyron edhe një situatë aktuale është, thirrja e kësaj aktivisteje e cila tha se në vendin tonë është pamundur të udhëtosh me autobusë për shkak të fluksit të lartë.

“Unë dua t’i përgjigjem dy ministreshave, dua të bëj disa llogari me to. Ibrahimaj tha se me 130 euro s’jemi të varfër, Balluku tha se s;duhet të marrim makinat. Unë do të doja të isha qytetare normale europiane, të merrja autobusin dhe për 5 minuta të më çonte në punë, pa humbur orë nga jeta. Do merrja qenin, do lexoja në tren, si zonjë do shkoja e pa stresuar në punë, por çfarë ndodh kur përdor transportin publik këtu. Unë ngrihem herët, marr makinën e çoj fëmijën në kopsht, pastaj marr autobusin në Kamëz, bëj segmentin aty të Dogana, në trafik, mbërrij në orën 8:30 në punë, nuk e di a i intereson zonjës Ministre se unë harxhoj 2 orë për të shkuar në punë”.

Itinerari i protestës së sotme kishte ndryshuar krahasuar me atë të disa ditëve më parë. Qytetarët vendosën që të qëndrojnë në bulevard dhe të mos e shpërndajnë protestën nëpër rrugët e Tiranës për të bllokuar lëvizjen e makinave. Disa prej protestuesve tha se do qëndrojnë para kryeministrisë për 24 orë. “Ne kemi marrë vendimin që të qëndrojmë këtu 24 orë, pa lëvizur. Tani do të qetësohet situata, e më pas do të flasim”.

Vendimi i tyre ishte të mos lëviznin nga kryeministria deri në plotësimin e kërkesave. Pavarësisht numrit të lartë të policëve në shesh, nuk u shkaktua asnjë incident. Një prej aktivistëve në protestë e cilësoi fitore faktin që qeveria kishte marrë masa pas nisjes së protestës. Masat u reflektuan në uljen e çmimit të karburanteve, ngritjen e një bordi të transparencës dhe në laçimin e paketës së rezistencës sociale.

Në anën tjetër njëkohësisht me protestuesit, kryeministri Edi Rama po zhillonte një takim me fermerët.

Nga atje përsëriti se taksat mbi karburantet nuk do të hiqen, ndërsa duke shtuar se në vendi ynë nuk e prodhon dot naftën se ka kosto të lartë.  “Kosto e rafinimit është shumë e lartë. Të bësh diesel apo benzinë me atë naftë të del më shtrenjtë se ta marrësh në fund të botës. Ne naftë nuk kemi”.

Pavarësisht deklaratave të kryeministrit Edi Rama se protestat janë një turp për Shqipërinë dhe dëmtojnë qëndrimin e saj në arenën ndërkombëtare në lidhje me luftën në Ukrainë, duke i pëlqyer sipas tij vetëm Rusisë, qytetarët protestues kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen.

Pas nisjes së protestave për rritjen e çmimit të naftës qeveria ka ngritur Bordin Kombëtar të Monitorimit të Karburanteve i cili vendos çmimin e karburanteve duke marrë si referencë çmimin që hidrokarburet do shiten në bursa një ditë më pare, protestat kanë vijuar edhe ditën e sotme në vend.

Vendimi i zbardhur në fletoren zyrtare përcakton qartë detyrat e Bordit të monitorimit të karburanteve. Në të theksohet se për përcaktimin e çmimit final, referencë  do të jetë çmimi i shpallur nga bursa në Platts i një dite më parë  ndërsa më pas do të shtohet një vlerë  prej 20 USD/ton dhe taksat e tatimet, sipas ligjit në fuqi. Ndryshe nga sa deklaroi kryeministri se çmimi do të miratohet çdo ditë në vendim përcaktohet se Bordi  cakton  çdo  javë  ose  kur  e  vlerëson  të nevojshme,  çmimin  tavan  për  shitjen e naftës , benzinën dhe gazin e lëngshëm.

/Pozitivi.org

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.