Ndërtoi pus për banorët e një fshati në Afrikë, 24 vjeçari shqiptar përcjell një mesazh të rëndësishëm
31/05/2019 Shpërndaje

Ndërtoi pus për banorët e një fshati në Afrikë, 24 vjeçari shqiptar përcjell një mesazh të rëndësishëm

Ylber Vatovci, është 24 vjeçari me origjinë shqiptare i cili u ka siguruar ujë të pijshëm rreth 250 banorëve të një fshati në Afrikën Perëndimore. Gjatë një interviste për pozitivi.org Ylberi rrëfen se kur mësoi gjendjen e banorëve të fshatit, të cilët bënin rreth 4 kilometra rrugë për të siguruar ujë të pijshëm, vendosi të ndërtojë një pus.

Ky nuk është rasti i parë që ai ndihmon njerëzit. Më herët ka dhuruar lodra dhe para në ndihmë të fëmijëve por me kalimin e kohës e kuptoi se ka më shumë rëndësi t’i ndihmojë njerëzit me diçka të qëndrueshme, sesa thjesht duke u dhuruar para.

Pasi ka kontaktuar me një mikun e tij që jeton në Togo, i ka dërguar para për të mbuluar shpenzimet e pusit. Pusi i ndërtuar do t’u shërbejë banorëve për një kohë të gjatë. Përreth pusit në shenjë falenderimi ata kanë shkruajtur emrin e Ylberit. Gjatë intervistës 24 vjeçari tregon më shumë për komentet e mira që ka marrë nga njerëzit dhe lumturia e banorëve në këtë fshat të Afrikës pas këtij gjesti fisnik nga ana e tij.

“Në këtë shekull që po jetojmë dikush vrapon pas lluksit, e dikujt i mungojnë gjërat elementare desha t’ju them të gjithëve kënaquni me atë që keni dhe ndihmoni ata që kanë nevojë, nese keni mundësi, të mirat që beni, kthehen gjithëherë, po në mënyra të ndryshme”, është një mesazh që ai dhuron për të gjithë njerëzit.

Problemi me ujin e pijshëm duket se është fenomen botëror. Mungesa e burimeve ujore në Afrikë vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar. Rritja e kërkesës për ujë për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë shton rreziqet për probleme të mëdha në të ardhmen. Kërkesa për ujë parashikohet të rritet me 35-45% në vitin 2035 në disa vende të Afrikës, prandaj edhe Ylberi i është bashkuar këtij misioni për të ndërtuar sa më shumë puse.

Intervista për pozitivi.org me Ylber Vatovci:

Së fundmi jeni njohur në mediet shqiptare për gjestin tuaj fisnik kundrejt banorëve të një fshati në Afrikë. Na tregoni diçka më shumë për këtë rast. Çfarë keni bërë konkretisht dhe si arritët tek ky fshat?

Unë kam ndihmuar disa herë njerëz që kanë pasur kushte të vështira. Në filim kam dërguar lekë, lodra tek fëmijët. Por pastaj vura re se lekët ndihmojnë vetëm për një moment, por jo përherë. Me kalimin e kohës, kisha dëshirë t’u dhuroja njerëzve diçka të qëndrueshme. Në të gjithë botën ka njerëz që kanë nevojë për ndihmë. Duke parë se në çfarë situate jetojnë njerëzit në Afrikë ku kanë nevojë për gjërat elementare të jetës, vendosa t’i ndihmojë ata kësaj radhe.

E kontaktova nje shok. Ai jeton në Afrikë dhe mbështet njerëzit atje me donacione nga jashtë. Ajo që më pëlqeu më së shumti ishte ajo qe ai tregonte se çfarë ndodh me donacionin, ku shkruante dhe dërgonte fotografi për çdo donacion. Ai jeton në Togo, dhe më tregonte se si njerëzit bëjnë deri në 4 Kilometra rrugë për të siguruar ujin e pijshëm. Kur ma dergoi një foto ku shiheshin njerëzit çfarë uji të papastër pinin.

E pyeta nëse ishte e mundur të ndërtohej një pus (bunar), dhe kështu filloi të krijohej ideja e pusit (bunar).

Ai me informoi për shpenzimet për të hapur një pus, ja dërgova 600€ dhe pas 2 muajsh pusi ishte gati. Ku me njoftoi përmes facebook me disa fotografi, ku shiheshin njerëzit se sa te lumtur ishin. Unë kam qenë i lumtur t’u jap njerëzve një pjesë të jetës atje, tua lehtësoj jetën e tyre te përditshme. Kam qen i befasuar kur kam parë emrin tim ne rrethin e pusit, edhe jam shumë i lumtur që lekët kanë shkuar në vendin e duhur.

Ky pus do t’u sigurojë njerëzve ujë për një kohë të gjatë, kështu që ata kanë një bazë dhe shumë më pak merak. Kjo është arsyeja pse shkrova: mendojmë shumë gjëra që dëshirojme dhe harrojmë shpejt atë që kemi. Vetëm për të kujtuar njerëzit që të jenë të lumtur me pak, dhe të fillojnë të vlerësojnë gjërat. Unë mendoj se kush mund të ndihmojë, duhet ta bëjë, kjo është për ne pak, por për ata që kanë nevojë është një dhuratë shumë e madhe. Kushdo që dëshiron të ndërtojë një pus, mund të më kontaktojë në çdo kohë në Facebook.

Keni marrë shumë komplimente, si jeni ndierë nga komentet? Na tregoni disa prej reagimeve që iu kanë bërë më shumë përshtypje

Unë jam ndjerë shumë mirë nga të gjitha komentet qe kam marrë. Nga kjo kam kuptuar se populli jonë, di mirë ti vlerësojë gjërat që kanë vlerë dhe rëndësi jetësore për njerëzimin. Ky ka qene edhe qëllimi im që e kam postuar ne facebook këtë gjest timin qe kam bërë. Në këtë shekull që po jetojmë dikush vrapon pas lluksit, e dikujt i mungojnë gjërat elementare desha t’ju them të gjithëve kënaquni me atë që keni dhe ndihmoni ata që kanë nevojë, nese keni mundësi, të mirat që beni, kthehen gjitheherë, po ne mënyra të ndryshme.

Na tregoni diçka më shumë për veten. Kush është Ylberi për të gjithë ata që s’të njohin?

Unë jam Ylber Vatovci 24 vjeçar, kam lindur dhe jetoj në Gjermani. (Stuttgart)- Vushtrri, kam mbaruar shkollën dhe gëzoj një punë shumë të mirë.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.