Moti/ Brenda 2026 do të regjistrohet viti më i nxehtë në histori
10/05/2022 Shpërndaje

Moti/ Brenda 2026 do të regjistrohet viti më i nxehtë në histori

Sipas organizatës metereologjike botërore, brenda 2026-ës do të regjistrohet viti më i nxehtë në histori duke kaluar rekordin e vendosur nga viti 2016.

Ka 93% mundësi që të paktën një vit mes 2022 dhe 2026 të bëhet më i nxehti që është regjistruar ndonjëherë duke nxjerrë nga podiumi vitin 2016. Me të njëjtën përqindje ekziston mundësia që mesatarja pesë vjecare për 2022 – 2026 të jetë më e lartë se ajo e pesë viteve të fundit. Të dhënat dalin nga përditësimi global klimatik i publikuar nga Organizata metereologjike botërore

Gjithashtu ka 50% mundësi që temperatura globale vjetore të arrijë përkohësisht 1.5 gradë mbi nivelin para industrial për të paktën një prej pesë viteve të ardhshme, dhe mundësia po rritet me kalimin e kohës. Mundësia për të kaluar përkohësisht 1.5 gradët, është rritur vazhdimisht nga viti 2015 kur ishte gati zero. Për vitet 2017 – 2021, kishte një mundësi për kalimin me 10%, e rritur deri në 50% për periudhën 2022 – 2026.

Studimi tregon se po i afrohemi ndjeshëm arritjes së përkohshme të një prej objektivave të marrëveshjes së Parisit mbi ndryshimet klimatike. 1.5 gradë nuk është një statistikë e rastësishme. Por është një tregues i pikës në të cilën impaktet klimatike do të bëhen gjithnjë e më të dhunshme për njerëzit dhe për të gjithë planetin.

Në vitin 2021, temperatura mesatare globale ishte 1.1 gradë mbi nivelin bazë para industrial. Deri sa të ketë emetime të gazit serë, temperaturat do të vazhdojnë të rriten. Oqeanet do të bëhen më të ngrohta, akujt do të shkrihen gjithnjë e më shumë dhe niveli i detit do të rritet duke bërë që klima të bëhet dhe më ekstreme.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.