“Mësuesja e Vitit 2017”, Majlinda Ziu tregon momentet e bukura dhe sfidat e profesionit
14/11/2017 Shpërndaje

“Mësuesja e Vitit 2017”, Majlinda Ziu tregon momentet e bukura dhe sfidat e profesionit

“ Si të mposhtësh modelet negative që e rrethojnë një adoleshent sot…”

Majlinda Ziu, është nderuar me çmimin “Mësuesja e Vitit për kontribute akademike në arritjet e nxënësve në shkollë”, për gjithë punën që ka bërë për 26 vite me rradhë në arsim. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Koalicionin për Arsimin e Fëmijëve kanë organizuar për herë të parë në Shqipëri Çmimin Kombëtar për Mësuesin e Vitit, këtë të premte. Në këtë aktivitet u nderuan me çmime të ndryshme 6 mësues ndër to dhe Majlinda Ziu.

Ziu gjatë një interviste për pozitivi.org tregon hapat që ka hedhur në karrierën e saj në arsim, duke nisur si mësuese në disa gjimnaze në qytete si Berati, Kuçova dhe Tirana, e ndërsa sot mes të tjerave falë përkushtimit e gjen veten si pedagoge. Çmimin si  “Mësuesja e Vitit për kontribute akademike në arritjet e nxënësve në shkollë”, e shikon si vlerësim në dy aspekte. “Së pari në aspektin personal, si një shpërblim moral dhe vlerësim motivues për punën shumëvjeçare. Së dyti në aspektin shoqëror, si një vëmendje e shtuar dhe e posaçme ndaj figurës së mësuesit”, tha Ziu për Pozitivin.

Në intervistën e plotë Ziu tregon më shumë për konkursin, vlerat e mësuesit dhe disa nga momentet më të bukura përgjatë karrierës. “Momentet kanë qenë të shumta, që nga kënaqësitë e vogla kur ke realizuar me sukses objektivat e vendosura për një orë mësimi apo për një projekt, e deri tek diplomimi i maturantëve. Do të veçoja madje ceremonitë e diplomimit të nxënësve, pasi ato nuk janë vetëm momente kënaqësie për nxënësit që kurorëzojnë përpjekjet e tyre gjatë viteve të gjimnazit, por edhe momente reflektimi e krenarie për mësuesit. Kuptohet që pas këtij momenti, nxënësit nuk kanë më marrëdhënie shkolle me mësuesit e tyre, por marrëdhënie njerëzore. Unë do ta konsideroja këtë moment edhe si ”momenti i së vërtetës”, pasi kupton se sa të kanë dashur dhe sa gjurmë ke lënë në formimin e tyre”, tha ndër të tjera mësuesja gjatë intervistës.

Profesionin e mësuesit sot në kushtet e realitetit shqiptar e konsideron një mision sa të bukur aq edhe të vështirë. “Është i bukur sepse punon gjithmonë me moshën e nxënësve, të cilët kanë pritshmëri të larta ndaj vetes, ndihen të motivuar dhe janë plot energji, dëshira dhe ëndrra për të nesërmen”. Por përveç rritjes profesionale, emocioneve dhe motivimit Ziu shprehet se në këtë profesion duhet të përballesh me shumë sfida: “ Punën e madhe që duhet të bëjë një mësues për të “mposhtur” klimën apo modelet negative që e rrethojnë një adoleshent sot. Punën e madhe për të promovuar modelet pozitive dhe për t’u mësuar nxënësve të tij që rezultatet e arritjet kërkojnë shumë mund dhe punë sistematike, ndërkohë që sot në realitetin shqiptar shpesh promovohen rrugët e lehta drejt përfitimeve…”, shtoi ajo.

Intervista e plotë me Majlinda Ziu për pozitivi.org:

Pozitivi: Ju jeni shpallur fituese e çmimit “Mësuesja e Vitit për kontribute akademike në arritjet e nxënësve në shkollë”. Si ndiheni me këtë vlerësim?

Majlinda Ziu: Në fakt këtë vlerësim e shoh në dy aspekte. Së pari në aspektin personal, si një shpërblim moral dhe vlerësim motivues për punën shumëvjeçare. Së dyti në aspektin shoqëror, si një vëmendje e shtuar dhe e posaçme ndaj figurës së mësuesit.

Pozitivi: Si u realizua ky konkurim?

Majlinda Ziu: Kjo sipërmarrje organizohej nga “Koalicioni për Arsimin në Shqipëri” së bashku me Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Filloi me fazën e aplikimit (kishte 150 aplikime) që zgjati disa muaj. Pas mbylljes së këtij afati, një juri e nderuar e përbërë nga anëtarë dinjitozë, me kontribute në fushën e arsimit por edhe të medias së shkruar, pasi vlerësoi gjithë dosjet shpalli 18 finalistë dhe midis tyre në vazhdim shpalli nga 1 fitues për 5 kategori te veçanta, si dhe çmimin e madh.

Pozitivi: Si do ta vlerësonit profesionin e mësuesit sot?

Majlinda Ziu: Në fakt, mësimdhënien do ta konsideroja më tepër një mision, megjithatë bën pjesë në profesionet e bukura dhe të vështira, sidomos në kushtet e realitetit shqiptar.

Është i bukur sepse punon gjithmonë me moshën e nxënësve, të cilët kanë pritshmëri të larta ndaj vetes, ndihen të motivuar dhe janë plot energji, dëshira dhe ëndrra për të nesërmen. Në këto kushte mësuesi/ja ndihet i përfshirë emocionalisht, rritet bashkë me ta profesionalisht, bëhet pjesë e këtij rrugëtimi dhe ndihet krenar për çdo arritje të tyre.

Nga ana tjetër, është edhe profesion i vështirë, pasi mësuesi/ja, sidomos në realitetin shqiptar përballet me shumë sfida. Ndër to mund të përmendja:

1.Punën e madhe që duhet të bëjë një mësues për të “mposhtur” klimën apo modelet negative që e rrethojnë një adoleshent sot. Në Shqipëri, përditë e më tepër nxënësit dhe shkolla “ushqehen” nga politika, mediat apo rrjetet sociale, me një fjalor të papërshtatshëm dhe gjuhë dhune, e cila ndikon negativisht në formimin e nxënësve.

2.Punën e madhe që duhet të bëjë një mësues për të promovuar modelet pozitive dhe për t’u mësuar nxënësve të tij që rezultatet e arritjet kërkojnë shumë mund dhe punë sistematike, ndërkohë që sot në realitetin shqiptar shpesh promovohen rrugët e lehta drejt përfitimeve…

3.Nevoja dhe domosdoshmëria gjithnjë në rritje, që mësuesi të jetë koherent me zhvillimin e teknologjisë dhe përdorimin efikas të saj në procesin mësimor. Teknologjia ecën gjithmonë me hapa të shpejtë dhe kjo moshë është e para që e përqafon, duke bërë kështu të nevojshme që mësuesi të ecë po ashtu me hapin e kohës në mënyre që të jetë cilësor dhe në lartësinë e duhur në ushtrimin e profesionit të tij.

4.Pozicioni i vështirë që ka mësuesi në përballje me realitetin e sotëm të marrëdhënieve prind-fëmijë. Ka prindër, të cilët për shkak të impenjimeve apo pamundësisë për të krijuar raporte të mira me fëmijët e tyre adoleshentë, i kanë të panjohura ndjesitë, pasiguritë, dështimet apo dëshirat e fëmijëve të tyre. E në këto kushte, si zgjidhje për to shihet vetëm shkolla dhe mësuesi…

Pozitivi: Ju, aktualisht jepni mësim edhe në fakultet, si pedagoge e jashtme. Si mendoni, a është e njëjta gjë me mësimdhënien në gjimnaz?

Majlinda Ziu: Të dyja fushat kanë të njëjtin qëllim, vetëm se qasjet janë të ndryshme. Puna në fakultet ka nevojë për një përgatitje më specifike e voluminoze shkencore dhe hulumtuese. Studentët janë në moshën që marrin përgjegjësi dhe janë më të pavarur në punën e tyre. Ndërkohë në gjimnaz, siç e përmenda edhe më sipër, ka më shumë punë të dedikuar, pra jo vetëm në drejtim të procesit mësimor, por edhe në aspektin edukativ.

Pozitivi: Cilat kanë qenë disa nga momentet më të bukura në karrierën tuaj?

Majlinda Ziu: Ashtu siç ka momente të vështira, ka dhe shumë momente të bukura. Nuk ka një episod të vetëm që unë mund ta veçoj përgjatë karrierës sime 26-vjeçare në arsim. Momentet kanë qenë të shumta, që nga kënaqësitë e vogla kur ke realizuar me sukses objektivat e vendosura për një orë mësimi apo për një projekt, e deri tek diplomimi i maturantëve. Do të veçoja madje ceremonitë e diplomimit të nxënësve, pasi ato nuk janë vetëm momente kënaqësie për nxënësit që kurorëzojnë përpjekjet e tyre gjatë viteve të gjimnazit, por edhe momente reflektimi e krenarie për mësuesit.

Kuptohet që pas këtij momenti, nxënësit nuk kanë më marrëdhënie shkolle me mësuesit e tyre, por marrëdhënie njerëzore. Unë do ta konsideroja këtë moment edhe si ”momenti i së vërtetës”, pasi kupton se sa të kanë dashur dhe sa gjurmë ke lënë në formimin e tyre. Dhe, kur ata vazhdojnë të ruajnë po të njëjtin respekt, kthehen tek ty falenderues e si miq të mirë, madje kërkojnë edhe referenca për konkurrimet e tyre të mëtejshme, s’ka kënaqësi më të madhe, mendoj unë.

Pozitivi: Keni një mesazh për mësuesit e ditëve të sotme? Cili është roli që duhet të ketë mësuesi, sipas jush?

Majlinda Ziu: Ndoshta do të theksoja gjëra që unë vetë i kam mësuar nga mësuesit e mi, se çelësi i suksesit është ta duash e t’i përkushtohesh profesionit, të jesh gjithmonë në kërkim të arritjeve e standardeve më të mira të mësimdhënies dhe, mbi të gjitha, të kesh besim, t’i duash dhe t’i motivosh përherë nxënësit e tu.

Karriera e Ziut në arsim.

Majlinda Ziu: Jam diplomuar në vitin 1991 si mësuese në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, Dega Gjeografi. Në vitin 2006, kam përfunduar studimet pasuniversitare pranë Katedrës së Gjeografisë, në Fakultetin Histori-Filologji, Universiteti Tiranë, duke marrë Gradën Master në Gjeografi Humane. Po pranë kësaj katedre, në vitin 2014, kam mbrojtur Gradën Doktor.

Kam një eksperiencë 26-vjeçare në arsim, si mësuese në disa gjimnaze (në qytetet Berat, Kuçovë dhe Tiranë). Për disa vite kam qenë edhe specialiste e lëndëve Histori & Gjeografi pranë DAR, Berat. Aktualisht edhe si pedagoge në universitet.

Që prej vitit 2002 e deri aktualisht, jam mësuese në gjimnazin “Sami Frashëri” Tiranë, ku prej vitit 2007 e në vazhdim edhe shefe e Departamentit të Histori-Gjeografisë.

Nga marsi i vitit 2006 e në vazhdim, për disa vite, kam qenë bashkautore në hartimin e programit të Gjeografisë për Maturën Shtetërore, anëtare e grupit të punës për hartimin e fondit të pyetjeve në lëndën Gjeografi për Maturën Shtetërore, si dhe përzgjedhëse e tezës në këtë lëndë. Gjithashtu për disa vite, kam qenë bashkëpunëtore në hartimin e fondit të pyetjeve dhe korrigjimin e tezës për kualifikimin e mësuesve, bashkautore në hartimin e kurrikulës së re (standarde dhe programe) në lëndën e gjeografisë për gjimnazin dhe anëtare e grupit lëndor për rishikimin e hartimin e kurrikulës së arsimit të detyruar, për lëndën e Gjeografisë (në periudhën 2011–2012).

Kam një sërë pjesëmarrjesh me kumtesa si autore dhe bashkautore në disa konferenca shkencore (kombëtare dhe ndërkombëtare).

Nga viti 2008 e në vazhdim, jam bashkautore në disa udhëzues kurrikular të  IZHA-s dhe autore/bashkautore e disa teksteve shkollore të gjeografisë nga klasa e gjashtë (të Arsimit të Mesëm të Ulët) deri në klasën e 12-të (të Arsimit të Mesëm të Lartë).

Nga Beklie Koltraka

© 2017 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.