A do zgjidhen/ Pallatet e vjetra në Tiranën moderne
07/02/2019 Shpërndaje

A do zgjidhen/ Pallatet e vjetra në Tiranën moderne

Pallatet e vjetra në njësinë 10 në Tiranë po shfaqin probleme në jetesë për familjet si pasojë e lagështirës dhe kushteve të këqija në të cilat ndodhen.

Në këto pallate e ka bërë më të vështirë orientimin e këtij problemi, moszgjidhja e administratorëve. Administratorët e pallateve janë të vetmit që mund të aplikojnë në Bashkinë ë Tiranës për të përfituar nga Fondi i Komunitetit. Pallati 3 dhe 5 në rrugën e Kavajës janë pa administrator.

Në Tiranë numërohen disa pallate të vjetra në të cilat ka dështuar zgjedhja e administratorit, dhe kjo mban peng mbarëvajtjen e punëve në komunitet. Z Pranvera Mataj e cila jeton në një nga pallatet e vjetra të njësisë 10, është një nga banoret që ngre këtë shqetësim. Për QKSCSH ajo shprehet se: “Problem janë tarracat në pallatin 3 dhe 5 sepse u është prishur muri. Këto pallate të vjetra janë me 5 kate. Më problem është kati i fundit. Problem janë edhe fasadat sepse ka rënë suvaja dhe muri”.

E nevojshmë është të përfshihet në projekt-buxhetin e 2019 sistemimi i fasadave të pallateve te rruga e Durrësit dhe Kavajës. Këto pallate ka më shumë se 50 vite që janë ndërtuar. Kanë nevojë për ndërhyrje, përndryshe shumë shpejt mund të bëhen të pabanueshme. Lagështira dhe myku i krijuar prej saj, ka rrethuar edhe muret e shkallëve. Papastërtia është e madhe sepse bie suvaja herë pas here dhe nuk ka njeri që t’i pastrojë, thonë banoret. Kjo jo vetëm që e bën më të vështirë çdo ditë për ta, por rrezikon edhe jetën e tyre.

Këtë e pohon edhe Lindita, banuese në pallatin 5. “Pallati yne ka 20 familje dhe 70% kanë lagështirë. Katet e sipërme kanë lagështirë nga tarraca dhe me sa di unë një djalë i vogël në katin e 5 ka probleme me frymëmarrjen. Sigurisht që lagështira ka ndikuar. Është rrezik për përkeqësim të shëndetit, ne mundohemi të jemi sa më të kujdesshëm”, thotë ajo. Në disa apartamente, banesa i është shkatërruar prej lagështirës, thotë një tjetër zonjë: “Unë jam në katin e 5 dhe kam problem fuqitë lart. Të vish të shikosh pallatin s’e beson se jemi në mes të Tiranës. Gjendjen në të cilën jam unë sdo ta besoni. Tualeti dhe dhoma e gjumit janë të shkatërruara”.

Sipas studimeve qëndrimi në ambiente në të cilat ka myk mund të ndikojnë në shëndetin e njerëzve. Disa nga simptomat janë ethet, gripi, lodhja, disfunksioni respirator, gjakrrjedhja e herëpashershme nga hundët, marramendja, dhembja e kokës, vjellja, diarreja, madje edhe dëmtimi i mëlçisë etj.

Në njësinë 10 ka një numër të lartë lokalesh dhe restorantesh. Por jo vetëm kaq. Të shumtë janë edhe ambulantët që shesin produkte të ndryshme në fillim të rrugës së Kavajës, duke bllokuar trotuarin. Zhurmat e shkaktuara nga shitësit ambulantë dhe lokalet aty pranë janë tepër shqetësuese për anorët. “Te pallati im problem është një aspirator që ka vendosur një restorant, aty afër lulishtes. Të lë pa gjumë fare. Nuk fle dot aty. U kam thënë disa herë dhe nuk marrin vesh. Jam ankuar, por nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk flemë dot. Na kanë prishur qetësinë. Këtu problematikë janë edhe shitësit ambulantë. Rruga është e mbushur plot, mezi të lënë të kalosh. Kjo gjendje është bërë e padurueshme në mes të qytetit, sepse vazhdon kështu prej kohësh”, shton qytetarja e rradhës.

Shqetësuese për banorët e njësisë 10 është edhe parkimi i automjeteve pranë rrugëve të lagjeve. Kjo sjell pengesë në kalimin e mjeteve në lëvizje dhe të banorëve të zonës. Edhe pastrimi i rrugëve bëhet më me vështirësi. Pranvera e cilëson si një problem që duhet të zgjidhet duke shtuar hapësira parkimesh pa pagesë. “Edhe parkingjet janë shumë problem në këtë njësi, këtu kush nuk na vjen. Ca të huaj s’kanë të drejtë të vijnë, por ata parkojnë aty dhe na zënë shkallën, e ne banorët s’kemi as ku të kalojmë. Ata s’kanë të drejtë fare të vijnë dhe të parkojnë këtu te pallati jonë. Duhet të shtohen hapësirat e parkimit dhe të ndalohen para pallateve për familje që nuk banojnë aty”, thotë Pranvera, banuese në këtë njësi prej më shumë se 30 vite.

Mes shqetësimeve dhe kërkesave të banorëve të njësisë 10 janë: largimi i shitësve ambulantë pranë postës shqiptare. Stolat e bashkisë janë pushtuar nga të huajt nga mëngjesi deri në darkë të cilët nga zona të tjera ku banojnë shkojnë të luajnë domino. Ndriçimi mungon në disa rrugë thotë kryeplaku Xhevdet Qorraj. Këtu përmend bllokun Shallvar. Kërkohen gjithashtu investime në disa blloqe rrugësh dhe në shkolla.

Pas evidentimit të problematikave nga banorët vëmë re se ka akoma shumë për të bërë në këtë njësi. Redaksia jonë jo vetëm do të ngrejë shqetësimet e qytetarëve, por do të ndjekë se sa prej tyre do të marrin zgjidhje.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.