Mësuesja Drita Topjana u bënë thirrje prindërve: Mbani ditar për fëmijën tuaj, është i rëndësishëm!
27/12/2019 Shpërndaje

Mësuesja Drita Topjana u bënë thirrje prindërve: Mbani ditar për fëmijën tuaj, është i rëndësishëm!

Një sugjerim mjaft interesant ka ardhur nga një mësuese e cila ka shumë vite eksperiencë në edukimin e të vegjëlve. Drita Topjana thotë se edhe prindërit duhet të mbajnë ditar për fëmijët e tyre. Arsyet i gjeni më poshtë!

Të nderuar prindër!

                                                Ju ftoj të bëni diçka të bukur dhe ndryshe!

Mbase disa prej jush e praktikojnë, por për ata që akoma nuk mbajnë një ditar dhe i kanë fëmijët për herë të parë në klasën e parë, do të ishte e rëndësishme që ju si prindërit ta shihni me rëndësi këtë gjë . 

Gjatë praktikës shkollore dhe punës time si mësuese, m`u kërkua drejtpërdrejt nga një nxënës i klasës së katërt diçka e cila më “sfidoi”. Ai më tha: “Mësuese meqë po na kërkon ne diçka të bukur që ta mbash mend, bëje ti, diçka të bukur ndryshe që ta mbajmë mend ne!”. Që nga ajo ditë vendosa që asnjë nga mesazhet e fëmijëve/nxënësve të mos i humbas, por t`i shkruaj në një ditar. Pse jo, mbi një titull libri do të jetë në thonjëza fjalia e atij nxënësi, si dhe një pjesë e skicave dhe eseve të mia kanë si tituj fjalitë e tyre, për shembull: “Shqipëria ka nevojë për respekt, jo për zhurmë”, “Ku e ka shtëpinë Zoti”, “Pse ka luftë atje”, “Pse ka të varfër”, “S`ka rëndësi e re apo e vjetër”, “Modeloni veten njëherë, pastaj merruni me fëmijët”, “Kam dëshirë të bëhem bari njerëzish, jo bari kafshësh”, “Falënderoj Zotin për gjithçka të re që mësoj”, “Mësuesja ime ka një klasë të çmendur”, “S`ke të drejtë të bësh zhurmë në klasë” e të tjera, mesazhe si këto, që as vetë fëmijët nganjëherë s`e dinë, as nuk e  kuptojnë se çfarë duan të thonë, por që ne të rriturit e dimë shumë mirë që fëmijët janë engjëjt në tokë dhe falë tyre, Zoti na ruan dhe na mbron akoma nga çdo fatkeqësi. 

Prandaj prindër ju kërkoj që të mbani ditar për fëmijët tuaj që nga klasa e parë me të gjitha mendimet që ata japin, si negative ashtu dhe pozitive, sepse në një farë mënyre ata përcjellin mesazhe, për dashurinë apo urrejtjen ndaj shkollës, për mësuesit, për sjelljet e shokëve/shoqeve etj.     

Njëkohësisht i nxisni drejt leximit të librave jashtëshkollorë dhe shkrimit, ku letërsia është një botë e pasur më vete, ku njeriu gjen paqen dhe qetësinë shpirtërore, aty njeh dijen e vërtetë. Dija nuk janë vetëm librat shkollorë, dija janë librat jashtëshkollorë. Shkolla është fillimi i dijes, bazat, orientimi, shkolla është detyrë që duhet të niset dhe të mbarohet me sukses. Kujtoni që mësuesi i parë i fëmijës është prindi/mami. 

Theksojmë se nuk ka rëndësi nota, por ka rëndësi dija. Duke ditur se jo të gjithë mësojnë në të njëjtën kohë, ditë apo çast, dhe fëmijët mësojnë në mënyra të ndryshme, në forma të ndryshme dhe gjithçka varet nga mjedisi që e rrethon. Këtë ditar çdo fundvit nga klasa parë deri nëtë pestën duhet t`ia dorëzoni mësuesit kujdestar, pasi ai ka parasysh, karakteristikat dhe prirjet e fëmijëve, në të njëjtën kohë e përpunon më shumë mesazhin.  Në klasën e gjashtë fëmijët do të jenë në gjendje ta mbajnë vetë këtë ditar në mënyrë sistematike (90% e tyre). Kuptohet nëse ua kërkon mësuesja, por pa u kërkuar llogari dhe pa u dhënë porosi, sepse në këtë formë fëmiëjt  do ta marrin si detyrë plus. Le të quhet libri i radhës “Engjëlli im, quhet …” .

Para një viti, nxënësit e disa shkollave u motivuan nga një shtëpi botuese për të krijuar poezi dhe ese dhe me to do të krijojnë një libër të përbashkët për fëmijët. 

-Genti tani je në klasë të pestë, duhet të mbash të gjitha detyrat interesante në një fletore të veçantë si tip ditari. 

-Mirë mami, sot kisha një detyrë shumë të bukur na e dha mësuesja: “Shkruaj tre këshilla për mësuesit dhe tre këshilla për prindërit”.T`i shikoj/lexoj pak mami.

-Po urdhëro! 

-Për mësuesit:

1. Mësuesit duhet të jenë më të qetë. 

2. Mësuesit duhet të jenë më të dashur.

3. Mësuesit duhet të jenë më tolerantë.

-Shumë bukur i ke shkruar Genti, por të gjitha këto cilësi, qetësinë, dashurinë dhe tolerancën mësuesit ja mundëson sjellja juaj në klasë. 

-Për prindërit:

Duhet të kalojnë më shumë kohë me fëmijët.

Duhet t`i edukojnë më shumë rreth sjelljes në shkollë.

Duhet t`i ndihmojnë vetë, me detyrat e shtëpisë, jo t`i kalojnë nga shkolla në shkollë.

-Dhe këtu ke të drejtë Genti, “Katër orë mësimi janë shumë dhe për mësuesit jo më për nxënësit”, – thotë babai i didaktikës Komenski. 

-Mami kjo poezia që krijuam dje më pëlqeu, mbaje. 

-Jo mbaje vetë tani je i rritur.

-Mbaje te ditari yt. Në rregull, e rishkruaj më vonë. Rishkruaje dhe poezinë e klasës së katërt, me titull “Ylli”. A të kujtohet, apo e ke humbur?

Ylli   

Sa i bukur ylli!

Atje lart në qiellin blu.

Me mijëra e mijëra shokë.

Universin e patrullojnë. 

-Pra yjet qenkan engjëjt që na ruajnë ne. 

-Po mami, ata janë ushtria, që na mbrojnë.

Libri flet shqip

Kur hap faqet dhe shfleton,

vargu i poetit po dëshmon,

shkurt e saktë, bukur dhe shqip,

çfarë do më? – o njeri.

Lexo pafund, arsyeto vërtetë,

libri shpirtin e shëron vetë,

edhe gjallë edhe përmallë,

shqipe ti ke me ja dalë.

I thotë shqipes plot ngashërim,

pse po ik nga vendi im?

Çfarë kërkon atje matanë?

Këtu familjen e ke pranë.

“Për të gjetur gjëra të reja, shumë shkojnë larg dhe nuk gjejnë asgjë, kërkoni rreth vetes por me kujdes dhe  patjetër do të gjeni diçka të re dhe interesante”- Isak Iliç Leviton peisazhisht rus. Përgatiti, Drita Topjana, mësuese e Arsimit Fillor /Portali shkollor/

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.