LEXIMI “DHURATA” QË I BËNI TË ARDHMES TUAJ, NXITJE E MENDIMIT KRITIK ME GJIMNAZISTËT E KAMZËS
“Bujaria e vërtetë ndaj së ardhmes qëndron në dhënien e gjithçkaje për të tashmen.” Me këtë thënie të shkrimtarit të madh francez, Albert Kamy nisi takimi me gjimnazistë të shkollës “Sulejman Elezi” në Kamzë.
Takimi i katërt i nismës “Europa përmes Letërsisë” u përqendrua te letërsia franceze, jo pa qëllim, pasi Franca mbajti gjatë pjesës së parë të vitit 2022, presidencës e radhës së Bashkimit Europian si dhe u angazhua me disa propozime e nisma konkrete për të gjetur zgjidhje për disa çështje, që ende mbajë peng afrimin e Ballkanit me familjen e madhe europiane.
Të flasësh për Letërsinë nuk është asnjëherë e lehtë, sepse në morinë e librave dhe shkrimtarëve duhet të zgjedhësh të duhurit për të zgjuar interesin e të rinjve, për t’i nxitur ata që jo thjesht të lexojnë, por të mendojnë mbi atë që lexojnë.
Nxënësit e dhënë pas leximit në këtë shkollë shprehën interes që biseda të përqendrohej pikërisht tek shkrimtari, me thënien e të cilit nisi takimi, Albert Kamy.
Moderatori i aktivitetit, Renaldo Salianji nisi diskutimin pikërisht me thënien me të cilën u hap takimi.
“Të japësh gjithçka për të tashmen, për mua përfshin pikë së pari leximin. Në këtë mënyrë tregoheni bujarë me të ardhmen, sepse do të thoja çdo libër i lexuar është një dhuratë për secilin prej nesh. Është si një dritare më shumë për të parë botën, për të shikuar përmes saj horizonte të reja, për ta njohur botën më mirë. Dhe kjo padyshim i kontribuon një rinie më të përgatitur, më të aftë jo vetëm për ta njohur realitetin, por edhe për ta përballuar atë”-tha ai.
Shkrimtari Liridon Mulaj, duke folur për librin “I huaji” i Albert Kamysë tha se vepra e tij është e bazuar te “filozofia e absurdit dhe ekzistencializmit”, edhe pse vetë Kamy personalisht e ka refuzuar këtë etiketim.
“Kamy thotë se një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfim. Në fakt çdo libër është një rrëfim, që mbart sigurisht elementë nga jeta e shkrimtarit. Sado që heroi i tij, në këtë rast, Merso, është heroi absurd, nuk mbetet deri këtu. Kamy është mbi të gjitha shkrimtar i revoltës. Ai thotë se revolta vazhdimisht përplaset me të keqen, ndërsa arti dhe revolta do të vdesin vetëm kur të vdesë njeriu i fundit. Arti i tij, por mendoj se i kujtdo është protestë ndaj realitetit.”-tha shkrimtari Liridion Mulaj në këtë takim.
Shkrimtari tha se “I huaji” është libri të cilitiI është rikthyer dhe rilexuar më shumë, dhe që ka patur ndikim të madh tek ai dhe letërsia e tij, aq sa i duket se Merso, heroi i librit në një farë mënyre i “perndjek” personazhet e tij.
Disa nga nxënësit e pranishëm në takim thanë se ky ishte një këndvështrim tjetër për ta parë këtë vepër, për efektin që jep mendimi mbi këtë libër, refleksionet mbi të, për të shtyrë lexuesin jo domosdoshmërisht drejt revoltës, por drejt reagimit, gjithpërfshirjes. Ata thanë se ashtu sikurse kjo vepër nxit, kanë nevojë të reagojnë dhe të ngrenë zërin, që vendi I tyre të jetë më i mirë, të japë më shumë shpresë për të rinjtë dhe gjithë qytetarët.
Albert Kamy është vlerësuar me çmimin “Nobel” në moshën 44 vjeçare, ndërsa romani I tij “I huaji” është konsideruar si një nga romanet më të rëndësishme të letërsisë francize të shekullit XX-të. Ai thoshte se lumturia nuk është gjë tjetër përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën.
Ky ishte takimi i katërt në kuadër të nismës “Europa përmes Letërsisë”, një takim që u fokusua tek nxitja e mendimit kritik te nxënësit, që është një nga synimet e projektit që zbatohet në disa prej gjimnazeve të Kamzës dhe që do të reflektohet përmes eseve që gjimnazistët do të përgatisin. Ky aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana
© 2022 – 2023, Pozitivi. All rights reserved.
