21/01/2023 Shpërndaje

EMIGRIMI DJE DHE SOT…PO NESËR? RRËFIMET E PERSONAZHEVE QË RININË E TYRE E PËRJETUAN NË VITET E TRANZICIONIT SHQIPTAR.

Të rrish në Shqipëri apo të emigrosh, kjo është çështja! Me këtë dilemë po jetojnë breza të tërë të rinjsh shqiptarë. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për ata që nuk kanë një punë e një të ardhur, por edhe për pjesën tjetër që kanë zanate të mira, por ndjehen të parealizuar në vendin e tyre. Po përse emigrojnë të rinjtë shqiptarë? Çfarë i shtyn ata të largohen nga vendi i tyre?

Për punonjësen sociale Dorina Hoxha ikjet e para masive ishin të detyruara nga rrethanat e momentit të ndërrimit të sistemeve. Gjithë ai kufizim, ndrydhje, mungesë e theksuar lirie, zgjedhjesh etj, u përkthye në mijëra të rinj me dhe pa familje që ikën rrugëve të Evropës për një jetë më të mirë.

“Shumë të rinj u larguan se nuk e shihnin këtë përparësi për ditë më të mira. Ky brez ishte edhe brezi më i djegur i të rinjve që kërkonin përparimin social kulturor të tyre dhe të shoqërisë. U përjashtuan dhe nuk e gjetën dot veten aty ku donin. Ajo kohë jo vetëm i kufizioi por i bëri të mos i gëzojnë as në ditët e tjera. Trauma që kaloi vendi ynë ua preu ëndrrat në mes.”

Ne kemi intervistuar dy të rinj, të cilët vendosën të rrinë në Shqipëri. Një prej tyre nga Tirana me mundësi të mira jetese dhe pune dhe tjetra një vajzë që vjen nga Berati për të prekur jetën e kryeqytetit. Rozeta Pisku është një gazetare 35 vjeçare e martuar me një djalë nga Librazhdi edhe ai në profesionin e gazetarit. Të dy së bashku lanë Elbasanin ku kishin ndjekur universitetin dhe shkuan fillimisht në Durrës për të filluar punë në profesion.

“Kur mbaruam shkollën e vetmja mundësi të nisnim punë gazetar ishte Tirana. Ky qytet ishte ai që të ofronte atë që ne donim por se arrinimi dot. Kështu që provuam në Durrës fillimisht. Kaluam nga një derë në një tjetër, i kërkuam një të njohuri të na ndihmonte por as ai nuk na bëri punë. Një ditë të bukur erdhëm në Tiranë. Unë nisa në një gazetë, gazeta “Telegraf”. Bashkëshorti nisi në një lloto sport në pozicionin e personit që vë bastet. E kemi pasur shumë të vështirë. Për ne që vijmë nga rrethet ka qenë e vështirë në cdo drejtim që mund ta marrësh. Me lindjen e gocës e kemi pasur të vështirë se nuk kishim kush të na ndihmonte. Por edhe jetesa është e vështirë. Familjet na kanë ndihmuar po nuk e përballojmë dot as kështu.”

Për Arben Tenollin, një shef kuzhine lindur e rritur në Tiranë, në një familje të vjetër kryeqytetase, jetesa ka pasur ngjyrime më të thjeshta. Ndoshta edhe pëër shkak të mundësive të trashëguara nga familja e tij.

“Kam qenë me punë të mirë që në diktaturë. Kam mbaruar shkollën e kuzhinës dhe tani jam shef kuzhine. Punoj edhe si pedagog në një shkollë private. Kemi qenë në gjendje të mirë ekonomike, ndaj edhe s`kemi pasur nevojë të emigrojmë. Prindërit na kanë lënë prona. Por edhe unë me punën time kam arritur të siguroj të ardhura të mira.”

Po a kanë menduar ndonjëherë emigracionin si zgjidhje personazhet tanë?

“Unë jam rritur me një baba emigrant, por ai nuk ishte dakord që të shkoja andej. Kur u bëra me fëmijë e ndjeva të nevojshme per të ikur nga vendi. Momenti që më solli këtë bindje ishte momenti kur mu sëmur vajza dhe shkova në urgjencën pediatrike në QSUT. M`u desh të prisja radhën sepse para kisha 54 fëmijë dhe ishte ora 2 e natës. Mezi erdhi infermierja dhe i bënë vetëm serum vajzës në një kohë që ajo kishte një alergji që mund ti rrezikonte jetën. Këtë mjekët e kuptuan vetëm pas një jave” – thekson Rozeta.

“E çuditshmja është që të rinjtë duan të ikin jashtë. Por unë i bëj propogandë të rrinë këtu. Sepse disa profesione kanë punë si psh ato që lidhen me kuzhinën. Iu them të rrinë në vendin e vet të rrisin standardin” – pohon Tenolli.

Në analizën sociale, ekspertet pohojnë se arsyeja pse të rinjtë po lënë vendin e tyre në kohët e sotme është papërputhshmëria që ndjejnë me shoqërinë këtu.

“Sot shumë të rinj po largohen nga Shqipëria se nuk e shohin veten në këtë shoqëri në vendin e tyre. Të rinjtë janë brezi i mundësive e për ti mbajtur këtu duhet t`u ofrohet hapësira. Në momentin kur këtë se gjejnë as në institucionet publike as në shoqëri ata përpiqen që vitet e tyre ti kalojnë në një vend tjeter” – thekson Dorina punonjësja sociale.

Gjithsesi duket se në këto kushte është kthyer në domosdoshmëri një strategji e re për të mbajtur të rinjtë në vendin e tyre.  

“Ky projekt/aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.”

#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.