Zbulohet ishulli në Kavajë që po “çmend” të huajt, zonë e ndaluar për shqiptarët
11/08/2017 Shpërndaje

Zbulohet ishulli në Kavajë që po “çmend” të huajt, zonë e ndaluar për shqiptarët

Mbase s’do ta besoni që ndodhet në Shqipëri për faktin se nuk keni shkelur ende në këtë mrekulli. “Kamping pa emër”, kështu ka vendosur ta quajë familja nga Kavaja këtë perlë natyrore e cila krahasohet me ishujt më mbreslënës në botë. Nuk ndodhet në Valbonë, as në Koman, as Vlorë por në Karpet të Kavajës.

“Kampingu Pa Emër” është një kamping familjar. Ndodhet pranë detit, në mes të natyrës, i rrethuar me shumë gjelbërim dhe pyje. Pranë kampit ndodhet një moçal, të cilin pushuesit dhe unë që e kam parë nga afër preferoj ta quaj ishull, pamja mahnitëse e të cilit të qetëson shpirtin, shkruan pozitivi.org. Ishulli i bërë nga një platformë druri dhe çadra dielli prej kashtësh është i rezervuar vetëm për të huajt, për shqiptarët është një zonë e ndaluar.

Karpen ndodhet pak kilometra larg Kavajës. Për të mbërritur aty duhen reth 30 minuta. Rruga deri në destinacion nuk është në gjendje të mirë por duhet të përdorësh makinë personale. Ajo që e bën këtë vend edhe më të veçantë e të mrekullueshëm është natyra e virgjër dhe uji i pastër, shkruan pozitivi.org. Karpet është një vend ku popullsia merret më shumë me bujqësi dhe peshkim, ndërsa kjo familje e ka kthyer në një zonë aq të dëshiruar për të huajt. Siç duket shqiptarët duhet të vazhdojnë ta shijojnë vetëm duke e parë, sepse pronarët e kësaj pike turistike e kanë vendosur njëherë e mirë që shqiptarët të qëndrojnë larg kësaj bukurie të vendit amë.

Disa prej fotove të mëposhtme të ishullit, janë shkrepur nga një çift shqiptar, të drejtuar në këtë kamping për të realizuar një klip martesor. Ata tregojnë se shkuan në këtë ishull të ndërtuar, pa e ditur se nuk lejohen shqiptarët. Tashmë që kanë e kanë parë nga afër, dëshirojnë shumë të prenotojnë aty, pse jo për të kaluar disa ditë pas dasmës, por e kanë të pamundur. Pronarët e kësaj zone nuk i duan shqiptarët në këtë ishull turistik për shkak se i quajnë të papërgjegjshëm, ndryshe nga të huajt.

“ E kishim parë si vend dhe na pëlqeu shumë për të bërë një klip dasme. Mbërritën aty dhe takuam pronarët. Iu treguan që duam të bëjmë një klip. Pronar i kësaj mrekullie ishte një familje, të cilët edhe punonin në lokalin dhe shërbimet që ofroheshin. Ne nuk e dinim që ishte vetëm për të huajt, por na lejuan që ta bënim klipin meqë kishim shkuar”, shprehet 24 vjeçarja gjatë një prononcimi për pozitivi.org.

E veçanta e këtij vendi turistik është akomodimi. Disa turistë kanë shkuar me rulotat e tyre, duke i vendosur shumë afër detit. Ka nga ata që preferojnë të marrin shtëpitë e drurit me qera, të cilat janë pjesë e kampingut. Impresionuese për turistët është ishulli që të çon në mes të detit, brenda të cilit është një bar i vogël, raporton pozitivi.org. Çdo gjë është e bërë nga materiale ekologjike. Është një vend shumë i qetë, ku mund të dëgjosh vetëm zhurmën e detit. Është një parajsë e vogël në tokë.

Koha rrjedh por asgjë nuk ka ndryshuar në këtë ishull mbreslënës, që po “çmend” të huajt. Në dimër është një vend i shkretë ndërsa në verë gumëzhin nga turistët e huaj. Natyra është treguar zemërgjerë me këtë zonë, të paktën me këtë ishull të veçantë e të fshehtë, duke i falur një bregdet të rrafshë, diku tutje ngenë krye disa kodra të gjera,shkruan pozitivi.org. Këtë parajsë të vendit tonë kanë fatin ta shijojnë të huajt ndërsa ne duhet të kënaqemi me mrekullitë e tjera të Shqipërisë të cilat janë të pafundme./Pozitivi.org/


VIDEO

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.