Gra të suksesshme- Kush është e para gjenerale në FA shqiptare
10/03/2022 Shpërndaje

Gra të suksesshme- Kush është e para gjenerale në FA shqiptare

Manushaqe Shehu ka hyrë në histori si e para femër që shërben si gjenerale në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gradimi i gjeneral brigade Manushaqe Shehut është bërë në 2016 në një ceremoni të veçantë në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Shehu tha se ky titull“do të thotë impenjim, përgjegjësi dhe mbi të gjitha përkushtim ndaj detyrës, përkushtim ndaj punës, ndaj atdheut.”

Ajo gjithashtu veçoi mbështetjen e familjes gjatë karrierës së saj, por edhe të vetë ish ministers së Mbrojtjes atëherë, Mimi Kodheli, për të cilën tha se vizioni dhe impenjimi i saj, bëri të mundur që të ndryshojë gjithë dimensionin e femrës në FA, dhe femrës ushtarake i dha vendin e saj në FA.

Shehu është titulluar oficere në vitin 1984 dhe në karrierën e saj të gjatë prej 32 vitesh në uniformë ka shërbyer në disa detyra dhe funksione. Ajo aktualisht shërben si komandante e Akademisë së Nënoficerëve “Thompson”.

Në fjalën e saj, ish ministrja Mimi Kodheli e konsideroi këtë, si një ditë historike për Forcat e Armatosura shqiptare dhe vlerësoi gjeneral brigade Manushaqe Shehu për kontributin e saj më shumë se 30-vjeçar në FA.

Kodheli vlerësoi gjithashtu gjithë ushtarakët shqiptarë, për të cilët shprehu bindjen se bashkë mund të arrijmë çdo synim. “Ne mund të arrijmë maja, targete të pamenduara të mundura më parë. E kam thënë që nuk do të largohesha nga ministër pa bërë një gjenerale grua, dhe në fakt ju e bëtë realitet këtë gjë më vlerësimin që i keni dhënë si komision.” –  iu drejtua ministrja ushtarakëve të lartë të pranishëm. “Kemi hapur një epokë, e cila nuk është më një tabu, nuk ka më kufij. Ne mund t’ia mbërrijmë t’i bëjmë bashkërisht të gjitha ashtu siç edhe mbërritëm bashkërisht të kemi në gjirin tonë një gjenerale grua. Sepse siç Shekspiri thoshte: ‘nuk ka gjëra të pamundura, ka vetëm njerëz të pazotë’,ne jemi ata të zotët që mund të mbërrijmë të pamundurën, të gjithë bashkë.” –  u shpreh ministrja Kodheli.

**Pozitivi do të risjellë vazhdimisht histori suksesi

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.