TË MARRËSH GUXIMIN TI TREGOSH BOTËS SE JE AI QË JE! RRËFIMI I TË RIUT QË PRANOI PUBLIKISHT HOMOSEKSUALITETIN E TIJ.
25/11/2022 Shpërndaje

TË MARRËSH GUXIMIN TI TREGOSH BOTËS SE JE AI QË JE! RRËFIMI I TË RIUT QË PRANOI PUBLIKISHT HOMOSEKSUALITETIN E TIJ.

Ai është “dora” pas blog-ut “Historia ime”. E nisi fillimisht me historinë e jetës së tij, ku rrëfeu homoseksualitetin që e kishte zbuluar hershëm tek vetja. Edliri është 23 vjeç dhe hyn në ata persona që nuk ngurrojën të tregojnë të vërtetën edhe kur ajo është pak më ndryshe se rrjedha e të zakonshmes. Në këtë intervistë për pozitivi.org, i riu na tregon se si gjeti kurajon ti tregonte familjes së tij, se ishte gay.

“Historia ime ka nisur përpara 5 vitesh. Isha ulur në një nga lulishtet e Tiranës me njërën nga motrat e mia. Pasi e fshihja prej kohësh, ajo ka qenë e para së cilës i jam rrëfyer. Kur i thashë që isha homoseksual ajo m`u përgjigj: Kushedi se ca do më thoje, unë e dija! Nuk e kisha pritur këtë reagim”.

Sprovën e dytë Edliri e kishte me të atin. Motrat ishin të reja në moshë dhe mund ta pranonin më lehtë këtë zgjedhje të tij, por me moshën e babait ndryshonte puna. Prindërit janë gjithmonë më skeptikë edhe për zgjedhje më pak të rëndësishme të fëmijëve të tyre, e jo më për të tilla vendime. Megjithatë, Edliri u përball me një situatë që nuk e priste.

“Kur unë i thashë babit “Jam Gay”, babi më tha vetëm këto fjalë: mos më bëj të mos ndihem krenar për ty, por të kundërtën. Më pas jemi përqafuar dhe na janë mbushur sytë me lot”- kështu e kujton Edliri atë moment të vështirë të përballjes me të atin.

Dikur ai kalonte në këto sfida, duke marrë vendime i vetëm. Ndërsa sot është kthyer në një zë të fuqishëm të mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri. Ka hapur llogari në të gjitha rrjetet sociale, ku mbështet personat homoseksualë dhe sjell momente nga përditshmëria apo video gazmore në TikTok, ku e ndjekin me mijëra followers.

Po sa të lehtë e ka një person i komunitetit LGBTI, të përballet me mentalitetin e shoqërisë? Psikologe Ilda Qokaj tregon se ata përballen me një sërë vështirësish duke përfshirë diskriminimin, stigmën, përjashtimin nga rrethet shoqërore etj. Në Shqipëri ka organizata që mbrojnët të drejtat e homoseksualëve, por ende kjo mbetet një çështje tabu për shoqërinë tonë.

Duke ditur të gjitha këto vështirësi, Edliri ka këtë mesazh për të tjerë të rinj, që nuk guxojnë të dalin hapur për preferencat e tyre seksuale.

“Pranoni veten dhe guxoni sa më shumë që në fund, kur të largoheni nga kjo jetë të largoheni të plotësuar dhe të lumtur”!

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.