KUJDES! CILËT JANË NJERËZIT QË ABUZOJNË SEKSUALISHT ME FËMIJË?
04/07/2020 Shpërndaje

KUJDES! CILËT JANË NJERËZIT QË ABUZOJNË SEKSUALISHT ME FËMIJË?

Cilët janë njerëzit që abuzojnë seksualisht me fëmijë? Është e pamundur të përshkruash një abuzues seksual tipik apo një pedofil.

Rastet e raportuara vazhdimisht në media kanë treguar se ata janë kudo. Mund të jetë prindi i një fëmijë, i afërmi, komshiu, roja i shkollës etj. “Ata nuk duken ndryshe nga njerëzit e tjerë apo sillen në mënyra të ndryshme. “Ata gjenden në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe mund të vijnë nga çdo fushë profesionale, rrace apo fe. Ndonjëherë ata mbajnë poste me influencë, duke u shfaqur si anëtarë të respektuar të shoqërisë. Ata mund të jenë duke abuzuar fëmijët e tyre si dhe fëmijët e komunitetit”, thuhet në manualin “Mbrojtja e Fëmijëve nga Abuzimi me fokus abuzimin seksual për Prindër”.

Ndonëse duket e pamundur por rastet kanë treguar se abuzuesit mund të jenë dhe shumë pranë fëmijës. “Ata të cilët abuzojnë fëmijët shpesh janë në familjet e tyre. Mund të jenë baballarët, partnerët që bashkëjetojnë, të dashurit, vëllezërit, dajat, xhaxhallarët, gjyshërit por edhe figurat e babait. Abuzuesit mund të jenë po të ngjashëm për sa i përket familjarëve femrave, përfshirë mamatë. Edhe mësuesit apo edukatorët nuk bëjnë përjashtim. Në kundërshtim me imazhin që mendohet, njerëzit të cilët abuzojnë seksualisht ndaj fëmijëve shpesh paraqiten të sjellshëm, të interesuar dhe të dashur ndaj fëmijëve. Kjo bën pjesë në ndërtimin e marrëdhënies me fëmijët, e cila i ndihmon ata të abuzojnë pa u dyshuar apo zbuluar”, thuhet më tej në manual.

Gjithashtu, shumë prej tyre e bindin veten që nuk po e dëmtojnë fëmijën. Njerëzit të cilët abuzojnë seksualisht me fëmijët mund të harxhojnë shumë kohë për t’u afruar me fëmijët që t’i fitojnë besimin.

“Në familje, kjo sjellje mund të mos duket e pazakontë. Gjithashtu, ata i ushtrojnë një presion të madh fëmijës për të mbajtur sekretin e abuzimit. Abuzuesit mund të targetojnë vetëm vajzat ose djemtë, ose të dyja gjinitë; ata mund të preferojnë fëmijët e një moshe të caktuar ose mund të jenë një kërcënim për të gjithë fëmijet.

Në situatë familjare ata ndonjëherë inkurajojnë vellëzerit dhe motrat të konkurrojnë për vëmendjen e tyre. Ata mund të zgjedhin një fëmijë në veçanti për vëmendje të veçantë apo qerasje për të krijuar mundësi që të abuzojnë. Në disa raste, fëmija i cili po abuzohet mund të trajtohet veçanërisht ashpër nga abuzuesi.

Pothuajse gjithmonë abuzimi mbahet në fshehtësi të madhe nga abuzuesi. Të rriturit e tjerë në familje ndoshta nuk do të dyshojnë që ka diçka që s’shkon, përfshirë prindin tjetër nëse partneri i tyre është abuzuesi. Fëmija gjithashtu mund të ndihet konfuz dhe mos të dijë kujt ti tregojë apo çfarë duhet t’i tregojë. Për të mbajtur abuzimin sekret, abuzuesi mund të përdorë frikërat natyrale të fëmijës, vënien në siklet ose faj për çfare ka ndodhur, si dhe kërcënimet për ndëshkim.

Ata mund të thonë:  “Nqs tregon, babin do e marrin dhe familja do prishet”. “S’ka kuptim t’i tregosh dikujt- askush nuk do të të besojë” ose ‘Thuaj një fjalë të vetme dikujt dhe je i vdekur”.  “Është mënyra sesi vajzat/djemtë e vegjël i duan baballarët e tyre” për të bindur fëmijën që çfarë po ndodh është normale në familje ose për t’i bindur mos t’i tregojnë dikujt.

Abuzuesi mund të kërcënojë të dëmtojë dikë të afërt me fëmijën, p.sh një prind, kushëri madje dhe një kafshë të familjes. Shpesh ata e bëjnë fëmijën të besojë se ai/ajo është disi përgjegjës për abuzimin që po ndodh ose që po vazhdon”, shkruhet më tej në manual në këto udhëzime të rëndësishme për t’i ndjekur.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.