Google Advanced Search – Kërkimi i avancuar google
14/01/2020 Shpërndaje

Google Advanced Search – Kërkimi i avancuar google

Besojmë se shumica e njerëzve që përdorin internetin dijnë se si ta përdorin kërkimin klasik të Google-it. Pavarësisht mendimit që e keni për Google-in dhe për kompaninë e saj Alphabet, kërkuesi i tyre është shembull dominues në botën digjitale për shumicën e shfyrtëzuesve, por edhe gazetarëve. Kërkuesi i tyre i thjeshtë ju mundëson të gjeni shpejt një numër të madh informacionesh dhe sigurisht se do t’i përdorni servisët e Google-it për të marrë informacione për ndonjë person, kompani a qytet. Rezultatet e kërkimit kryesisht japin një varg të gjatë informacionesh të cilat duhen shikuar, verfikuar dhe për të cilat ju duhet shumë kohë. Nëse merreni me hulumtime, shkruani storie për mediumin tuaj dhe doni të gjeni informacione specifike, si deklarata e ndonjë politikani apo ndonjë personi tjetër publik nganjëherë ju duhen teknika të kërkimit të avancuar për të marrë informacione sa më konkrete e relevante. Aty mund të ju hyjë në punë kërkimi i avancuar Google (Google advance Search).

Çka është në fakt kërkimi i avancuar Google?

Kërkimi i avancuar Google paraqet metodën e detajuar për gjetjen e informacioneve në Google. Ky kërkim përdor parametra të ndryshme të Google-it që përbëhen nga simbole e urdhra të veçantë, të njohur si “operatorë të avancuar” që shkojnë përtej kërkimit klasik.  Këta operatorë mund të përdoren për identifikimin dhe lokalizimin e informacioneve më saktë dhe më shpejtë, qoftë nëse kërkoni të dhëna në uebfaqe specifike apo nëse kërkoni fotografi. Këtu funksione mund të jenë shumë të dobishme për gazetarët qoftë nëse merren me analiza të përmbajtjes apo thjeshtë nëse u duhen informacione konkrete për ndonjë temë.

Kur shkoni te kërkimi i avancuar Google, do të keni më shumë parametra të cilët mund t’i rregulloni asisoji që të bëni kërkime të detajuara të një teme.   Të gjitha këto opsione mund t’i aplikoni edhe përmes shfrytëzimit të të ashq. operatorë të cilët në fushën për kërkim ndahen me dy pika (:). Në shumicën e rasteve, kur kërkojmë ndonjë temë, shkruajmë vetëm një fjalë apo frazë, dhe pastaj i eksplorojmë rezultatet e fituara. Me kërkimin e avancuar mund të caktoni parametra siç është kërkimi me më shumë fjalë, apo sipas fjalëve të caktuara, ju mund të shkruani edhe fjalë të cilat nuk i doni në rezultate. Kërkimin mund ta kufizoni me përzgjedhjen e gjuhës, regjionit, dhe kohën e përditësimit të dhënave në uebfaqe. Kërkimin mund ta kufizoni edhe më tej duke kërkuar në lokacionet apo domenin e faqeve. Paramterat mund t’i vendosni që të kërkojnë vetëm tituj, vetëm tekste, apo lidhjet URL brenda teksteve në faqe. Ajo që është një prej opsioneve shumë të dobishme është edhe mundësia e përzgjedhjes së formatit të datotekës, siç është Excel, PDF, Powerpoint e kështu me radhë.

Tips and tricks për kërkimin profesional

Po ju japim disa shembuj të cilët mund të ju hyjnë në punë nëse e përdorni kërkimin e avancuar, që gjithsesi mund të ju kursejë kohë dhe të ju japë informacione konkrete kur bëni ndonjë storie apo nëse përditë shkruani lajme.

Kërkimi i përmbajtjes së rrjeteve sociale

Nëse kërkoni nëpër rrjete sociale, patjetër vendosni shenjën @ para fjalës për të bërë kërkimin. Psh. @twitter, @facebook, @instagram. Nëse kërkoni ndonjë fushatë apo aksion që ka pasur hashtag, vendoseni shenjën # para fjalës. Psh. #imaizac #metoo.

Kërkimi sipas fjalisë së saktë

Nëse kërkoni ndonjë fjalë a frazë të caktuar, vendoseni në thonjëza, kështu do të keni rezultate më precize. Psh. “data gazetaria” apo “gazetaret”.

Kërkimi sipas rangut shifror

Nëse kërkoni çmime të produkteve të caktuara, gjithmonë mund ta kufizoni kërkimin duke shtuar rang mes numrave, e kjo bëhet me vendosjen e dy pikave (..). Psh. Fotoaparat $50..$100. Gjithashtu, nëse kërkoni ndonjë fjalë, dhe konsideroni se sinonimet e atyre fjalëve mund të ju hyjnë në punë për temë, kërkimin mund ta bëni duke shkruar “or” mes fjalëve që i kërkoni. Psh. janar or january.

Kërkimi i domenëve specifikë

Nëse jeni në kërkim të faqeve të caktuara, gjithsesi kufizojeni numrin e rezultateve duke shkruar “site:” para lokacionit apo domenit. Psh. site: youtube.com e kështu me radhë.  Nëse dëshironi t’i hiqni disa rezultate, këtë mund ta bëni duke vendosur një minus në kërkim. Psh. “siguria digjitale” -siguria shtetërore. Nëse kërkoni lokacione të faqeve të internetit të cilat mund të jenë të lidhura, kërkimin mund ta bëni duke shtuar “related:” para asaj faqeje. Psh. related:balkansmedia.org.

Kërkimi i dokumenteve specifike

Nganjëherë kërkojmë ndonjë dokument specifik i cili nuk është HTML por në ndonjë format tjetër. Të dhënat, për shembull, mund të jenë tabela që janë në formate CSV, TSV apo më shpesh si Excel. Në anën tjetër, shumë dokumente të shkruara gjenden në formate PDF e docx. Të gjitha llojet e fajllëve mund t’i saktësoni me kërkimin e avancuar përmes operatorit filetype:

Psh. Buxheti komunal filetype:pdf

Zgjedhini fjalët me kujdes

Kjo nuk është çështje teknike sa është praktike, por me përdorimin e fjalëve apo shprehjeve të duhura do të keni rezultate më të mira, shkruan balkansmedia. Të kuptuarit e zhargonit do të sjellë rezultate më të mira. Psh. nëse shkruani “shkalla e vdekshmërisë” sigurisht se do të keni rezultate më të mira se “shkalla e vdekjes”.

Këto janë vetëm disa nga shembujt e parametrave që mund t’i përdorni përmes kërkimit të avancuar Google.

Na shkruani nëse ju kanë hyrë në punë që t’i gjeni më shpejtë e më lehtë informacionet e kërkuara.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.