Gjimnazistët e periferisë njihen me “Jo Tabu”
Shëndeti, të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë të pashkëputshme nga mirëqenia e përgjithshme dhe zhvillimi i një shoqërie kudo në botë. Duke marrë për bazë rëndësinë qenësore të shëndetit seksual dhe riprodhues si dhe peshën që ka kjo e drejtë ka në jetën e gjithësecilit, organizata Infinit Plus ka realizuar një aplikacion të quajtur “Jo Tabu”. “Jo Tabu” është një aplikacion që iu drejtohet të rinjve për të marrë informacione profesioniste në lidhje me tema të ndryshme në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, si dhe të drejtat që ata kanë.
Në kurrikulat mësimore së fundmi është futur edhe një orë edukative mbi shëndetin seksual, por në këtë projekt nuk bëjnë pjesë të gjitha gjimnazet në vend. Orët edukative në lidhje me këtë temë jepen vetëm në shkollat e mëdha, duke lënë jashtë shumë prej gjimnazeve, ndër to dhe Shkolla e Mesme e Përgjthshme “Bedri Llagami”. Por për këto shkolla dhe ato të rinj që kanë informacion të cunguar ka menduar Infinit Plusi duke realizuar “Jo Tabu”. Shkolla “Bedri Llagami” ishte e përjashtuar, ndaj një pjesë e madhe e nxnësve gjatë prezantimit të aplikacionit e panë të nevojshme të kenë qasje tek “Jo Tabu” për të mësuar si të përballojnë ndryshimet që pësojnë dhe si të mbrojnë shëndetin e tyre për të shmangur problemet në të ardhmen.
“Jo Tabu” u mirëprit nga nxënësit, në shkollat që është prezantuar së fundmi. Dsia prezantime janë bërë tek gjimnazistët e vitit të tretë në “Harry Fultz”, në 4 klasa të shkollës së mesme të bashkuar “Bedri Llagani” që ndodhet në periferi të Tiranës. Në shkollën e mesme të bashkuar “Bedri Llagami” përveç prezantimeve të bëra nëpër klasat e sipërpërmendura, u zhvillua dhe një aktivitet në të cilin ishin pjesë edhe nxënës të ciklit 9 vjeçar, të cilët gjithashtu shfaqën interes të mësonin më shumë rreth asaj ç’ka ofron aplikacioni.
Në seminaret dhe aktivitetin e zhvilluar morën pjesë gati 100 nxënës, të cilët u informuan mbi përmbajtjen e aplikacionit, për të kuptuar njëherësh rëndësinë që ka për shëndetin e tyre. U shpërndanë fletëpalosje, u tregua mbi mënyrën si ta shkarkojnë, sakaq u bë me dije një veçori e “Jo Tabu”. Interneti në celularin tuaj smartphone duhet vetëm në momentin që kërkon ta shkarkosh aplikacionin, ndërsa për ta ndjekur hap pas hapi nuk ka nevojë.
Gjithashtu një tjetër risi që u prit mirë nga nxënësit ishte fakti se aplikacioni përveç informacioneve të grumbullara nga mjekë specialistë për fusha të caktuara, ka dhe opsionin e pyetjeve. Çdokush që e shkarkon në telefon aplikacionin mund të dërgojë një pyetje në lidhje mbi një çështje që kërkon të marrë më shumë informacion. Le të themi se këto nxënës e hodhën hapin e parë drejt “Jo Tabu”, një hap i nevojshëm duke qenë se në shkollën e tyre nuk ofrohen informacione posaçërisht për këtë temë të rëndësishme. S’ka më tabu kur behet fjale per shendetin.
© 2017 – 2019, Pozitivi. All rights reserved.




















