Florenci u paralizua një muaj para dasmës, gruaja rrëfen dramën e jetës: M’u shemb bota… por u martuam pas 9 vitesh
15/01/2018 Shpërndaje

Florenci u paralizua një muaj para dasmës, gruaja rrëfen dramën e jetës: M’u shemb bota… por u martuam pas 9 vitesh

Çdo sfidë dhe vështirësi në jetë na bën më të fortë dhe mund ta kapërcejmë kur bashkohemi me njerëzit që kemi më afër. E tillë është historia e Florencit dhe Suelës, çiftit nga një fshat i Elbasanit, të cilët rrëfejnë dramën e jetës gjatë një interviste për pozitivi.org.

Suela dhe Florenci janë fejuar me mblesëri kur ishin 18 dhe 23 vjeç. Pas 2 vitesh fejesë kur kishte mbetur vetëm një muaj nga dita e martesës së shumëpritur, një fatkeqësi u ndryshoi jetën.

Florenci punonte në ndërtim prej 10 vitesh në Greqi, por një ditë rrëzohet nga skela, bie nga kati i katërt dhe paralizohet. “S’e dija as që ishte në karrocë me rrota. Kur e pashë u bllokova, nuk dija çfarë të mendoja. M’u shemb bota mbi kokë, sepse dasma nuk u bë dhe Florenci ishte i paralizuar. Por kur je në spital, shikon shumë raste dhe kupton që nuk je i vetmi ne botë me vuajtje dhe halle. Pastaj mbledh forcat për të shikuar të mirat e jetës. Që të paktën ishte gjallë”, thotë e shoqja, Suela për Pozitivin.

Ai u paralizua por Suela nuk e la për asnjë ditë vetëm, madje forca dhe kujdesi i saj për të e “rikthyen” sërish në jetë Florencin. Suela rrëfen për Pozitivin vështirësitë që kanë kapërcyer dhe si e forcoi lidhjen e tyre kjo ngjarje e rëndë. “Ngjarja e forcoi më shumë lidhjen tonë. Para aksidentit ishim shumë të lumtur. Sepse jemi të dy tipa që qeshim shumë. Na pelqejnë shakatë. Por edhe pas mundoheshim dhe mundohemi të shikojmë ato gëzimet e vogla që na jep jeta”, shton ajo.

Martesa e tyre nuk u bë pasi ndodhi aksidenti, por kjo ëndërr u realizua 9 vite më pas, kur në jetë kishte ardhur edhe vajza e tyre, Lorena. Një dasmë surprizë që i lumturoi pa masë ishte organizuar për Florencin dhe Suelën në 2 vjetorin e lindjes së Lorenës, nga të afërmit e tyre.

Intervista me Suelën ekskluzive për pozitivi.org:

Suela: Unë jam 29 vjeçe, nuk kam profesion timin por bëj punë shtëpiake sepse burri nuk mund të kujdeset për vajzën. Jetoj në një fshat të Elbasanit. Jam e martuar me Florencin dhe kemi një vajzë.

Pozitivi: Prej sa vitesh jetoni bashkë dhe si u njohët… pra si nisi historia jote me Florencin?

Suela: Ne jemi njohur me mblesëri. Unë isha 18 vjeçe kur jam fejuar ndërsa Florenci 23 vjeçe. Kishim vendosur që pas dy vjetësh fejesë do martoheshim. Por një muaj para dasmës Florenci pësoi aksidentin.

Pozitivi: Si ndodhi aksidenti?

Suela: Aksidenti ndhodhi ne Greqi, aty ku Florenci punonte në ndërtim prej 10 vitesh. Një ditë ndërsa ishte në punë i këputen skelat dhe bie nga një lartësi, prej katit të 4.

Pozitivi: Çfarë ndodhi më pas, si e prite ti lajmin?

Suela: Më pas Florenci është bërë operimi po ashtu bëri dhe fizioterapi për 6 muaj, e në ëktë kohën ndejtëm në spital. Atëherë kur kur ndodhi aksidenti unë shkova atje me një vizë shëndetësore.

Kur unë isha në Shqipëri nuk e dija sa i rëndë ishte aksidenti. S’e dija as që ishte në karrocë me rrota. Kur e pashë u bllokova, nuk dija çfarë të mendoja. M’u shemb bota mbi kokë, sepse dasma nuk u bë dhe Florenci ishte i paralizuar.

Pozitivi: Sa kohë je kujdesur për të derisa të merrte veten?

Suela: Për 6 muaj në spital, pastaj dolëm nga spitali. Pas kësaj, më vonë filloi vështirsia tjetër. Ai nuk donte të dilte nga shtëpia. Nuk e pranonte që tashmë ishte në karrocë. Që jeta e tij nuk do ishte njësoj si më parë.

Pozitivi: Si arritët ta kapërcenit këtë sfidë për të bërë përpara?

Suela: Ishte shumë e vështirë, më duhej të bëhesha e fortë për veten por edhe për të. Po kur je në spital shikon shumë raste dhe kupton që nuk je i vetmi ne botë me vuajtje dhe halle. Pastaj mbledh forcat për të shikuar të mirat e jetës. Që të paktën ishte gjallë.

Pozitivi: Si ka qenë marrëdhënia mes ju të dyve para dhe pas aksidentit?

Suela: Ngjarja e forcoi më shumë lidhjen tonë. Para aksidentit ishim shumë të lumtur. Sepse jemi të dy tipa që qeshim shumë. Na pelqejnë shakatë. Por edhe pas mundoheshim dhe mundohemi të shikojmë ato gëzimet e vogla që na jep jeta. Tani që kemi vajzën, dita kalon pa u kuptuar. Florenci në mëngjes del dhe per kafe.

Pozitivi: Po të ardhurat si i siguroni?

Suela: Nga pensioni i Florencit. Dhe me vajzën kemi kaluar shumë vështirësi, sepse ka lindur 7 muajshe. Me një peshë shum të vogel vetem 800 gram, sepse e kisha placentën poshtë.

Pozitivi: Pas 9 vitesh keni bërë dhe dasmën, realizuat një ëndërr të lënë përgjysmë. Më trego pak për këtë ditë?

Suela: Kjo nisi si festim për ditlindjen e vajzës. Sepse bënte 2 vjeçe. Por kushërira e Florencit bashkë me të shoqin menduan të na e bënin surprizë që edhe ne të na gëzonin. Atë dasëm që nuk arritëm ta benim dot vite më parë e realizuam më vonë. Ishim shumë të lumtur.

Pozitivi: Ke kaluar sfida pafund, ia ke dalë dhe tanimë je e lumtur me familjen tënde. Çfarë ke mësuar nga këto sfida, ke një mesazh për të dhënë?

Suela: Dua të them vetëm që jeta është e bukur, thjesht duhet të mësojmë ta jetojmë me çdo gjë që na sjell. Gjithmonë duhet t’i bëjmë ballë vështirësive, e të shikojmë gjërat pozitive. Sepse po të shikoja vetëm vuajtjet e mija duhet të qaja gjithë ditën.

Realizoi Beklie Koltraka

© 2018 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.