Gazetarët e rinj vizitojnë ambientet e INTv-së
26/01/2019 Shpërndaje

Gazetarët e rinj vizitojnë ambientet e INTv-së

Ditën e premte më 18 janar u realizua takimi i rradhës me studentë të gazetarisë dhe komunikimit në ambientet e televizionit INTv Albania, në kuadër të projektit të pozitivi.org për zhvillimin e gazetarisë konstruktive.

Të rinjtë që ishin në këtë takim zhvilluan diskutime me drejtoreshën ekzekutive të televizionit Karolina Rista përsa i përket metodave dhe temave që ata mund të zgjedhin për t’i trajtuar në ditët në vijim, për të vënë kështu në zbatim gjithë njohuritë që kanë marrë gjatë takimeve të njëpasnjëshme të zhvilluara në kuadër të këtij projekti.

Gazetaria konstruktive është një fushë në zhvillim brenda gazetarisë, që bazohet në raportimin e lajmeve të fokusuara në zgjidhje, në vend që të rrotullohen vetëm rreth tregimeve negative dhe të bazuara në konflikte.

Pozitivi.org është një projekt që synon ta zhvillojë më tej gazetarinë konstruktive dhe pozitive duke trajnuar gazetarët e rinj dhe duke realizuar për publikun histori dhe lajme të kësaj natyre. Ideja që vjen pas gazetarit konstruktiv është ta tregojë historinë duke i dhënë më shumë sfond dhe ta bëjë lexuesin e lajmit më inteligjent. Kjo do të bëjë që lexuesi të jetë më në gjendje të krijojnë një pamje realiste të botës.

Të rinjtë gjatë gjithë trajnimeve janë orientuar drejt rregullave që duhet të ndjekin për t’i vënë ata më pas në zbatim me shkrimet që do bëjnë. Në takimin e ditës së sotme studentët pjesëmarrës shfaqën interes për gazetarinë kosntruktive dhe projektin e pozitivit. Më pas vizituan ambientet e brendshme të televizionit për t’u njohur më nga afër me punën e gazetarëve dhe si procedohet për të zhvilluar një ngjarje ose temë në mënyrë sa më profesionale.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.