Mbi 100 gra në vit diganostikohen me kancerin e qafës së mitrës në QSUT, shkaku dhe si parandalohet
20/05/2021 Shpërndaje

Mbi 100 gra në vit diganostikohen me kancerin e qafës së mitrës në QSUT, shkaku dhe si parandalohet

Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet ngadalë, duke bërë që faza para-kancer të zgjasë 10-20 vjet, duke dhënë mundësi të mjaftueshme për t’u zbuluar në kohë.

Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por më e rrezikuar për t’u prekur është nëse: ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale, ka partnerë seksualë të shumtë, ka partnerë të cilët kanë apo kanë pasur shumë partnere seksuale, ka apo ka pasur një infeksion seksualisht të transmetueshëm, përdor në mënyrë abuzive duhanin, ka imunitet të ulët.

Shifrat e grave të prekura janë të larta, vetëm në shërbimin e Onkologjisë në QSUT mbi 100 gra në vit diganostikohen me kancerin e qafës së mitrës. Ky numër është disa herë më i lartë në nivel kombëtar duke përfshirë diganostikimet në spitalet rajonale.

Shkak kryesor i kancerit të qafës së mitrës është infeksioni kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës HPV. Mënyra e transmetimit është ajo përmes rrugëve seksuale. Te shumica e grave dhe burrave që infektohen me këtë virus, këto infeksione mund të zhduken pa patur nevojë për trajtim specifik. Por, rreth 90% e ketyre infeksioneve mund te zhduken brenda 2 vjetëve. Pavarësisht se situata duket e qetë, në fakt ka disa lloje virusesh që kanë rrezik më të lartë duke qënë shkak kryesor i kancerit të qafës së mitrës. Në vitin 2020, qeveria shqiptare nisi programin kombëtar të depistimit të kancerit të qafës së mitrës nga ku nis kryerja e analizës HPV falas për grate. Kapacitetet janë që testi HPV do të kryhet falas për rreth 16 mijë gra në vit. Kryerja e këtij testimi falas sjell diagnostikimin në fazë të hershme të kancerit me qëllim parandimin e tij.

Duke iu referuar sëmundjeve tumorale, OBSH në raportin e fundit të saj (shkurt 2021) tha se me këto ritme, kanceret do të kenë një rritje prej 81% në dy vitet ardhshme. Në 2018, kishte 18.1 milionë raste dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se në 2040, pritet të ketë 29.4 milionë raste të reja.

Kanceri i qafës së mitrës shfaq shenja klinike, ndaj me rëndësi në këtë drejtim është kapja në stadinin më të hershëm të sëmundjes. UNFPA Albania e angazhuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjen e shëndetit riprodhues e vë theksin në përfshirjen në komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimit social, vaksinimin, depistimin, trajtimin dhe deri tek kujdesi paliativ. Sipas ekspertëve të shëndetit, programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.

Udhëzimet e UNFPA në Shqipëri synojnë forcimin e sistemit shëndetësor për depistime të tumorit në qafën e mitrës, si edhe ofrimin e shërbimeve për pacientët. Në lidhje me parandalimin, UNFPA në Shqipëri thotë se baza më e mirë për të parandaluar tumoret është edukimi dhe ndërgjegjësimi. Edukimi lidhet me praktikat e sigurta seksuale; përdorimi i kontraceptivëve dhe prezervativëve për të shmangur problemet shëndetësore që vijnë si pasojë e marrëdhënieve të pambrojtura.

Nga se shkaktohet kanceri i qafës së mitrës?

Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus). HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm viral i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht, por seksi penetrues nuk është gjithmonë i nevojshëm për transmetim. Kontakti gjenital lëkurë me lëkurë është një mënyrë e mirë-njohur transmetimi. Shumica e grave dhe burrave seksualisht aktiv do të jenë të infektuar në një pikë gjatë jetës së tyre me HPV, disa edhe në mënyrë të përsëritur. Koha për marrjen e infeksionit HPV për gratë e burrat është pak pasi ata janë bërë seksualisht aktiv. HPV-ja mund edhe të mbetet e fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksual. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Te shumica e grave dhe burrave që infektohen me HPV, këto infeksione zhduken vetvetiu pa asnjë ndërhyrje brenda pak muajve mbas infektimit, dhe rreth 90% e tyre brenda 2 vjetëve. Por edhe pse shumica e infeksioneve HPV kalojnë vetë, një pakicë e tyre, kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, të njohura edhe si lloje me rrezik të lartë, vazhdojnë të qëndrojnë dhe të përparojnë në dëmtime parakanceroze dhe më vonë në kancer të qafës së mitrës te gratë.
Ka gjithashtu evidenca që lidhin HPV-në me kancerin e anusit, vulvës, vaginës dhe penisit, edhe pse këto lloje kanceri janë më pak të shpeshta se kanceri i qafës së mitrës. Disa lloje të HPV-së (sidomos llojet 6 dhe 11) që nuk shkaktojnë kancer, mund të shkaktojnë lythat gjenitale që janë shumë të përhapura dhe shumë infektive.

Të gjitha gratë mund të preken nga kanceri i qafës së mitrës?

Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse:

• Ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale
• Ka partnerë seksual të shumtë
• Ka partnerë të cilët kanë apo kanë patur shumë partnere seksuale
• Ka apo ka patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm
• Përdor në mënyrë abuzive duhanin
• Ka imunitet të ulët (p.sh. individë të infektuar me HIV janë në rrezik më të lartë për t’u infektuar me HPV, dhe mund të infektohen nga lloje të ndryshme të HPV-së)

Çfarë shenjash ka kanceri i qafës së mitrës?

Shumica e infeksioneve nga HPV-ja nuk shkaktojnë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Infeksionet me llojet 16 dhe 18 që zgjatin, mund të çojnë në lezione parakanceroze, dhe nëse nuk trajtohen përparojnë në kancerin e qafës së mitrës. Ky përparim zakonisht merr shumë vite, dhe simptomat e kancerit të qafës së mitrës kanë tendencë të shfaqen vetëm atëherë kur kanceri ka arritur një stad të avancuar.

Shenjat mund të përfshijnë:

• Gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, ose gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale
• Dhimbje mesi apo në fund të barkut
• Lodhje, humbje peshe dhe oreksi
• Parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale
• Dhimbje gjatë kontaktit seksual. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.

Si parandalohet kanceri i qafës së mitrës?

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një sërë veprimesh për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Veprimet e rekomanduara përfshijnë që nga komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimit social, vaksinimin, depistimin, trajtimin dhe deri tek kujdesi paliativ. Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.
Ndërhyrje të tjera parandaluese të rekomanduara si për djemtë e për vajzat janë: edukimi lidhur me praktikat e sigurta seksuale dhe fillimi me vonesë i aktivitetit seksual; promovimi dhe sigurimi i prezervativëve për ata që kryejnë aktivitet seksual; paralajmërimet për përdorimin e duhanit (që është faktor rreziku për kancerin e qafës së mitrës) dhe rrethprerja mashkullore (syneti). Edukimi shëndetësor siguron që gratë, familjet e tyre dhe komuniteti në përgjithësi të kuptojnë se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm.

Çfarë është vaksina kundër HPV-së?

Aktualisht në dispozicion janë 2 lloje vaksinash që sigurojnë një mbrojtje të lartë kryesisht kundër dy llojeve të HPV-së, 16 dhe 18, të njohura për shkaktimin e të paktën 70-80% të kancerit të qafës së mitrës. Vaksinat mund të ofrojnë mbrojtje edhe kundër llojeve të tjera të HPV-së që janë më pak të shpeshta në shkaktimin e kancerit të qafës së mitrës. Një prej vaksinave mbron gjithashtu edhe nga llojet 6 dhe 11 të HPV-së të cilat shkaktojnë lythat anogjenitale. Studimet tregojnë se të dyja vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive në parandalimin e infeksionit me HPV 16 dhe 18, nëse aplikohen para ekspozimit të HPV-së. Prandaj preferohet që ato të aplikohen para aktivitetit të parë seksual. OBSH-ja rekomandon vaksinimin për vajzat e moshës 9-13 vjeç, mbasi kjo është masa më kosto-efektive e shëndetit publik kundër kancerit të qafës së mitrës.
Disa vende kanë filluar të vaksinojnë djemtë si masë parandaluese e kancerit gjenital,
duke qenë se një nga dy vaksinat parandalon edhe lythat gjenitale në meshkuj dhe femra.
Vaksinimi kundër HPV-së redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës. Por, nëse infeksioni me HPV ka ndodhur, vaksina nuk mund të trajtojë infeksionin apo të luftojë kancerin. Vaksinimi kundër HPV-së nuk zëvendëson depistimin për kancerin e qafës së mitrës. Prandaj, edhe gratë të cilat janë vaksinuar, duhet të vazhdojnë të kryejnë rregullisht kontrolle për kancerin e qafës së mitrës.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.