FUNDJAVA E GJATË E FESTAVE TË NENTORIT, “ARRATISEN” SHQIPTARËT DREJT BUDVËS NË MALIN E ZI.
30/11/2022 Shpërndaje

FUNDJAVA E GJATË E FESTAVE TË NENTORIT, “ARRATISEN” SHQIPTARËT DREJT BUDVËS NË MALIN E ZI.

Ditët e gjata të pushimit nga festat e nëntorit, janë kthyer tashmë në një mundësi të mirë për të bërë një shkëputje të shkurtër pushimesh me familjen. Por edhe pse janë festa kombëtare, shqiptarët preferojnë të zgjedhin destinacione jashtë vendit për t`u relaksuar. Një ndër më të preferuarit është Budva, në Malin e Zi. Një sërë resortesh atje, janë kthyer në pikë referimi të agjencive turistike që ofrojnë paketa për të kaluar dy apo tre netë me opsionin all-inclusive apo edhe half board.

Budva ishte zgjedhja edhe e disa pjesëtarëve të stafit të pozitivi.org. Përmes foto galerisë dhe përshkrimeve ata sjellin pak nga atmosfera në Malin e Zi. Mundësitë për të prenotuar në resorte ishin disa si Hotel Splendid, Dukley Resort apo Hotel Avala. Përveç tyre ishin edhe apartamentet që ofrohen në çdo stinë të vitit për qira përmes platformave Booking.com dhe AirBnb.

Stafi zgjodhi Avala Hotel Resort & Villas që ishte një nga ofertat më të mira të agjencive turistike. Ato ofronin një paketë tre ditore ( dy netë ) me kosto 45 euro për person dhe dy fëmijë falas. Oferta përfshinte akomodimin në dhomat e Hotel Avala dhe vaktet e mëngjesit dhe drekës përfshirë.

Këto çmime që janë disa herë më të lira se çmimet që ofron vet Shqipëria në këtë keriudhë të vitit, shtynë me qindra shqiptarë të kalonin kufirin shqiptaro – malazez në datat 26- 29 nëntor. Një mundësi e humbur kjo nga hotelet shqiptare si në jug apo në veri, të cilat vetëm për akomodimin kanë çmime që variojnë nga 30 – 60 euro. Shto këtu edhe shpenzimet për ushqimin, fundjava kushtonte më shumë se në shtetin fqinj.

Parkimet e resorteve në Budva, “flisnin” të gjithë shqip. Ashtu si edhe rrugët dhe dyqanet, ku turistët ndalonin për të blerë një kujtim apo edhe për të bërë pazar, duke iu gëzuar uljeve të sezonit.

Edhe pse pushimet ishin për festimin e festave kombëtare, turistët shqiptarë iu gëzuan shëtitjeve në qytetin e vjetër në Budva, drekave në restorantet e shumtë buzë detit apo vizitës në Shën Stefan, një nga atraksionet më të frekuentuara.

Duket se pandemia ka prekur edhe këtë zonë turistike. Një pjesë e lokaleve kishin falimentuar, ndërsa disa të tjerë nuk ishin në funksionim në këtë periudhë të vitit. As brenda godinave të Sveti Stefan ( siç e quajnë vendasit ) nuk mund të hyje, pasi ishin të mbyllura.

Kjo nuk i ndaloi turistët të vizitonin zonën e të fiksonin disa momente në foto.

Kjo fundjavë e gjatë, ishte vërtet një shans i humbur për biznesin vendas. Qindra tursitë mund të shpenzonin paratë e tyre në hotelet dhe restorantet shqiptare, por çmimet e larta dhe mungesa e larmishmërisë që ato ofrojnë i penalizon në përgjedhjen e familjeve.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.