Nga Merushja te Aldi Rama, psikologia: Fëmijët si viktima të dhunës në familje dhe “modeli” i vrasjes
19/05/2022 Shpërndaje

Nga Merushja te Aldi Rama, psikologia: Fëmijët si viktima të dhunës në familje dhe “modeli” i vrasjes

Dhuna në familje si një plagë e shoqërisë, pasojat më të rënda i lë te fëmijët. Ky fenomen mbarëbotëror ndikon negativisht në integritetin fizik, psikologjik dhe social, sidomos të fëmijëve.

Ndërsa çdo ditë regjistrohen raste të reja që përfundojnë deri në fatalitete, si ai i Merushe Hazizit në Fier, të resë  që u vra nga vjehrri sepse ky i fundit nuk e pranonte për nusen e djalit, dalin në pah fakorët.

Psikologia Ilirjeta Metushi gjatë një interviste të dhënë për Pozitivi.org ka evidentuar faktorë si ndikimi kulturor, traditat e vjetra patriarkale, diskriminimi gjinor apo papunësia dhe ekonomia e dobët etj.

Vrasja e Merushe Hazizit nënës së 3 fëmijëve nga vjehrri ka tronditur opinionin. 30-vjeçarja u godit mizorisht me thikë më 12 prill në fshatin Vidhishtë në Roskovec të Fierit. 61-vjeçari Xhevair Hoxha e qëlloi me thikë për vdekje Hazizin vetëm për faktin se ai ishte kundër lidhjes së saj me të birin, Fatjonin, të dy të divorcuar nga martesa e parë dhe prej 3 vitesh jetonin bashkë.

Psikologia Metushi teksa ka analizuar sjelljen e agresorit dhe viktimës por edhe të banorëve të fshatit të cilët ishin në dijeni të kërcënimeve, ka theksuar se kjo ishte një vrasje e paralajmëruar. Kërcënimet ndaj Merushes nga 61 vjeçari që më pas vari edhe veten, ishin kthyer në një “normalitet në fshat”.

“Bazuar në gjithë përjetimet e ngjarjes apo dhe në gojëdhënat e individëve të ndryshëm, të afërm, familjarë apo fqinjë mund të komentojmë shumë por dhe të ndalim vëmendjen në gjendjen e tyre psikologjike do ishte zgjidhje e mirë. Në sfond kemi një ngjarje e cila na jep pista të ndryshme psikologjike. Fokusi kryesor është familja, plagët e shoqërisë shqiptare, marrëdhëniet jo funksionale të pa shëndetshme, diferenca kulturore, ekonomia etj.

Duke analizuar dëshmitë e banorëve në zonë mund të themi se ka qenë vrasje e paramendur, duke qenë se vjehrri i Merushes kishte paralajmëruar disa herë vrasjen e saj. Në këto raste kemi të bëjmë me një gjendje të rënduar psikike dhe nga ana tjetër një neglizhim nga ana e bashkëshortit të saj kundrejt këtyre paralajmërimeve. Zonat rurale kanë qenë dhe janë nga më të prekurat nga fenomeni  “Normalitet në fshat” që lidhet me të qëndruarit në shtypje emocionale dhe presion sistematik”, tha Metushi.

Merushja kishte 3 fëmijë nga martesa e parë, që jetonin me ish-bashkëshortin e saj, ndërsa kishte 3 vite që bashkëjetonte me djalin e 61-vjeçarit. “Viktima” të kësaj ngjarjeje, janë edhe fëmijët e 30 vjeçares.

Fëmijët janë më të dëmtuarit në kohë të ndryshme, tani dhe në periudhën e rritjes. Duke qenë se stadet e zhvillimit janë decizive në mirëqenien psikologjike, mos përmbushja e tyre me sukses sjell pasoja të rënda emocionale, vështirësi në krijimin e relacioneve në të ardhmen, probleme sociale si dhe insuficienzë vetjake.Thuhej se fëmijët e Merushes janë në kujdesin e motrës së saj. Le të shpresojmë qe kjo nismë që ajo ka marrë duke u kujdesur për ta të sjellë edukim sa më të shëndetshëm. Vlen për t’u përmendur që është shumë e nevojshme për këta fëmijë konsulta me specialiste të shëndetit mendor për të vlerësuar më në thellësi gjendjen emocionale dhe parandalimin e akteve të pakëndshme në të ardhmen ose trauma të ndryshme”, shtoi Metushi për Pozitivi.org.

Gjatë intervistës Metushi është ndalur te disa raste të dhunës në familje, kryesisht te fëmijë të braktisur nga prindërit, të cilët janë përfshirë në ngjarje kriminale. Përmendim këtu rastin e 21 vjeçarit Aldi Rama i cili vrau efektivin e policisë Saimir Hoxha dhe më pas veten në zonën Kune të Lezhës në momentin kur tre efektivë policie i ndaluan për kontroll. Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator të 2021, ndërsa 21 vjeçari jetonte me gjyshërit pasi prindërit ishin divorcuar. Për Aldi Ramën gjërat nuk kanë qenë të thjeshta, ndërsa prindit ishin të divorcuar dhe i ati i dënuar përjetë në Greqi. Ai rezulton i dënuar për një krim të rëndë, pasi ka masakruar me motosharrë një grek.

E pyetur nëse një fëmijë që sheh dhunë në familje apo që ka prindër vrasës, ka më shumë premisa që ta përvetësojë këtë sjellje, Metushi e pohoi duke dhënë argumente mbi bazë të eksperiencës së saj.

“Eksperienca në punë më ka treguar se një numër i konsideruar individësh që manifestojnë dhunë në familje janë derivat i një historiku të ngjashëm por jo domosdoshmërisht në të gjitha rastet. Gjatë ciklit jetësor individë të ndryshëm reagojnë në mënyra të ndryshme, shpeshherë duke përçuar grimcat e agresionit që fshihen në skutat e pavetëdijes së tyre. Studime të ndryshme kanë treguar se faktori familje është ndikues por jo gjithmonë”.

Intervista e plotë me Ilirjeta Metushi për Pozitivi.org

Çfarë rastesh të dhunës keni trajtuar më shumë ju personalisht? Na flisni për ndonjë prej tyre

Ilirjeta Metushi: Nga eksperienca ime në punë kam konstatuar raste individësh të ndryshëm të cilët kanë qenë viktima të dhunës në familje. Kjo e fundit një plagë e heshtur ndër vite. 

Një nga rastet që do veçoja është historia e një vajze të braktisur nga e ëma që në moshën 5 vjeçare.  Për të mos mjaftuar kjo gjë, kushtet e rënda ekonomike si dhe dhuna psiko-fizike nga i ati, çuan në degradim të proceseve jetësore mendore. 

Stadet e saj zhvillimore jo vetëm nuk u procesuan në mënyrën e duhur por sollën në jetën e saj pamjaftueshmëri në zhvillimin motorik.  Ky fenomen si pasojë e një historiku familjar në të cilin pasqyrohej dhuna dhe patriarkalizmi i theksuar.  Gjatë procesit terapeutik u konstatua prezenca e agresivitetit, sjellje asociale etj. 

Tanimë e dimë që familja luan rolin kryesor jo vetëm në edukimin e individit por shërben si busulla jonë në çdo moment. 

Cilat mendoni se janë shkaqet kryesore të dhunës në familje, kryesisht ndaj grave?

Ilirjeta Metushi: Dhuna në familje vjen si pasojë e faktorëve të ndryshëm psiko/social, ekonomik, familjar, kulturor etj. 

Gjithmonë vendos fokusin kryesor te faktori ekonomiko/kulturor. Në nivel global diversiteti kulturor dhe ekonomia janë dy hallkat kryesore të mirëqenies njerëzore si dhe rregullatorët bazë të ndërveprimit social. Një nga këshillat bazë dhe jetike është të qenurit e pavarur ekonomikisht, denoncimi i dhunës në organet kompetente, konsultimi me punonjës të shërbimit social si: psikolog, punonjës social etj. 

Çfarë komenti për rastet e raportuara se fundmi në media, një prej tyre vrasja e nuses nga vjehrri në Fier (Merushe Hazizi)?

Ilirjeta Metushi: Së fundmi në media kudo në botë janë raportuar mijëra raste dhune psiko/fizike duke degraduar në vrasje. Fatkeqësisht vendi jonë është mbuluar nga një re e zezë e cila na pështjellon frymëmarrjen dhe çmëson të gjitha parimet etike jetësore të cilat i kemi mësuar gjatë zhvillimit tonë.

Vrasja e dyfishtë makabre e ndodhur brenda një familjeje trondit së pari njerëzit më të dashur, opinionin publik, strukturat përkatëse dhe çdo qenie humane.

A ishte një vrasje e paralajmëruar duke rikujtuar faktin se të gjithë fqinjët thanë se vjehrri kishte thënë disa herë se do ta vriste nusen? Si e komentoni faktin se këto kërcënime ishin bërë tashmë normalitet në fshat, dhe që askush nuk reagonte

Ilirjeta Metushi: “Ata mbyllën sytë dhe hallet i morën me vete thotë populli”

Bazuar në gjithë përjetimet e ngjarjes apo dhe në gojëdhënat e individëve të ndryshëm, të afërm, familjarë apo fqinjë mund të komentojmë shumë por dhe të ndalim vëmendjen në gjendjen e tyre psikologjike do ishte zgjidhje e mirë. Në sfond kemi një ngjarje e cila na jep pista të ndryshme psikologjike. Fokusi kryesor është familja, plagët e shoqërisë shqiptare, marrëdhëniet jo funksionale të pa shëndetshme, diferenca kulturore, ekonomia etj.

Duke analizuar dëshmitë e banorëve në zonë mund të themi se ka qenë vrasje e paramendur, duke qenë se vjehrri i Merushes kishte paralajmëruar disa herë vrasjen e saj. Në këto raste kemi të bëjmë me një gjendje të rënduar psikike dhe nga ana tjetër një neglizhim nga ana e bashkëshortit të saj kundrejt këtyre paralajmërimeve. Zonat rurale kanë qenë dhe janë nga më të prekurat nga fenomeni  “Normalitet në fshat” që lidhet me të qëndruarit në shtypje emocionale dhe presion sistematik.

Si ndikon kjo ngjarje te 3 fëmijët e Merushes por edhe përmasat që mori si ngjarje që u komentua masivisht? Çfarë duhet të bëjnë të afërmit e tjerë me fëmijët në këto raste për t’i mbrojtur

Ilirjeta Metushi: Fëmijët janë më të dëmtuarit në kohë të ndryshme, tani dhe në periudhën e rritjes.

Duke qenë se stadet e zhvillimit janë decizive në mirëqenien psikologjike, mos përmbushja e tyre me sukses sjell pasoja të rënda emocionale, vështirësi në krijimin e relacioneve në të ardhmen, probleme sociale si dhe insuficienze vetjake.Thuhej se fëmijët e Merushes janë në kujdesin e motrës së saj. Le të shpresojmë qe kjo nismë që ajo ka marrë duke u kujdesur për ta të sjellë edukim sa më të shëndetshëm.

Vlen për t’u përmendur që është shumë e nevojshme për këta fëmijë konsulta me specialiste të shëndetit mendor për të vlerësuar më në thellësi gjendjen emocionale dhe parandalimin e akteve të pakëndshme në të ardhmen ose trauma të ndryshme.

Shpesh kemi dhe raste kur fëmijët braktisen nga prindërit, pasojat që u lë? Një rast që mund të komentojmë është Aldi Rama i cili vrau efektivin e policisë Saimir Hoxha dhe më pas veten. Ai jetonte me gjyshërit pasi prindërit ishin divorcuar.

Ilirjeta Metushi: Të bëhesh prind apo të përmbushësh ciklin riprodhues duke u bërë prind nuk është një domosdoshmëri sociale por nëse vendos të sjellësh në jetë një krijesë tjetër, në mënyrë kategorike duhet të jesh i përgjegjshëm në rritjen dhe edukimin e tij.

Asnjë prind nuk do dëshironte braktisjen e fëmijës por disa situata mund t’i detyrojnë të marrin këtë vendim të vështirë. Disa nga arsyet e mundshme janë:

-probleme ekonomike,

-prindër jo të qëndrueshëm emocionalisht

-varësi nga alkoli apo drogëra të ndryshme

Prindërit janë drita e parë në sytë e fëmijëve dhe si e tillë e para që besojnë. Kur ndodh braktisja kemi të bëjmë me një ndikim të madh mbi ta. Në të njëjtën kohë, të qenurit subjekt i neglizhencës dhe abuzimit nuk është gjithashtu e pranueshme. Pra, të gjitha ligjet në vend janë krijuar për të mbrojtur interesat e fëmijës.

Po shohim ditë pas dite raportime për raste dhune nga më të ndryshmet, kryesisht në zona rurale. A mendon se po bëhet mjaftueshëm nga autoritetet për të parandaluar dhunën?

Ilirjeta Metushi: “Dhuna ndodh kudo, në komisariatin e policisë, në shtëpi, në shkollë, ekziston një cikël dhune në të gjithë shoqërinë.

Sipas Qendrës së Këshillimit për Gra dhe Vajza (me qendër në Tiranë dhe degë nëpër Shqipëri) raportoi se kishte marrë 6,670 telefonata gjatë tre viteve të fundit. Të bindura se gratë që i marrin në telefon janë vetëm maja e ajsbergut, që nga viti 1995, OJF grash si dhe akademikë dhe punonjës shëndetësie në Shqipëri janë përpjekur të masin shkallën e dhunës së shkaktuar nga partner.

Duke marrë parasysh elementet kulturore, ekonomike në pjesën më të madhe të zonave rurale, evidentojmë një sërë rastesh si ky i fundit. Më shumë rëndësi është faktori edukim, integrim i cili sjell devijanca shoqërore, probleme psikike dhe për rrjedhojë ngjarje të kësaj natyre.

Kur fëmija rritet me një familje të dhunshme a e përvetëson këtë sjellje kur të rritet? A mund të themi se nëse një prind është vrasës, ka më shumë premisa që dhe fëmija të jetë i tillë?

Ilirjeta Metushi: Eksperienca në punë më ka treguar se një numër i konsideruar individësh që manifestojnë dhunë në familje janë derivat i një historiku të ngjashëm por jo domosdoshmërisht në të gjitha rastet.

Gjatë ciklit jetësor individë të ndryshëm reagojnë në mënyra të ndryshme, shpeshherë duke përcuar grimcat e agresionit që fshihen në skutat e pavetëdijes së tyre.

Studime të ndryshme kanë treguar se faktori familje është ndikues por jo gjithmonë.

Përfshirja e Shqipërisë në UNICEF, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, daton në vitin 2011.Momentalisht ekzistojnë dy modele dominuese:

1/ Sistemet për mbrojtjen e fëmijës i cili ka në fokus rikuperimin

2/Sistemet për përkrahjen e fëmijës me fokus parandalues

Dhuna ndaj grave fatkeqësisht është në rritje. Por krahas kësaj kemi parë dhe reagim më të madh nga ana e grave të dhunuara, përmes denoncimeve. Si e komentoni këtë fakt?

Ilirjeta Metushi: Dhuna kundër grave në familje: “Nuk është turpi i saj”

Diskriminimi ndaj grave dhe dhuna janë të ndërlidhura ngushtë. Sipas Rekomandimit të Përgjithshëm 19 i CEDAW-s thekson se dhuna me bazë gjinore është një formë diskriminimi që prek rëndë të drejtat e njeriut te gratë. Megjithëse në legjislacionin shqiptar dhe në bazë të kushtetutës grave u garantohet barazi me burrat, në realitet gratë shqiptare vuajnë diskriminim masiv në bazë të gjinisë. Pra në teori gratë shqiptare gëzojnë të njëjtat të drejta si burrat, por në praktikë moszbatimi si i standardeve ndërkombëtare, ashtu edhe i legjislacionit vendas ka sjellë si pasojë përhapjen e madhe të diskriminimit të grave në pothuajse të gjitha aspektet e të drejtave politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Në familjet tradicionale gratë duhet të ndjekin rregullat, duhet të jenë “vajza të mira” dhe dhuna është pjesë e kësaj tradite. Ato nuk e shohin dhunën në familje si dhunë, por si diçka normale.

Pak gra kërkojnë ndihmë, madje edhe nga anëtarët e tyre të familjes, ato që kërkojnë ndihmën e OJF-ve, e bëjnë këtë vetëm kur janë në një gjendje që s’mund ta durojnë më, pak gra kërkojnë ndihmën e autoriteteve.

Polici i vrarë nga Aldi Rama

Psikologia Ilirjeta Metushi

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.