Faik Konica: Nëse jemi neglizhentë dhe jo vigjilentë në paqe, një ditë do të zgjohemi në luftë
“Nëse jemi neglizhentë dhe jo vigjilentë në paqe, një ditë do të zgjohemi në luftë”, kjo thënie e Faik Konicës në radion amerikane NBC më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, është aktuale edhe sot.
Në intervistë ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Uashington, Konica do të shprehte hapur zhgënjimin e tij me agresionin e pabesë të Italisë fashiste ndaj vendit tonë, që dikur e cilësonte mik dhe papritur e shpalli armik:
“Ato ishin marrëdhëniet më miqësore, që mund të ekzistonin: politike, ekonomike, kulturore. Për 20 vjet me radhë qeveria italiane, i thoshte popullit të vet, se Shqipëria ishte një mike e mirë. Papritur, ajo deklaroi se ne ishim një armik.”
Pushtimi italian ishte një goditje e rëndë për ministrin Konica dhe për të tjerët që i besuan miqësisë së shtirur të Benito Musolinit. Në intervistë, Konica e quante agresionin e Italisë kundër Shqipërisë së pambrojtur “një thikë pas shpine”.
Në njërën nga pyetjet e parashturara nga i intervistuesi Hilmar Baukhage, se italianet i kishin marrë të gjitha krahinat dhe se ku do të jetë qeveria e Konicës. Ai i ishte përgjigjur se edhe po ta dinte nuk do të tregonte sepse sipas tij qeverinë nuk e bëjnë ndërtesat dhe se qeveria mund të shkatërrohet aq sa shkatërrohet shpirti i popullit të tij.
“Ne e ruajtëm pavarësinë për 2 mijë vjet kur vendet e huaja që sot s’u ka mbetur nishani, sunduan mbi ne ose të paktën kështu mendonin”, kishte thënë Konica për radion NBC.
Marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë siç thishte Konica, kishin qenë shumë miqësore në të gjitha fushat, madje studentët shqiptar për 20 vite më radhë kishin studiuar në Itali dhe se udhëheqësit italian i kishin thënë popullit të tyre se Shqipëri është mike, mirëpo sipas tij ajo papritur deklaroi se Shqipëria dhe shqiptarët janë armiq të tyre. Kjo intervistën është bërë publike nga Ilir Ikonomi me lejen e radios NBC në Nju Jork.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
