“Turizmi në krizë për staf”, ATOA: Rikthehen holandezët e italianët, rritet me 15% numri i të huajve
27/05/2022 Shpërndaje

“Turizmi në krizë për staf”, ATOA: Rikthehen holandezët e italianët, rritet me 15% numri i të huajve

Pas pandemisë, lufta në Ukrainë ka goditur shpresën për ringjalljen e turizmit në vend.

Shoqata e Operatorëve Turistikë u shpreh për Pozitivi.org se në Mars dhe Prill duhet të kishin ardhur turistët e parë, ata të kulturës dhe të natyrës, por nuk ka një rifillim normal të sezonit.

“Turizmi në Shqipëri këto dy vitet e fundit ka hasur shumë vështirësi, që nga goditja e pandemisë dhe tashmë dhe lufta në Ukrainë. Lufta ka krijuar një vështirësi tjetër për turizmin përveç pandemisë dhe ne sigurisht që jemi penalizuar nga ky fakt, pasi duhet të kishim nisur me përgatitjet e hapjes së sezonit.

Në Mars, Prill janë muajt që nisin të vijnë turistët e parë, ata të kulturës, të natyrës dhe aktualisht nuk i kemi. Për aq kohë sa nuk dimë kur mbaron lufta, nuk mund të flasim me siguri për një rifillim normal të këtij sektori”, u shpreh për Pozitivi.org Doriana Heqimaj koordinatore e ATOA.

Nga 5.6 milionë të huaj të hyrë gjithsej në vendin tonë vitin e kaluar, nga Rusia dhe Ukraina erdhën 146 680 shtetas. Por kjo shifër këtë vit pritet të jetë më e ulët, për shkak të luftës. Sipas ATOA mungesa e tyre për shkak të luftës nuk do ta ndikojë ecurinë e industrisë turistike.

“Në 2021 kemi pasur një numër të lartë të turistëve ukrainas dhe rus, duke qenë se ishin ndër ato vende që nuk kishin probleme të mëdha me pandeminë dhe me çështjen e vaksinimit. Ndërsa pjesa tjetër e turistëve normalisht që ka pasur një ulje të konsiderueshme, saqë mund të themi se turoperatorët dhe agjencitë nuk kanë bërë biznes gjatë kësaj periudhe”.

Bizneset e turizmit janë të ndikuar edhe nga kriza e çmimeve, që janë po ashtu pasojë e luftës. Sipas Shoqates së Operatorëve Turistikë paketat turistike janë rezervuar përpara disa muajsh, kur çmimet nuk ishin në këtë nivel, ndaj barra do të bjerë mbi bizneset. Sipas operatorëve turistikë kjo do të kenë ndikim në sezonin e këtij viti.

“Me nisjen e luftës çmimet janë rritur ndjeshëm në çdo sektor. Kjo normalisht do ndikojë në shumë hallka të zinxhirit të turizmit, duke nisur që nga rritja e çmimit të shërbimeve bazë. Një problem tjetër gjithashtu është se paketat turistike janë rezervuar që përpara disa muajsh, kur çmimet nuk ishin në këtë nivel dhe kjo përsëri ndikon drejtpërdrejtë në bizneset e turizmit duke mos i lejuar që të rriten mjaftueshëm”.

Heqimaj vë theksin te një tjetër problem, teksa shprehet se industria e turizmit po ndeshet me mungesë të fuqisë punëtore.

“Problem tjetër aktual në industrinë e turizmit është edhe mungesa e stafit të kualifikuar, të cilët janë larguar në këto dy vite dhe ne e kemi shumë të vështirë që të punësojmë profesionistë në këtë fushë, pasi e mendojnë si punë sezonale, nuk e konsiderojnë profesion”.

“Sezonaliteti është një problem klasik i turizmit. Shqetësimi mbi mungesën dhe largimin e stafit te kualifikuar është shtuar mbas goditjes që pandemia i dha turizmit, prej mungesës dy vjeçare të biznesit”.

Megjithatë me heqjen e masave kufizuese kundër COVID, turizmi pritet të shënojë rimëkëmbje modeste këtë vit. ATOA thotë se pritet rikthim i turistëve skandinavë, holandezë dhe italianë.

“Pritshmëritë për këtë sezon për sa i përket turistëve, bazuar dhe në prenotimet deri tani pritet një rikthim i turistëve skandinavë, holandezë dhe italianë. Sipas të dhënave të INSTAT deri tani pritet që të kemi një rritje prej 15% të numrit të turistëve krahasuar me vitin e kaluar”.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.