
MAKINAT ELEKTRIKE NE SHQIPËRI ARGUMENTET PRO E KUNDËR
Por apo kundër makinave elektrike. Duket se trendi po shkon drejt këtij tipi të ri makinash që avantazhin e parë, lehtësisht të kuptueshëm kanë leverdinë ekonomike. Me çmimet gjithnjë e më në rritje të karburanteve një makinë që karikohet me energji elektrike kushton disa herë më lirë që ta mbash. Megjithatë të ishte kaq i thjeshtë vendimi do të kishte hyrë në përdorim masiv. Më poshtë po rendisim disa prej avantazheve dhe disavantazheve të këtyre automjeteve.

Avantazhet e automjeteve elektrike
- Nuk kërkojnë karburant, kështu që ju kurseni para. Sipas Drejtoririsë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor një Makinë Elektrike mesatare i kursen një shoferi që përshkon 25,000 kilometra/ vit rreth 850$.
- Janë miqësore me mjedisin pasi nuk lëshojnë ndotës. Kanë nevojë për më pak mirëmbajtje për shkak të një motori elektrik efikas, pra do të shpenzoni më pak kohë e para te mekaniku.
- Ndotja akustike është e dëmshme për shëndetin publik dhe motorrët me Djegje të Brendshme të automjeteve që fuqizohen nga benzinë/ nafta, janë nga burimet më kryesore të saj. Në 100 km, zhurma e brendshme mesatare e një makine me Djegje të Brendshme është rreth 70db. Mjetet Elektrike, nga ana tjetër, janë pothuajse “përshpëritëse”.
- Politikat qeveritare subvencionojnë konsumatorët që të blejnë Makina Elektrike. DPSHTRR i ka zëruar gjitha tarifat për mjetet elektrike, që nga targat te certifikata e pronësisë.
- Gjithashtu ikën nevoja e një leje qarkullimi ndërkombëtare që merrej nga qytetarët. Janë zeruar të gjitha kostot, edhe taksa vjetore për mjetet elektrike është zero.

Disavantazhet e automjeteve elektrike
Problemet kryesore janë:
- Gjetja e stacioneve të karikimit
- Koha e karikimit
- Kostot më të larta fillestare për të blerë makinën
- Rrezja e kufizuar të lëvizjes
- Paketat e baterive mund të jenë të shtrenjta për t’u zëvendësuar.
Arsyet më të zakonshme që drejtuesit i shmangin automjetet elektrike përfshijnë frikën se bateria do të mbarojë para se të mbërrijnë në destinacionin e tyre, e njohur gjithashtu si “ankthi i distancës”, frika nga shumë pak stacione karikimi, kohë të gjata karikimi dhe kosto fillestare më të larta të automjetit.

Situata në Tiranë
Tirana duket se po i paraprin këtij trendi të të ardhmes. Ka qenë Bashkia që ka shpallur si ambicie prioritare shndërrimin e Tiranës në qytetin e autobusëve dhe taksive 100 % elektrike. Arsyeja?! Jo vetëm përafrimi i planit të lëvizshmërisë urbane me atë të qyteteve të tjera evropiane, por edhe përqafimi i të qenit sa më miqësor me mjedisin.
Sipas Matilda Xhafës, përgjegjëse sektori në Drejtorinë e Transportit dhe Trafikut Rrugor “përsa i përket autobusëve linja nr 16, e njohur ndryshe si Unaza e Mesme, po përdor 22 mjete hibride, pra që punojnë si me lëngët djegëse tradicionale dhe me elektricitet”.

Njësoj si me transportin publik, po në kuadër të planit të veprimit “Tirana, qytet i gjelbër”, ka një rikonceptim të transportit të udhëtarëve me taksi. Zyrtarët që merren me politikat në Drejtorinë e Transportit dhe Liçensimit tregojnë se synimi është të dominojë flota elektrike. Të gjithë i kanë vënë re nëpër Tiranë taksitë e tilla, si dhe postacionet ku ato furnizohen me energji elektrike.
Sipas Xhafës: Aktualishtë në qytetin e Tiranës janë të liçensuara 204 mjete elektrike. Nëse do t’i rikthehemi vitit 2017, të tilla kanë qenë vetëm 6, kështu që mendoj se jemi në një rrugë të mirë dhe të duhur, pro mjedisit”.
Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, brenda vitit 2026 pritet të ketë një kufizim të ndjeshëm të mjeteve me lëndë djegëse. Ky standard e shtyn Tiranën të përgatitet për mjetet dhe transportin publik elektrik. Madje edhe në vetë politikat e Bashkisë Tiranë, shtimi i mjeteve elektrike që përdor administrata e saj është prioritet.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.