EVROPA PËRMES LETËRSISË! INICIATIVA QË U JEP MUNDËSI TË RINJVE TË TAKOJNË DHE FLASIN ME SHKRIMTARËT E PREFERUAR.
22/11/2022 Shpërndaje

EVROPA PËRMES LETËRSISË! INICIATIVA QË U JEP MUNDËSI TË RINJVE TË TAKOJNË DHE FLASIN ME SHKRIMTARËT E PREFERUAR.

Në gjimnazin që mban emrin e presidentit historik të Kosovës, “Ibrahim Rugova” një mbrojtës jo vetëm i lirisë, por edhe identitetit dhe kulturës kombëtare, më datë 4 nëntor u zhvillua një bisedë letrare për të diskutuar mbi rëndësinë e leximit dhe “Identitetit Evropian të Shqiptarëve”. Nxënësit, një pjesë e madhe e të cilëve të apasionuar pas leximit, dhe të tjerë të etur për të dëgjuar për librin, por edhe mësuesja e letërsisë, Etleva Kasa dhe drejtorja e shkollës Luljeta Prenci u bënë pjesë e një bisede me shkrimtarin e ri, Alban Tufa. 

Ai ndau me të rinjtë përvojën e tij se si ishte tërhequr që i vogël nga libri, një interes që ndër vite ka ardhur duke humbur.  Shkrimtari i ri foli për rëndësinë e edukimit që në vegjëli për dëshirën për të lexuar, duke u nisur nga fëmijëria e tij. Ai tha se librat e shumtë që kishte xhaxhai i tij (Agron Tufa) por edhe këshillat e tij e kishin nxitur drejt leximit.

“Prandaj janë të rëndësishme këto takime, të flasim sa më shumë për librin, për të lexuarit, për letërsinë, të shkëmbejmë përvojat tona, dhe kjo është një kohë e çmuar që na nxit të kultivojmë më tej këtë dëshirë, sepse të lexuarit ju bën më të ditur, ju pasuron të folurit në çdo lloj marrëdhënie, ju jep siguri kur flisni, ju rrit vetëvlerësimin, ju zgjeron imagjinatën, ju bën të ëndërroni realitete që s’i keni prekur, por ju duket sikur i njihni prej kohësh”-tha shkrimtari Alban Tufa.

Ai u tregoi të rinjve se si libri e kishte ndihmuar të njihte Evropën para se ta shkelte atë.

“Përmes letërsisë kam shkuar me imagjinatë ne vende që s’i kisha shkelur fizikisht, edhe për shkak se vija nga një provincë e vogel si Dibra. Përmes letërsisë në fakt ‘i kam parë’ dhe kam shkruar për ato vende, që kur i kam vizituar shumë vite më vonë kanë qenë të njëjta me përfytyrimin tim, që vinte nga ajo që kisha lexuar. Dhe më besoni është një ndjesi shumë e bukur”-u tha shkrimtari nxënësve

Një përvojë të tillë e ndau edhe një prej nxënësve: “Më ka ndodhur me Parisin. Kam lexuar librin e Ismail Kadaresë ‘Mëngjeset në kafe Rostand’ dhe kur kam vizituar Parisin ishte gjithçka siç e kisha imagjinuar nga leximi i librit.”

Një bisedë që kaloi sa tek rëndësia e leximit, tek shkëmbimi i përvojave, te kurioziteti çfarë po lexonte secili nga të pranshmit, sugjerimet për libra që duhen lexuar patjetër deri te dhurimi I librave nga ana e shkrimtarit Alban Tufa për bibliotekën e shkollës së mesme mesme “Ibrahim Rugova”.

Disa prej gjimnazistëve pranuan se fatkeqësisht sot një pjesë të madhe të kohës ua merr teknologjia. Por thanë se presin që aktivitete dhe biseda të tilla të jenë të më shpeshta për t’I nxitur ata drejt leximit. Në fund të takimin moderatori i bisedës, gazetari Renaldo Salianji i ftoi gjimnazistët që të bëhen pjesë e konkursit të eseve “Identiteti Evropian i Shqiptarëve”, nisur nga vepra e Ismail Kadaresë, në të cilën theksohet se “Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit evropian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër dhjetë a dymbëdhjetë gjuhët bazë të kontinentit”.

Biseda në gjimnazin “Ibrahim Rugova” ishte pjesë e projektit “Evropa përmes Letërsisë” në kuadër të “Tirana, kryeqyteti evropian i të rinjve 2022”.

“Ky projekt/aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.”

#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth

#EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.