“Mbretëresha e dëborës”, teatri i fëmijëve me nevoja të veçanta
29/12/2022 Shpërndaje

“Mbretëresha e dëborës”, teatri i fëmijëve me nevoja të veçanta

Të sfidosh veten, të sfidosh barrierat, të sfidosh pamundësitë, të guxosh çdo ditë e më shumë…ishin këto disa nga mesazhet sensibilizuese që të rinjtë me nevoja të veçanta përcollën nëpërmjet shfaqjes teatrale “Mbretëresha e dëborës”.

Për herë të parë në skenën e teatrit, të rinj me nevoja të veçanta shndërrohen në aktorë të vërtetë, duke interpretuar “ Mbretëresha e dëborës” dhe duke dhënë emocion të jashtëzakonshëm tek publiku në sallë.  

Znj. Anisa Dizdari, Drejtoresh e Qendrës TISS dhe nismëtarja e këtij projekti të mbështetur nga Lëviz Albania, shprehet për pozitivi.org se: “Ka qenë një punë vërtet e lodhshme dhe sfiduese për të rinjtë aktorë por falë profesionalizmit të mjeshtres regjisores Shegushe Bebeti, koreografit Fatjon Sulstarova dhe mbështetjes pakushte të prindërve të të rinjve, shfaqja u realizua me një sukses të jashtëzakonshëm”.

Sipas Dizdarit, “dëshira më e madhe e stafit realizues ka qenë që të rinjtë të jepnin disa mesazhe tek publiku dhe të thyenin disa barriera paragjykimi për Aftësine e kufizuar. Të rinjtë me nevoja të veçanta, treguan se me punë dhe dëshirë mund të arritet çdo gjë”.  

Fëmijët apo të rinjtë me nevoja të veçanta kanë nevojë për mbështetje dhe gjithpërfshirje. Arti dhe sporti mund të jenë terapia më e mirë në luftën e tyre me vështirësitë.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.