EKSPERTËT E INTEGRIMIT I PËRGJIGJEN PYETJEVE TË TË RINJVE MBI PROCESIN E INTEGRIMIT TË SHQIPËRISË NË BE.
17/11/2022 Shpërndaje

EKSPERTËT E INTEGRIMIT I PËRGJIGJEN PYETJEVE TË TË RINJVE MBI PROCESIN E INTEGRIMIT TË SHQIPËRISË NË BE.

A do të shoqërohet anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian me më shumë vende të reja pune, politika më të mira sociale, e hapa të tjerë pozitivë si këto? Këto ishin vetëm disa nga pyetjet që kanë të rinjtë kur flasim për procesin e gjatë dhe të ndërlikuar të vendit në familjen  evropiane. Ata kuriozohen jo vetëm për çështje që prekin interesat e të rinjve, por edhe për diskutime të tilla si siguria ushqimore apo mbrojtja e mjedisit.

Duke u nisur nga interesimi i tyre, ne kontaktuam pesë ekspertë, politikanë e pedagogë që kanë qenë pjesë e procesit apo tryezave në lidhje në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ata iu përgjigjën interesimit të të rinjve me përgjigje të sakta e konçize, duke dhënë disa detaje më shumë në lidhje me atë që e pret vendin tonë në vitet në vijim.

Por më parë le të hedhim një vështrim të përgjithshëm në hapat që ka bërë deri tani Shqipëria drejt familjes evropiane.

Që nga data 19 Korrik 2022, Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat me Bashkimin Evropian. Nga ky moment vijojnë takimet në nivel të lartë midis vendit tonë dhe BE-së për procesin “screening” që ka në thelb përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian. Takimet kryesohen nga Kryenegociatorja e shtetit shqiptar Znj. Dhuka dhe nga një grup ekspertësh për secilin institucion që ndjek ecurinë e procesit. Procesi Screening bën një ekzaminim të detajuar nga KE-ja, së bashku me vendin kandidat për secilin kapitull për të përcaktuar sa është i përgatitur vendi në këtë fushë. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni ia paraqet vendeve anëtare në formën e një raporti analizues me rekomandime që duhet të arrihen nga vendet që aspirojnë të integrohen.

Ky proces ka kohëzgjatjen e tij, por gjatë kësaj kohe vendi duhet të ecë përpara me hapa dhe reforma konkrete që në fokus kanë qytetarët, të cilët duhet të përfitojnë nga këto reforma në kohë afatgjatë. Gjithashtu, procesi në vetvete dhe më vonë antarësimi në BE do të reflektojë disa ndryshime në standardin e jetesës, në përdorimin e monedhës së përbashkët, në ekonomi, arsim, shkëmbimet tregtare etj. Përfitues direkt të procesit në vetvete duhet të jenë sidomos të rinjtë, të cilët do të jenë pjesë aktive e këtij procesi dhe do duhet të përfitojnë gjatë prej tij. Por cilat janë disa nga mendimet e ekspertëve, zyrtarëve, drejtuesve institucionalë, anëtarëve nga komisioni parlamentar i integrimit për kohën e mundshme që do t’i duhet vendit, diktuar dhe nga situata në të cilën ndodhet vetë BE, si dhe hapave konkretë që duhet të ndiqen.

Për sa i takon hapave të radhës në procesin e integrimit, ish-Ministrja e Drejtësisë, aktualisht anëtare e Komisionit parlamentar të Integrimit Etilda Gjonaj thotë se hapat e bëra do të vlerësohen nga Komisioni Evropian që më pas i adresohet Këshillit Evropian për treguesit paraprakë të vendit tonë në diskutimet për negociatat. “Më tej Këshilli do të vendosë, me unanimitet, nëse do të përcaktojë kritere /detyrime për hapjen e grup-kapitullit që është duke u negociuar, mbi bazën e propozimit nga Komisioni sipas raportit të fazës së parë (screening). Komisioni propozon një draft të kuadrit negociues, si bazë për bisedimet që do të zhvillohen. Negociatat për anëtarësim nisin formalisht kur Shtetet Anëtare bien dakord mbi kuadrin negociues– argumenton Znj. Gjonaj.

Gledis Gjepali, drejtues i Lëvizjes Evropiane për Shqipërinë konsideron me rëndësi, prioritetet që ka vendi ynë në këtë moment gjatë procesit të integrimit. “Shqipëria do të ketë specifikisht disa plane pune që do të përfshijnë prioritetet që lidhen me administratën publike, shtetin ligjor, reformën në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat duhet të japin rezultatet në një kohë të shpejtë për të hapur më pas grupimin “themeloret” që do të jetë grupimi i parë që hapet dhe i fundit që mbyllet. Kohëzgjatja mund të jetë 1-2 vjeçare, por kjo në varësi të progresit që Shqipëria do të bëjë, kapitujt që do të hapen dhe të tjerë që do të negociohen”. – shprehet Gjepali.

Njohësit e këtij procesi thonë se gjatë negociatave, të cilat strukturohen sipas grupe-kapitujve, Shqipëria duhet të përgatitet të zbatojë standardet dhe të drejtën e Bashkimit Evropian (acquis). Vetëm pasi ka harmonizuar plotësisht të gjithë legjislacionin dhe ka përmbushur detyrimet e tjera të përcaktuara nga pala evropiane, kjo e fundit do të shprehet për gadishmërinë e Shqipërisë për t`u pranuar në BE. Nëse nuk ka kundërshtime nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së, do të vijohet me nënshkrimin dhe ratifikimin e Traktatit të Pranimit të Shqipërisë.

Por a ka një kohë në vetvete gjithë procesi i hapjes së negociatave deri në integrimin e plotë të Shqipërisë? Në këtë rast, zyrtarët dhe ekspertët nuk mund të flasin për një kohë të përcaktuar, pasi e gjitha varet nga progresi dhe hapat konkretë që ndërmerr vendi. Procesi që është edhe teknik kërkon burime njerëzore të kualifikuara, por dhe vullnet të fortë politik. “Pavarësisht kësaj, shumëçka varet nga përfaqësimi që do të ketë Shqipëria në procesin e negociatave. Përmbushja me përpikmëri e detyrimeve që diktojnë institucionet e BE-së, mund të japë rezultate shumë të kënaqshme. Për shembull, në rastin e Kroacisë procesi i negociatave zgjati rreth 6 vjet, por ky proces pati një metodologji të ndryshme nga kjo që po zbatohet për Shqipërinë. Nga ana tjetër, ka edhe vende të tjera të rajonit për të cilat procesi po zgjat pak më shumë se Kroacia. Ndaj, duke marrë parasysh kërkesat e reja që imponon metodologjia e re e zgjerimit duhet të punohet fort për ta përmbyllur këtë proces në kohën më të shkurtër të mundshme”- sipas deputetes dhe ish Ministres Gjonaj.

Ndërsa Gjepali e lidh kohëzgjatjen edhe me vetë situatën politike dhe gjeopolitike ku është BE-ja, “Nuk ka një qartësi të vetë BE-së, se cila mund të jetë periudha kohore e anëtarësimeve të radhës, kjo për faktin se vende të ndryshme kanë opinione të ndryshme. Nëse marrim shembull Kroacinë që u desh 8 vite për të negociuar, kjo mund të jetë dhe një shembull i përafërt për t’u ndjekur nga Shqipëria për të bërë një parashikim të sajin se kur jemi gati për t’u anëtarësuar. Por, nuk e kemi në dorë ne”- tha ai.

“Ky projekt/aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.”

#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth

#EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.