Aktivistja Refxhei Tola, drejt realizimit të ëndrrës për t’u bërë prokurore e ndershme: Shqipërisë i mungon drejtësia
11/12/2019 Shpërndaje

Aktivistja Refxhei Tola, drejt realizimit të ëndrrës për t’u bërë prokurore e ndershme: Shqipërisë i mungon drejtësia

Aktivistja 20 vjeçare Refxhei Tola është drejt realizimit të ëndrrës së saj për tu bërë prokurore e ndershme. Gjatë eksperiencës që ka pasur si aktiviste e shoqërisë civile është përfshrirë në shumë aktivitete të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në një interviste të dhënë për pozitivi.org ajo thotë se Shqipërisë i mungon drejtësia ndaj ka zgjedhur që kontributin e saj ta japë në sistemin e drejtësisë. “Ndaj kam zgjedhur që kontributin tim ta jap në sistemin e drejtësisë, në një sistem që e vlerëson të aftin por nuk e përbuz të paaftin. Një sistem që garanton shpërndarjen e të mirave në mënyrë të drejtë”, thotë ajo.

Aktualisht 20 vjeçarja është duke ndjekur universitetin e Drejtësisë, njëkohësisht është e angazhuar në disa medie online si gazetare. Për rreth tre vite ka punuar në një fondacion humanitar, si kordinatore projektesh. Në këtë angazhim ka kuptuar se “varfëria në Shqipëri ngjan me një përbindësh, saqë shpesh mendoj se ky fenomen që ka mbytur vendin është një projekt i mirëmenduar politik”. Ndërsa tregon eksperiencën e saj të gjatë dhe planet që ka në të ardhmen, Tola përcjell edhe një mesazh ku bën thirrje të mbrojmë të drejtat që kemi. “Njerëzimit i është dashur luftë, mund e sakrificë për të mbërritur në këtë pikë. Tek të drejtat e njeriut. Ndaj ju lutem, mos lini askënd tjua shkelë!! Është detyrimi moral që ju kemi të gjithë atyre që dhanë jetën që ne të flasim e të jetojmë sot”, thotë ajo mes të tjerash.

Intervista me Refxhei Tola për pozitivi.org, nga Merjeme Tota:

Pozitivi: Nga një nxënëse ekselente, duke fituar vendin e parë në olimpiada të ndryshme, e angazhuar për shumë vite në aktivitete bamirësie, tashmë studente e degës së Drejtësisë, përse kjo zgjedhje?

Për mua drejtësia nuk ka qenë asnjëherë zgjedhje. Ka qenë zgjidhje. Zgjidhje për dhjetëra konflikte që e mundojnë popullin shqiptar. Unë jam prej vitesh aktiviste e shoqërisë civile, dhe për mua roli i individit në shoqëri i përket shërbimit që ai i dedikon komunitetit. Ndaj dhe e ardhmja ime është në ndihmë të shoqërisë. Shqipërisë sot nuk i mungojnë as resurse natyrore e as pasuri nëntokësore. Shqipërisë sot i mungon drejtësia. Ndaj kam zgjedhur që kontributin tim ta jap në sistemin e drejtësisë, në një sistem që e vlerëson të aftin por nuk e përbuz të paaftin. Një sistem që garanton shpërndarjen e të mirave në mënyrë të drejtë.

Pozitivi: Cilat janë disa nga aktivitetet që jeni përfshirë, në fushën e të drejtave të njeriut?

Gjatë gjithë eksperiencës sime si aktiviste e shoqërisë civile jam përfshrirë në shumë aktivitete të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Të drejtat e fëmijëve, të drejtat e grave, barazia gjinore, të drejtat politiko- ekonomike e shumë aktivitete të tjera. Në vetvete unë mendoj se njerëzimi shënoi kulmin e tij me nënshkrimin e të drejtave të njeriut. Është forma me e lartë e civilizimit. Por për ti zbatuar në praktike, ndoshta do të na duhet po kaq kohë…

Pozitivi: Në Shqipëri veçanërisht, cili mendoni se është një nga sfidat më të rëndësishme për të drejtat e njeriut në kohërat aktuale?

Ajo që gjithmonë më ka zgjuar instiktet e mia njerëzore ka qenë dhuna ndaj gruas. Ligjërisht, moralisht më shumë, gruaja është shumë e shtrenjtë për shoqërinë. Shqipëria është e sëmurë për sa i përket kësaj cështje. Kur flas për Shqipërinë dua ta heq theksin nga Tirana e metropolit ku gratë e kanë të thjeshtë të luftojnë për veten. Shqipëri është edhe ajo shtëpia 4 orë larg qytetit, ku gruaja e trajton burrin si Zot e burri gruan si shërbyese. Në Shqipëri është dhe ajo vajza që braktis shkollën sapo fillon të marrë hijen e një gruaje të re, edhe ajo vajza që kur e përdhunuan se besoi askush. Edhe ajo gruaja që denoncoi bashkëshortin për një krim që ai nuk u dënua kurrë…

Pozitivi: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen, të themi 5-10 vjet nga tani – ku e shihni veten duke punuar?

Pasi të përfundoj të tre ciklet e mia të studimit, që sigurisht kërkojnë goxha kohë fizike e shoh veten një prokurore të ndershme të Republikës së Shqipërisë. Ky është plani im i parë. Nuk pretendoj që ky veting ta pastrojë sistemin e drejtësisë, por unë besoj se atëherë Shqipëria do të jetë një vend më i mirë. Jam e sigurt për këtë. Unë punoj me shumë të rinj. Dhe lexoj me kënaqësinë më të madhe dëshirën që ne kemi për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Unë nuk do të doja që në të ardhmen të shkëputesha nga aktivitetet e mia personale. Por absolutisht, do të jem gjithnjë ajo vajza që ngre zërin kur të drejtat e dikujt shkelen.

Pozitivi: Para se të vazhdoni studimet, ku keni punuar dhe cila ishte natyra e punës dhe përgjegjësive tuaja?

Për rreth tre vite kam punuar në një fondacion humanitar, si kordinatore projektesh. Sigurisht që për mua ky angazhim në shumicën e kohës nuk konsiderohej punë. Edhe pse një proces shumë i madh i aktivitetit të fondacionit implementohej në terren, unë kam dalë pak herë në terren. Varfëria në Shqipëri ngjan me një përbindësh, saqë shpesh mendoj se ky fenomen që ka mbytur vendin është një projekt i mirëmenduar politik. Por puna që unë bëja përtej kësaj më ndihmonte të ndihesha mirë me veten, të ndjeja se po bëja dicka për ta sfiduar varfërinë. Dhe jam shumë e lumtur për eksperiencën që kam marrë. Më tej kam punuar edhe disa punë të tjera, kordinatore në një fondacion mjedisi, gazetare, asistente avokate, kam dhënë kurse private… Por aftësimin tim ja dedikoj punës sime më të madhe.

Pozitivi: Punoni si gazetare në media online, a është gazetaria një tjetër pasion për ty?

Aktualisht punoj si kryeredaktore në dy portale, Gazeta Ora dhe Rehatfare.al. Gazetaria është një tjetër pasion i imi. Është ura ime e komunikimit me aktualitetin. Të bësh publike problemet e shoqërisë, tu imponosh institucioneve “hallet” e njerëzve. Kjo është për mua gazetaria. Komunikimi real mes njerezve dhe shtetit. Është real për aq kohë sa është i vërtetë, sigurisht.

Pozitivi: Aktualisht jeni drejtuese e Fondacionit mbrojmë gruan, a mund të na tregoni cilat janë disa raste konkrete në mbrojtje të gruas shqiptare që keni ndërmarrë?

Mbrojmë Gruan është një fondacion me fokus fuqizimin e gruas. Unë kam trajtuar në fillim disa raste konkrete që specifikojnë cdo fenomen që i ndodh gruas shqiptare. Një grua të dhunuar e cila tashmë ka një shtëpi dhe një profesion, një vajzë të shfrytëzuar për disa vite në Gjermani, të cilës i kemi siguruar një profesion si parukiere dhe së shpejti punësohet, një nënë të vetmuar në një mal të Klosit, një grua të prekur nga kanceri që smund të përballojë dot ilacet… Por aktualisht unë jam duke punuar fort me disa projekte që synojnë të ndërhyjnë në sistem. Marrë një nga një, unë smund të ndihmoj të gjitha gratë dhe vajzat. Por nëse ndërhyjmë në mekanizmat e sistemit, mund tua lehtësojmë jetesën.

Pozitivi: Si e shikon gruan shqiptare sot krahasuar me me pare? A kemi bërë ndonjë përparim në zvogëlimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut?

Sigurisht që kemi përparuar. Informacioni sot është më lehtësisht i aksesueshëm. Njerëzit dinë më shumë mbi ato që u takojnë, dhe situata është shumë më mirë se më parë. Në pak vite ne po përjetojmë tranzicionin e shkeljes së të drejtave ligjore nga vetë shteti, mos të harrojmë se ne kemi qenë një vend komunist ku edhe fjala e lirë ndalohej. Demokracia ka pasur ulje ngritjet e saj, por sot jam e bindur se përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e njeriut janë rritur. Si nga shteti dhe nga shoqëria.

Pozitivi: Një mesazh:

Njerëzimit i është dashur luftë, mund e sakrificë për të mbërritur në këtë pikë. Tek të drejtat e njeriut. Ndaj ju lutem, mos lini askënd tjua shkelë!! Është detyrimi moral që ju kemi të gjithë atyre që dhanë jetën që ne të flasim e të jetojmë sot!

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.