Abuzimi me 15 vjeçaren/ Silva Caka: Sistemi arsimor i kalbur, në shkolla duhet të përfshihet edukata seksuale
07/06/2020 Shpërndaje

Abuzimi me 15 vjeçaren/ Silva Caka: Sistemi arsimor i kalbur, në shkolla duhet të përfshihet edukata seksuale

Abuzimi seksual i 15 vjeçares tregoi dështimin e të gjithë hallkave të shtetit. Kështu deklaron në një intervistë ekskluzive për JoTabu.al ish deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Silva Caka. Por sot kur rreziku i fëmijëve duket se është i madh, zonja Caka thotë se është domosdoshmëri një program i veçantë për edukatën seksuale në shkolla. Duhet të jetë studimi dhe jo interneti sipas Cakës, ai që informon fëmijët.

JoTabu.al

Si e keni parë rastin e abuzimit të 15 vjecares? Çfare na tregoi dhe mësoi ne si shoqëri kjo ngjarje?

Silva Caka, ish Deputete e LSI

“Rastin e përdhunimit të vajzës 15 vjeçare, e kam parë si asgjë më pak se dështimi i gjithë sistemit arsimor në Shqipëri. Mësues që heshtin, psikologë inekzistentë, struktura eprore arsimore që refuzojnë të dëgjojnë ankesat e ardhura për rastin në fjalë apo raste të tjera të ngjashme. E nëse si profesionistë nuk dëshironin të dinin, po humanizmi ku përfundoi?! Gjithsesi, kalbja e krejt sistemit nuk i përjashton ata nga përgjegjësia për rastin. Shpresoj dhe inkurajoj që për këtë rast, të paktën të veprojë sistemi i drejtësisë e të mos tregohen selektivë në caktimin e përgjegjësisë penale, për këdo të përfshirë”.

JoTabu.al

Në fakt çfarë duhet të ndryshojë në gjithë infrastrukturën dhe menaxhimin e sistemit arsimor, duke pasur parasysh rrezikun që mund t’iu kanoset fëmijëve nga abuzuesit?

Silva Caka, ish deputete e LSI

“Dëshmitë e ardhura nga funksionarë të përfshirë në ngjarje, si mësues të cilët kanë qenë në dijeni e nuk kanë vepruar, apo si ish drejtori i shkollës, i cili ankohet në strukturat eprore dhe nuk merr asnjë reagim nga Ministria. Reagimi ç’njerëzor nga ana e strukturave policore, tregojnë qartë për indiferencë ndaj qytetarëve dhe problemeve të tyre.

Ne kuptojmë që fëmijët tanë mund të bien shumë lehtë, pre e abuzimeve të çfarëdo tipi dhe që shteti nuk është aty për t’i mbrojtur. Në këtë kontekst, gjykoj që duhet forcuar roli i psikologut në shkolla, duke patur një numër më të madh punonjësish socialë, të cilët duhet të atashohen pranë institucioneve arsimore çdo ditë, me kohë të plotë. Një tjetër rol, më proaktiv në evidentimin e rasteve të ngjashme, duhet t’a ketë edhe bordi i prindërve të klasës apo shkollës, të cilët sigurisht, ndjeshmërinë e kanë më të madhe. Gjithashtu, gjykoj se përfshirja më e madhe e strukturave të policisë, pra policimi në komunitet, do të ndihmonte në zbulimin e rasteve dhe në nisjen e një hetimi, qoftë edhe kryesisht, pa pritur denoncimin nga viktima, të cilën shpesh e shohim të heshtur dhe refuzuese ndaj denoncimit, që mbetet ende një tabu e madhe në shoqërinë tonë.

JoTabu.al

Ka ardhur momenti që edhe sistemi arsimor ta përfshijë edhe më gjerësisht edukatën seksuale në shkollat shqiptare? Si mund të ndikonte edukimi seksual i fëmijëve në mbrojtjen e tyre?

Silva Caka, Ish Deputete LSI

“Mendoj që është më shumë se e domosdoshme. Në kohët që jetojmë, nuk duhet të lejojmë që interneti për fëmijët tanë, të jetë i vetmi burim informacioni lidhur me seksualitetin, pasi shpeshherë rezulton të keqinformojë të rinjtë dhe fëmijët. Është për të ardhur keq që ekzistojnë ende paragjykime dhe hezitime, për të prezantuar fëmijët tanë gradualisht me seksin, trupin e tyre dhe raportet e shëndetshme e të pashëndetshme ndërpersonale. Fëmijët duhet të mësojnë nga familja dhe shkolla se trupi i tyre është i shenjtë dhe se duhet të denoncojnë çdo cënim, sado minimal që i bëhet atij.

JoTabu.al

Mirë informimi do të sillte me shume mbrojtje per fëmijët dhe adoleshentët?

Silva Caka, Ish Deputete LSI

“Patjetër! Familja me aq aftësi sa posedon, por mbi të gjitha profesionistët me shpjegimet e tyre shkencore mbi seksualitetin, do t’i ndërgjegjësonin ata dhe do t’i aftësonin, për të kuptuar rrezikun potencial, pa lejuar të shkohet më larg. Gjithashtu, besoj se njohja e rrezikut, por edhe lirshmëria që do të zhvillohet e fitohet në trajtimin e këtyre temave, do të ndihmojë që të flasin më lirshëm me familjen, njëri-tjetrin, mësuesit apo çdo person tek i cili ata ndjejnë besim. Mendoj se do të kishim një rezultat më të mirë”.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.