Ulet vdekshmëria e nënave pas lindjes në Shqipëri, çdo ditë humbin jetën 830 gra në të gjithë botën
17/06/2021 Shpërndaje

Ulet vdekshmëria e nënave pas lindjes në Shqipëri, çdo ditë humbin jetën 830 gra në të gjithë botën

Shkaku i vdekjes së 29 vjeçares Ardita Muça e cila ka ndërruar jetë 5 ditë pasi ka sjellë në jetë fëmiljën e dytë, vijon të mbetet mister.

Ardita Muça solli në jetë fëmijën e dytë më 30 qershor në maternitetin e Durrësit dhe lindja është kryer me operacion. 29-vjeçarja deri me datën 4 korrik ka qenë e shtruar në spital dhe pasi ka shkuar në banesë, ka gjetur vdekjen një ditë më pas më 5 korrik.

Teksa ka qenë në shtëpi me motrën e saj, në rrethana të çuditshme, sipas familjarëve, 29 vjeçarja ka pirë ujë të ftohtë dhe më pas ka rënë në tokë duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë e reja ka mbërritur në spitalin Rajonal pa shenja jete.

Familjarët e 29-vjeçares kanë bërë denoncim në polici, ku akuzojnë bluzat e bardha për mjekim të pakujdesshëm.

Rasti i nënës së ndjerë të 2 fëmijëve është i  ngjashëm me atë të shumë nënave të reja. Shifrat janë të frikshme. Çdo ditë vdesin afërsisht 830 gra në të gjithë botën, kryesisht nga shkaqe të lidhura me shtatzëninë dhe lindje të komplikuara.

Studimet tregojnë se mortaliteti më i lartë i nënave evidentohet në zonat e varfëra, në ato rurale edhe në vende me të ardhura të ulta.

Sipas OBSH-së shifrat zyrtare të raportuara nga këto vendet kanë pësuar ulje krahasuar me tri dekada më parë. Nëse në vitin 1990 mortaliteti amtar ishte 35 vdekje për 100.000 lindje të gjalla, vitet e fundit kjo shifër është ulur në 16 vdekje për 100.000 lindje të gjalla.

Përsa i takon situatës në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raporton rënie dyfish të vdekshmërisë së nënave. Nëse në vitin 1990 vdekshmëria amtare ka qënë 22.7 vdekje për 100.000 lindje të gjalla, numri u ul në 11.8 vdekje për 100.000 lindje të gjalla.

Ulja e vdekshmërisë amtare do të thotë dhe ulje e sëmundshmërisë tek nënat. Edhe në këtë drejtim statistikat janë optimiste në Shqipëri. Nëse në vitin 1990 raportohej sëmundshmëri 87/100.000 gra, në dekadën e fundit sëmundshmëria pësoi ulje në 18/100.000 gra.

Krahasuar me vendet e rajonit, sëmundjet amtare në Shqipëri ishin më të ulëta se në Serbi, Maqedoni dhe Malin e Zi, por më të larta sesa në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë.
Ekspertët e shëndetit rendisin disa shkaqe për vdekshmërinë amtare.

Sipas tyre, përafërsisht 75% të gjitha vdekjeve amtare ndodhin për shkak të hemoragjisë së rëndë para, gjatë dhe pas lindjes. Infeksionet e rënda kryesisht ato pas lindjes, presioni i lartë arterial gjatë shtatzënisë.

Komplikacionet e ndryshme që mund të pësojnë gjatë ose pas lindjes si dhe aborti. Që të ketë vdekshmëri më të ulët amtare, çdo grua duhet të ketë një shtatzëni të dëshiruar dhe një lindje të sigurtë ku nëna dhe foshnja të gëzojnë shëndet të plotë.

OBSH, autoritet shëndetësore në vendet respektive, UNFPA si pjesë e Axhendës për Zhvillim të Qëndrueshëm, midis viteve 2016 dhe 2030, synojnë të pakësojnë norma globale e vdekshmërisë amtare.

UNFPA në Shqipëri përmes porgrameve për shëndetin riprodhuese dhe mbështetjes së punonjësve të shëndetit; asiston në kualifimin e bluzave të bardha kryesisht në maternitetet e vendit që të realizojnë lindje të sigurta.

Gjithashtu UNFPA në Shqipëri mbështet shtatzëni të dëshiruara përmes programeve të planfikimit familjarë. UNFPA në misionin e saj është e shqetësuar ndaj çdo humbje jete, ndaj thotë se e drejta për aksesin në sistemin shëndetësor është themelor për çdo fëmijë, grua apo burrë për të shmangur sa është e mundur mortalitetin në moshat e reja.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.