A do zgjidhen/ Vaqarri, periferia e zhytur në plehra
08/02/2019 Shpërndaje

A do zgjidhen/ Vaqarri, periferia e zhytur në plehra

Vaqarri është një njësi administrative e përbërë prej më shumë se 8 fshatrash. Problematikat që prekin banorët e këtyre zonave janë të shumta. Gjatë një forumi të organizuar nga QKSCSH banorët ngritën si një problematikë kryesore edhe mungesën e punonjësve qe merren me pastrimin e ambientit.

Esat Tanku, 51 vjeç banor i fshatit Vaqarr dhe punonjës i pyjores në këtë zonë tregon se gjatë punës së tij të përditshme në inspektimin e vënies së zjarreve, prerjes dhe shfrytëzimit të pyjeve, vëren mbeturinat e hedhura në të gjithë fshatrat e Vaqarrit. “Unë jam Esat Tanku, 51 vjeç. Kam lindur në Vaqarr, jam vendali dhe banoj po këtu.  Punoj tek pyjorja në Bashki . Problemi i pastrimit është në të gjitha fshatrat e Vaqarrit.  Që pas reformës administrative nuk ka persona që merren me pastrimin e ambientit. Siç  i marrin mbeturinat i hedhin nëpër kopështe të tjetrit edhe tek pishat lart. Ky është shqetësimi më i madh i yni”,  thotë banori.

Punonjësit e ambientit janë larguar nga puna, që pas referomës së re territoriale. Kosha nuk ka, por as punonjës që të mbledhin mbeturinat në secilin fshat. Tani banorët i hedhin në vende të papërshtatshme, edhe në kopështet e komshinjve, duke ndotur zonat e banueshme. Një gjë e tillë shpesh ka qenë dhe burim konflikti mes qytetarëve. “Kur ne dalim në grup me inspektorët e kemi parë situatën vetë sesi është. Gjatë punës tonë në inspektimin e prerjeve të pyjeve kemi parë sa shumë është ndotur ambienti. Ne shohim mbeturinat që hidhen kudo sepse nuk ka as vendgrumbullim fare, vetëm në rrugën nacionale.

Më parë komuna ka pasur 3 punëtorë të pastrimit.  Fshatarët i kanë pas lënë me thes dhe shkonin punëtorët i merrnin. I ngarkonin dhe i hidhnin direkt në Sharrë. E bënin me rradhë, një ditë shkonin në fshatin Damian, një ditë në fshatin Prush, Allgjatë e kështu me rradhë në të gjithë fshatrat. Dhe nuk kishte mbeturina të derdhura gjithandej si tani”, shton më tej Esat Tanku.

Gjatë forumit të gjithë banorët kërkuan kosha mbeturinash, mjete pune dhe punëtorët e pastrimit të ambientit, siç kanë qenë më parë. “Nëse janë punëtorët ndërgjegjësohen edhe njerëzit, sepse i mbledhin mbeturinat në thasë dhe i lënë në një vend të caktuar. Kurse tani nga s’i hedhin. Nëse të dërgoj unë në një përrua në Damian, është mbushur plot.

Nëpër zonë nuk ka asnjë kosh, kosha ka vetëm rruga nacionale. Vaqarri ka dhe tjerat s’kanë fare. Ka edhe rruga Arbanës sepse janë fabrikat, por ka vetëm në fillim të lagjes. Edhe pak dhe të gjitha katundet do bëhen më keq se tek plehrat e Sharrës”, përmbyll 51 vjeçari.

Fshatrat e Vaqarrit gjithashtu përballen me probleme si mungesa e ujit të pijshëm, probleme me kanalizimet e ujërave të zeza, rrugë në kushte të këqija, s’ka ndriçim, qendra shëndetësore në kushte jo të mira, kopështe jo funksionale, shkolla që duhen rikonstruktuar etj.

Në Arbanë sipas kryeplakut të këtij fshati ka probleme me kanalizimet e ujërave, shkolla 9 vjeçare “Arbanë” është për t’u rikonstruktuar, rrugët e lagjes gjithashtu janë në gjendje të keqe. “Ka familje të izoluara. E dërgojnë ushqimin e kafshëve në krahë”, shprehet kryeplaku i fshatit. Kryeplaku i Sharrëzës thekson se urgjente është, vendosja e shtyllave elektrike.

Sipas një tjetër banori, në fshatin Bulticë qendra shëndetësore nuk ngjan aspak me një të tillë pasi është në kushte të mjerueshme. Në këtë fshat gjithashtu ka mungesë të ujit të pijshëm dhe probleme me kanalizimet e ujërave të zeza. Për fëmijët kopështi është jo funksional. “Duke qenë se kopështi nuk është funksional, banorët detyrohen çdo ditë t’i dërgojnë fëmijët në kopështin e një tjetër fshati, që u merr rreth 1 orë kohë në ditë. Edhe në fshatin Prush paraqiten probleme të tilla”, shton banori. Kryetari i fshatit Prush tha se aty ka nevojë për: “Rrugë, ujë don katuni, edhe kanalizimet janë copë-copë. Katër kërkesa kam bërë për katundin dhe s’kam marrë asnjë përgjigje”.

Një tjetër fshat, Allgjata ka rreth 500 banorë. Problematikë aktuale është rruga kryesore, e lënë përgjysmë. Aty punimet nisën para dy muajsh por tashmë janë ndërprerë duke e lënë rrugën të papërfunduar dhe në kushte më të këqija se më parë, thotë kryeplaku i këtij fshati Pëllumb Musteqja.

“Fshati ka shumë probleme. Po të vini të shikoni rrugën në këtë fshat është me të vërtetë për t’u habitur. Ec  50 metra e kanë lënë kanal, ec 100 metra e kanë lënë kanal. Unë kam bërë kërkesë por ata s’i kanë marrë në konsideratë. Për dy muaj që kanë bërë punime dhe s’kam bërë as 20% të punës. Punimet nuk vazhdojnë. Janë ndërprerë. Takova një ditë atë inspektorin dhe ai më tha do kthehemi. Po të shkojmë ta shikojmë rrugën me të vërtetë habitesh të shikosh s’i kanë punuar. Kjo është rruga kryesore e fshatit”, tha Pëllumb Musteqja.

Edhe pse jetojmë në kohë moderne, shpesh mënyra e jetesës tek disa familje dhe fshatra është si në mesjete. Në fshatin Gropaj të kësaj njësie ka rreth një vit që të gjithë banorët mbushin ujë me gomerë. Kjo sipas banorëve vjen si shak i një rrobaqepësie që të gjithë ujin e ka marrë për vete. Pas nuk mbeten dhe problemet me marrjen e certifikatës së pronësisë.

Në këtë zonë gazrat e impiantit të Sharrës përzihen me aromën e pishave të Lalmit. Edhe pse vetëm 11 km larg kryeqytetit, zhvillimi i këtij komunitetit periferik, ka ecur me hapa të ngadaltë. Banorët shprehen se si zonë është e pasur me toka bujqësore të mbjellshme e të përshtatshme për prodhimin e drithërave. Ka gjelbërim të jashtëzakonshëm dhe një panoramikë mbresëlënëse.

Vaqarri, një komunitet prej afro 11.000 banorësh, por ka nevojë për investime. Banorët dhe kryepleqtë e fshatrave, ngritën një sërë shqetësimesh dhe problematika të zonës, që janë kompetencë e pushtetit vendor. Nevoja urgjente për shumicën e fshatrave janë kanalizimet e ujërave të zeza, probleme me ujin e pijshëm, rregullimi i rrugëve, s’ka ndriçim, mungesë koshash dhe mjetesh pastrimi, s’ka punëtorë që merren me pastrimin e ambientit, qendra shëndetësore në kushte jo të mira, kopështe jo funksionale, shkolla që duhen rikonstruktuar etj.

Nëse kësaj njësie do ti kushtohej më shumë vëmendje, jo vetëm që banorët do ketë kushte më të mira në komunitet, por Vaqarri mund të bëhet destinacion turistik, nëse rinjihet sërish për bukuritë që ka.

Administratori i njësisë  Gentian Myrta gjatë një pronocimi shprehet se është në dijeni të të gjithë problemeve të mësipërme që ka Vaqarri dhe se të gjitha janë referuar drejt Bashkisë së Tiranës për të gjetur zgjidhje. Në planifikimin e investimeve të njësisë administrative Vaqarr për buxhetin afatmesëm të vitit 2019-2021 janë këto çështje, disa prej të cilave janë ngritur dhe nga banorët gjatë forumit.

Pas evidentimit të problematikave nga banorët vëmë re se ka akoma shumë për të bërë në këtë njësi. Redaksia jonë jo vetëm do të ngrejë shqetësimet e qytetarëve, por do të ndjekë se sa prej tyre do të marrin zgjidhje. Nga Beklie Koltraka

Planifikimi i investimeve

K.U.Z   Arbane

K.U.Z   Bultice
K.U.Z   Vishaj
Rikonstruksion rruga e Burgut fshati Vaqarr  ne vazhdim 600m
Rikonstruksion rruge lagjia Sultafe ,fshati  Damjan
Sistemim – asfaltim rruge , fshati Vishaj  gjatesi 2.5 km
Sistemim – asfaltim rruge  lagjia Mallik ,fshati Peush ,gjatesi 1.8 km
Sistemim – asfaltim rruge  lagjia Himeve ,fshati Prush gjatesi 1.2 km
Sistemim – asfaltim rruge  qender ,fshati  Bultice ,gjatesi  1.5 km
Sistemim – asfaltim rruge  lagjia  Kullolle, fshati Lalm ,gjatesi 0.5 km
Rikonstruksion shkolla  cikli ulet  Vishaj
Rikonstr. total  dhe shtese shkolla  9/vjecare  Prush -Gropaj
Rikonstruk. Ura  Damjan
Sistemim -asfaltim rruge lagjia Vrape,fshati  Sharre  1.5 km
Rikonstruksion   shkolla  9/vjecare Lalm
Rikonstruksion   shkolla  cikli  ulet Danjan
Ndertim Stacion pompimi per vaditje   Bultice  Damjan si dhe
veshje kanali vadites  me beton  gjatesi  4 km
Veshje me beton kanali  vadites  Prush  ,Lalm  ,gjatesi 3 km
Sistemim – asfaltim rruge ,unaza brendshme Vaqarr 1 km
Sistemim -asfaltim rruge  Landfildi -shkolla cik.ulet,fshati  Sharre 2 km

© 2019 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.