7 vjeçarja nga Fieri një lule që sapo ka nisur të çelë
Jeton me të ëmën me aftësi të kufizuara, të atin që e solli në jetë nuk e njeh, por një dritare e re hapet për të…
Jeta shpesh na përball me të paritura, por gjithmonë, atje jashtë ka një dritare që hapet në momente të vështira. Të gjithë kemi ardhur në jetë nga dy prindër të cilët nuk e kemi në dorë t’i zgjedhim. Ana Maria është 7 vjeç, nga Fieri dhe ka një histori ndryshe.
Ka ardhur në jetë nga 2 prindër, por njeh vetëm njërin prej tyre. Ana ka jetuar që kur ka lindur me mamanë, e cila është me aftësi të kufizuara. Ndërsa të atin nuk e ka njohur asnjëherë, madje dhe sot që është 7 vjeç nuk i di as emrin, raporton pozitivi.org. 7 vjeçarja erdhi në jetë ilegalisht, por fatmirësisht ka mundur të jetë e barabartë me të tjerët. Ëndrrën që ka çdo fëmijë, të shkelë për herë të parë në bankat e shkollës, 7 vjeçarja ka mundur ta bëjë realitet këtë vit.
Shkollën e kishte të pamundur ta fillonte sepse nuk përballonte dot shpenzimet, mirëpo një gjë e tillë i është mundësuar falas nga shkolla “Dituria”, mëson pozitivi. Çdo ditë shkon në shkollë si të gjithë bashkëmoshatarët. Jeta e saj ka qenë plot me vështirësi, e ky fakt e ka bërë më të fortë e të vullnetshme. Në foton më poshtë vihet re shkëlqimi në sytë e vegjël e të zinj dhe dëshira që ka për shkollën.
E ëma dhe vajza jetojnë në Fier, në një banesë të dhënë nga Bashkia. Në mëngjes shkon në shkollë, nga dreka kthehet sërish pranë personit që me shumë mundime e solli në jetë. Me të e kalon ditën dhe natën, të dyja duke u kujdesur për njëra-tjetrën… Ana tashmë ka mundësinë të shkollohet dhe të jetojë e lumtur me ato kushte që ka. Mundësia që i është dhënë, mjetet dhe shpenzimet e shkollës falas, e kanë bërë 7 vjeçaren të shkojë fluturimthi çdo ditë në shkollë. Vogëlushja është një shembull që tregon se në jetë duhet ta presësh çdo sfidë, të kënaqesh me aq sa ke, por të jesh optimist e i vullnetshëm për të ardhmen…

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
