Lajmet e harruara nga pandemia/ Shtresat në nevojë jashtë vëmendjes
20/07/2020 Shpërndaje

Lajmet e harruara nga pandemia/ Shtresat në nevojë jashtë vëmendjes

Shtresat në nevojë ishin ato që në fakt kanë vuajtur më së shumti izolimin për shkak të Covid – 19. Kushtet e vështira në të cilat ata jetojnë janë përkeqësuar edhe më tej gjatë izolimit. Edlira Çepani, përfaqësuese e shoqërisë civile, thotë se media u fokusua pas rasteve të prekura me Covid, por nuk i kushtoi vëmendje të mjaftueshme problematikave të tjera siç janë : dhuna me bazë gjinore, dhuna seksuale apo dhe trajtimi i fëmijëve në situatë rruge.

Edlira Çepani:

“Periudha e izolimit për shkak të Covid – 19 ishte një nga periudhat më të pazakonta që ne kemi kaluar ndonjëherë, kështu që edhe mediat ndoqën të gjitha rastet e prekura me Covid dhe masat e ndërmarra. Do të thoja se ka qenë një përgjigje e menjëhershme edhe e institucioneve duke nxjerrë protokollet për funksionimin e strehëzave dhe mekanizmi i referimit të dhunës. Për sa i përket denoncimeve, kemi thënë disa herë se ndonëse numrat e denoncimeve për dhunën me bazë gjinore kanë rënë, këto shtresa kanë qenë realisht në rrezik në këtë situatë”.

Megjithëse media është munduar në jo pak raste të referojë këto problematika ka një çështje për të cilën ajo nuk ka kryer misionin e saj thotë Edlira Çepani.

Edlira Çepani:

“Unë do të flisja për një problematikë tjetër të cilën nuk e kam dëgjuar por dhe në bazë të monitorimit të medias ne nuk e kemi hasur. Ka qenë pikërisht ajo e fëmijëve në situatë rruge, fëmijët e braktisur. Unë nuk e kam parë të trajtuar këtë çështje. Kjo na bën të duket sikur nuk merren masat e nevojshme që ata fëmijë mos të jenë në situatë rruge. Patjetër që media është zëri më i rëndësishëm, i cili e prek dhe e nxit opinionin publik që të reagojë në këtë drejtim”.

Përveç rasteve të denoncimit të këtyre fenomeneve shqetësuese për këto shtresa, një problematikë tjetër edhe më e madhe është përballimi i izolimit të këtyre shtresave në rrezik. Jo vetëm rreziku i dhunës por edhe ai ekzistencial ka qenë i pranishëm për znj. Çepani, ndërsa e gjithë kjo situatë nuk ka marrë vendin që i takon në media. Megjithatë ajo i njeh dhe merita medias për sa i përket familjeve të prekura nga tërmeti i Nëntorit të vitit të shkuar.

Edlira Çepani:

“Një fenomen të caktuar e shohim edhe ndaj dhunës me bazë gjinore, e shohim edhe me abuzimet seksuale, ndaj fëmijëve sidomos, e shohim edhe ndaj shtresave të margjinalizuara të cilët jetojnë në kushte ekstreme dhe në periudha ekstreme jetojnë edhe më keq. Media ka një rol shumë të rëndësishëm, bën shumë për sa i përket ngritjet së zërit të këtyre problematikave por në këtë periudhë mund të kishte edhe raste të tjera që mund të bëheshin kronika. Por nuk kanë munguar as rastet kur gazetarët kanë shkuar pranë familjeve në nevojë, për shembull kanë shkuar pranë familjeve në Durrës. Në këtë periudhë të pazakontë media ka zgjedhur që të jetë më prezent për çështjet e sigurisë shëndetësore pasi edhe rreziku për to ka qenë më i madh”.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.