La universitetin, punoi në ndërtim për të mbajtur familjen, rrëfehet Leoreni: Si rrezikova jetën
Historia e Leorenit që u përmbyt, si “hodhi” tutje ëndrrat për të mbajtur familjen…
Përmbytjet goditën rëndë shumë familje, një prej tyre ishte ajo e 19 vjeçarit Leoren Tarko, në fshatin Gjokaj të Vorës. Leoreni ka prekur mijëra zemra, kur u përlot përpara ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ndërsa i tregonte se shtëpinë ia kishte mbuluar uji, dhe kjo ishte e 7-ta herë.
19 vjeçari gjatë një interviste për Pozitivin tregon jetesën e vështirë që ka pasur që në fëmijëri. Pasi mbaroi gjimnazin, aplikoi për të vazhduar universitetin dhe i doli. Gjithmonë ka ëndërruar të bëhet mësues i shkollës fillore, por rrethanat e detyruan të heqë dorë. Jeta e ka vënë përpara 2 zgjedhjeve, të sigurojë të ardhura për familjen ose të ndjekë universitetin, për një të ardhme më të sigurtë dhe të barabartë me moshatarët.
Leoreni zgjodhi familjen, la universitetin, dhe shkoi në Mal të Zi për të punuar në ndërtim. Sa e vështirë duhet të jetë për një të ri, të “shembë” ëndrrat për të mbajtur familjen? 19 vjeçari tregon për pozitivin se ishte shumë e vështirë për të dhe famijen. Puna në Mal të Zi për muaj të tërë i ka rrezikuar dhe jetën. Leoreni tregon disa rreziqe që ka kaluar gjatë kohës që punonte në ndërtim si dhe kërkon ndihmë nga shteti për të kapërcyer situatën e përmbytjeve.
“Njëherë me ka hyrë një gozhde në këmbë, dhe një ditë bëra pushim e nisa punë ditën e dytë. Herë tjetër lidha disa puntela tek vinçi, dhe personi që e dretonte pa më parë mua e ngriti para kohe, më zuri gishtat edhe më ngriti nja 2 metra në ajër. Më pas të gjithë bërtitën “ule ule ule”… më ruajti zoti aty e shpëtova. Sërish nga vështirësitë e punës desh e mbyta njërin. Më shpëtoi një hekur nga dora e i ra në shpatull, për fat të mirë si ra ne kokë. Ai kishte qenë poshtë meje…”.
Pavarësisht vështirësive që ka kaluar, guximi, vullneti i këtij të riu për të mbajtur familjen është për t’u vlerësuar dhe marrë shembull. Jo të gjithë kanë mundësi t’i realizojnë ëndrrat në kohën që duan, ndaj për Leorenin ka ende shpresë. Rrethanat nuk ia dhanë mundësinë por ai shprehet se nëse gjendja ekonomike përmirësohet sigurisht që do ta fillonte uiversitetin.
Intervista me Leoren Tarko për pozitivi.org:
Pozitivi: Jeni përpjekur ta rregulloni pak gjendjen e krijuar nga përmbyjtjet në shtëpi?
Leoren: Jemi përpjekur nga ana estetike, e kemi pastruar e larë, si dhe një dhomë ku qëndrojmë. Këtu kemi ndenjur, nuk kemi pranuar të lëvizim pasi s’duam të na harrojnë siç kanë bërë vite me radhë s’na mbetet veçse t’i lutemi Zotit e të shpresojmë tek ai pasi në Shqipëri fiton i pasuri, ndërsa fukarai vuan gjithnjë. Ne të vuajtur gjerë sa arritëm këtu ku jemi e të vuajtur na bëri prap, e të vojtur do ngelemi nëse drejtësia nëpërkëmbet në këtë mënyrë… Si me firmat që kanë bllokuar kanalet. Gjithë ai kanal ndërtohet, por firma, vendos pas shtëpisë sime një tub që as miun nuk e zë të kalojë. Si mund të pritet të mos permbytem, çdo vit madje.
E mbulon kanalin e bën pronë të sajën edhe firmës i jepet leja e ndërtimit legalizim e çdo gjë që i duhet për të qenë e ligjshme, kurse mua s’po më jepet akoma edhe në këtë situatë një legalizim për t’i shpëtuar përmbytjes së vazhdueshme që na ka pirë gjakun për të 7-in vit radhazi.
U rrita, qysh fëmijë, qysh 12 vjeç unë mbaj mend këtu vetëm të përmbytemi çdo vit njëherë më pak e njëherë më shumë më mirë të na mbysin fare. Familja ime është korrekte me shtetin, çdo taks e çdo detyrim ndaj shtetit e kemi paguar, kurrë s’kemi qenë të jashtligjshëm, dhe kur me dritat ishin te gjithë, e sot shteti ku është të më ndihmojë.
Të më ndihmojë, nësë s’më jep dot dëmshpërblim, nuk kam nevojë do i sajoj borxh vetë tek miqtë e shokët e mi thjesht kam nevojë për një copë letër që quhet legalizim që kam 3 vjet rresht që e kërkoj, por sot s’duan të ma japin. Nuk kam nevojë për premtime, unë jam lodhur me premtime qoftë me gojë e qoftë me telefonata unë kam nevojë vetëm për një leje te shpëtoj familjen time e të jetoj dhe unë pa friken se kur të bjeri shi rrezikoj të mbytem, të jetoj pa frikën se edhe këtë vit me duhet të investoj të blej rroba mobilje elektroshtëpiake apo qoftë edhe këpucë e atlete se vit për vit mi qeroi uji…
Pozitivi: Babai jot është i sëmurë dhe jo në gjendje të mirë për të punuar. Si i gjeneroni te ardhurat?
Leoren: Babai im është operuar në veshkë, dhe me një veshkë punë krahu me kohë nuk bën dot. Unë kam emigruar vjet duke e lënë shkollën. Mbarova gjimnazin, më doli shkolla e lartë, u regjistrova mirëpo më doli rasti të ikja për punë edhe zgjodha të ndihmoj familjen. Kam qenë në mal të zi 6-7muaj, andej kam punuar sakrificë. Erdha këtu, bleva disa gjëra që nga viti që shkoi ishin dëmtuar në përmbytjen e vjetshme, kohë kur unë nuk isha në shtëpi.
Pozitivi: Sa e vështirë ka qënë për ty të lësh shkollën duke qenë vetëm 18 vjeç, ndërkohë që moshatarët e t’u bënin plane tjera? Çfarë pune ke bërë?
Leoren: Atje kam punuar në ndërtimtari. Ika me një agjenci, e veshtirë ka qenë shumë. Nga padituria edhe jam vrarë e prerë shumë në punë, mirë që kam shpëtuar por ça të bëja si të rregulloja të ardhura për familjen time. Kush më merrte në punë në Shqipëri dhe a mbahet familja me 200-250 mijë lekë të vjetra në muaj.
Pozitivi: Më trego disa raste reziku kur punoje në ndërtim?
Leoren: Njëherë me ka hyrë një gozhde në këmbë, dhe një ditë bëra pushim e nisa punë ditën e dytë. Herë tjetër lidha disa puntela tek vinçi, dhe personi që e dretonte pa më parë mua e ngriti para kohe, më zuri gishtat edhe më ngriti nja 2 metra në ajër. Më pas të gjithë bërtitën “ule ule ule”… më ruajti zoti aty e shpëtova.
Sërish nga vështirësitë e punës desh e mbyta njërin. Më shpëtoi një hekur nga dora e i ra në shpatull, për fat të mirë si ra ne kokë. Ai kishte qenë poshtë meje. Dhe në fund kur jam larguar nga puna ika pa marrë 1000 e ca euro e për ato kam qenë mbi 7-8 herë për t’i marrë pos s’mi kanë dhënë.
Pozitivi: A ishte dakort familja jote që të lije shkollën për të bërë një punë tepër të rëndë për moshën që kishe?
Leoren: Unë jam djali i madh i familjes, kam dhe një vëlla në vit të dytë në gjimnaz. Prindërit nuk donin të shkoja, më thanë i marrim lekët borxh, vetëm bëj shkollën. Por unë çfarë të bëja? Unë të rrija në shkollë e kafeneve me shoqërinë, ndërsa mami e babi të hynin në borxh për mua. Ndoshta si unë ka dhe shumë të tjerë, madje dhe më keq po çfarë masash ka marrë ky shteti jonë për këta njerëz në nevojë. Vetëm në fillim të shkollës ishte tarifa 200 e ca mijë lekë, mirë që s’e paguajta se do kishte ik kot pasi unë me 24 shtator 2016 ika të punoja në Mal të Zi.
Pozitivi: Nëse do t’i zgjidhje problemet ekonomike, do dëshiroje të vazhdosh studimet?
Leoren: Sigurisht që po. Nuk i them jo rrugës për t’u bërë i ditur por njëkohësisht nuk e vendos dot shkollën para familjes time. Dëshirë gjithnjë kam pasur të bëhem mësues i ciklit të ulët, të mësoja fëmijët, të komunikoja me ta, t’i edukoja. Kjo ka qenë ëndërr për mua por në Shqipëri ëndrrat që arrihen janë të pakta. Unë kam mbaruar gjimnazin me mesatare të mirë dhe s’kam qenë keq me mësime sidomos shoqëroret i kisha pasion… por realiteti këtu është i hidhur.
Pozitivi: A do zgjidheshin problemet nëse merr lejen dhe ndërton katin e dytë të shtëpisë apo kërkon dhe më shumë ndihmë nga shteti?
Leoren: Ja pra rast real për atë zot që është një e i lutem e i falem çdo fjalë që të them, e them me zemër e s’kam interes të mashtroj.
Unë isha i pari në Vorë që u përmbyt banesa edhe i pari në listën e ankesave në bashki për t’u dëmshpërblyer e mua akoma s’më ka ardhur as drejtori i emergjencës civile. Vetëm policia më solli dy dysheqe dhe tavolina…
Kam pritur 6 vjet, ky është viti i 7, do pres edhe disa ditë do bëj durim edhe nëse nuk më jepet një zgjidhje do jem unë ai që do paguaj një fadrome e ta shemb, më pas të shkoj të jetoj atje në kasollen e vjetër që kemi në fshat në Gramsh. Më mirë në fshat, me 5 njerëz që s’të mbysin, s’të harrojnë se sa këtu që na kanë zënë frymën bizneset e po na pinë gjakun në vetull.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.




