E braktisur nga të gjithë
28/02/2020 Shpërndaje

E braktisur nga të gjithë

Një vajzë adoleshente, e rritur mes problemeve, vështirësive, një baba në burg dhe një mama me problem të shëndetit mendor mendonte se gjithshka i kishte shkuar keq, madje aq keq sa nuk kishte më asgjë për të humbur. Por një ditë papritur humbi dhe mbështetjen e gjyshes, e vetmja që e kishte strehuar dhe ushqyer. Vajza adoleshente (identiteti i të cilës nuk tregohet edhe pse rasti është dokumentuar në një dosje voluminoze pranë Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëe në Devoll) doli në rrugë. Punonjësja e Njësisë Eneida Kello e mësoi ngjarjen nga policia, që sic tregon ajo vetë referon shumicën e rasteve të ngjashme. Adoleshentja e përzënë nga shtëpia pa arsye, kishte nevojë urgjente për mbrojtje pasi ishte në rrezik trafikimi…

Zgjidhja?

Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve në Devoll ka vetëm 1 punonjëse. Ajo është Eneida Kello e cila ka lidhur kontaktet me policinë dhe mëson e para kur ka fëmijë me probleme si ai I adoleshentes. Edhe në terren Eneida është lidhur me psikologet e shkolllave dhe këdo që mund të bëhet pjesë e sistemit të referimit. Disa raste raportohen në polici, disa në shkollë e disa në bashki, gjykata apo shërbimi social shtetëror,  dhe trajtohen nga kjo njësi. Në rastin e adoleshentes qe Eneida do të tregonte më pas për UNICEF snisi procedurat për vendosjen e saj në një qendër rezidenciale në një qytet tjetër dhe kërkoi mbështetje nga organizata ARSIS, e cila ka një përvojë të gjatë për këto raste. Së bashku me Xhenin, kolegu i saj, specialist I ndihmës ekonomike në bashki, ajo udhëtoi në qytetin ku kryente dënimin babai i vajzës dhe mori deklaratën e tij se ishte dakord për vendosjen në qendër. Vendosja në institucionin rezidencial rezultoi një proces jo i lehtë për vajzën. Gjithçka ishte ndryshe dhe e huaj në “shtëpinë” e saj të re. Ajo u largua për disa ditë nga qendra, por me ndihmën e policisë u gjet dhe u bind nga Eneida të rikthehej. Tani duket se cdo gjë shkon mirë, vajza ndjek shkollën rregullisht dhe Enedia është vazhdimisht në kontakt me qendrën për të monitoruar ecurinë e saj. Ky është një rast kur sistemi i referimit ka funksionuar.

Devolli, ku kjo  vajzë adoleshnte u identifikua brenda 24 orëve që kisht dale në rrugë dhe u shpëtua ka 48 mijë banorë të shpërndarë në 5 njësi administrative. Ka vetëm një çerdhe dhe 32 kopshte për 949 fëmijë të vegjël, ndërsa 4120 femijet janë në shkollë nëntëvjecare. Në vitin 2017, Bashkia krijoi Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Eneida Kallo është e vetmja punonjëse në këtë strukturë. Zyrën e saj që e ndan me 5 kolegë të tjerë të shërbimeve sociale që merren me ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar dhe dhunën ndaj grave.

Situata e fëmijëve në rrugë

Po a janë rastet e mësipërme të izoluara apo fenomen shqetësues për të cilin duhen marrë masa?

Shifrat flasin vetë. Sipas Ministrise se Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale në vitin 2014 u identifikuan 2547 femijë në situatë rruge ndërsa për 2 vitet në vazhdim 2015-2017 shifra u rrit me 414 raste te reja.

Sipas tabelës së mëposhtme (tab 1)  në vitin 2017 u idetifikuan ne terren 372 femije. 251 prej tyre u menaxhuan përmes shërbimeve sociale në 7 bashki të vendit.

Në vitin 2019 u tentua të ashpërsohen masat ndëshkuese me qëllim frenimin e shfrytëzimit të fëmijëve, duke dorëzuar. 30 kallzime penale

Ndërsa Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinise arriti të kthejë në shkollë 208 fëmijë në situatë rruge në vitin 2017. Ndërsa në viti 2019 nisën shkollën 169 fëmijë.

Ajo që vlen të përmendet është funksionimi i sistemit të referimit, që në Tiranë ka bërë të mundur të regjistrohen në shkollë 11 raste e në kopshte e cerdhe 15 raste. (tab 2)

Nëse një fëmijë është në situatë rruge nuk është vetëm i pa arsimuar. Në vitin 2018 nga 289 fëmijë të identifikuar në kryeqytet në situatë rrugë, 15 të përfshirë në punë informale shitje, larje xhamash, parking etj, në 7 raste ishin të pa regjistruar fare në gjendje civile . Në 12 raste familjet janë mbështetur me bonus qiraje dhe në 10 raste janë punësuar. (tab 3)

Viti 2019 bashkia e Tiranes identifikoi 158 fëmijë në situatë rruge. Kjo pas 650 vizitash në terren për periudhën  Janar – Qershor 2019. Dy prej tyre janë në proces për vendosje në familje kujdestare.

Trafikimi i fëmijëve

Përvec mungesës së arsimimit sipas raportit më të fundit të Agjensisë Britanike kundër krimit ndaj fëmijëve dhe CRCA në Shqipëri, në vitin 2018 plot 217 fëmijë janë trafikuar kryesisht për qëllime seksuale sipas Agjensise Britanike kundër krimit ndaj fëmijëve ndërsa sipas policisë së shtetit shifra është 90.

2009-2019 nga 115 autorë të akuzuar nga policia për trafikim të fëmijëve janë dënuar vetëm 42 prej tyre.

Roli i medias

Pasqyrimi në media i rasteve kur të miturit janë viktima të abuzimit seksual, keqtrajtimit, punësimit dhe shfrytëzimit në rrugë janë detyrë e gazetarëve, njësoj si është detyrim ruajtja e anonimatit në të tilla raste.

Tentativa për abuzim seksual me dhunë të një të miture 8-vjeç nga dy djem 13 dhe 16 vjeç në Durrës (Korrik 2019) zuri faqet kryesore të shtypit, mediave online dhe lajmet e para në mediat vizive. Kjo, jo vetëm si një rast i rëndë por sporadik po si një ngjarje e përsëritur pas atij të Kavajës (Janar –Shkurt 2019) ku një tjetër e mitur u dyshua se u abuzua seksualisht nga 7 (ose më shumë) djem.

Po si trajtohen në media raste të tilla që janë të ndjeshme për viktimën, familjen? Ruhet etika, identiteti i personave të përfshirë në ngjarje apo e vërteta e publikimit të lajmit(klikime) prevalon mbi çdo ndjeshmëri njerëzore? Disa përgjigje i jep një monitorim i realizuar nga portali pozitivi.org për një periudhë 7 mujore, duke përfshirë pesë mediat me audiencë më dominuese në vend për të analizuar mënyrën se si trajtohen rastet e të miturve të keqtrajtuar, të abuzuar dhe të atyre që jetojnë dhe punojnë në rrugë. Mediat e monitoruara janë televizionet kombëtare “Top Channel”, “TV Klan”, Agjencia e lajmeve “Balkanëeb”, televizioni informativ “Ora News” si dhe një nga gazetat më të mëdha në treg “Panorama”.

Konkluzionet e monitorimit ishin se në përgjithësi respektohet ruajtja e identitet por ofrohen me tepri detaje këto që nuk i shërbejnë opinionit publik. Jepen detaje që duhen shmangur për të mos krijuar më pas pasojat psikologjike te viktima dhe në anën tjetër për të mos dhënë modele të ngjashme tek adoleshentët e tjerë. Në raste të ngjashme mediat hapen me tituj që në gazetari cilësohen si bombastikë, por për publikun e gjerë japin një impakt negativ, të panevojshëm dhe tërësisht të shmangshëm.

Për juristin Jordan Daci, angazhuar profesionalisht si avokat dhe me eksperiencë të gjatë akademike në fushën e të Drejtave të Njeriut, ka disa problematika të ndeshura në pasqyrimin mediatik të çështjeve ku të miturit dhunohen. Me bërjen e rastit mediatik dhe ku gjithësecili argumenton dhe del në përfundime mund të ndikojnë në vendimet e marra në gjyqësor. Theksi në këtë rast vihet në nevojën urgjente për të ruajtur të dhënat personale. Juristi Daci mendon se “Mbrojtja e të drejtave të viktimës është qëllimi për të mos e riviktimizuar atë”. Publikimi i të dhënave në media si identiteti, pamjet filmike si dhe detaje të ngjarjeve sipas avokatit lënë pasoja të parikuperueshme psiko-sociale tek të miturit. “Ka publikim të dhënash dhe kjo është shkelje e të drejtave të njeriut për shkak se cënohen të dhënat personale”.

Ndërsa psikologia Aurela Agalliu shpreh shqetësimin për mediatizimin e një ngjarjeje të tillë: “Publikimi i ngjarjeve të tilla shkakton probleme të shumta të cilat e rëndojnë situatën dhe nuk ofrojnë zgjidhje. Duke pranuar se pjesërisht pushteti i medias, ndihmon në marrjen e masave ndaj dhunueseve, duhet marrë në konsideratë se në një kontekst si Shqiperia, të dhunuarit apo abuzuarit hasen me format e ndryshme të etiketimit moral. Një peshë e rëndë mbi individin dhe mënyrën e përceptimit për të kapërcyer veshtirësitë dhe pasojat traumatike qe e shoqërojnë pas ngjarjes. Së dyti, përmendim faktorin e riviktimizimit. Gjasat janë edhe më të lartë kur identiteti bëhet publik dhe i njohur për audiencën, sidomos në rastet kur të abuzuarit janë të mitur, kjo mund te sjell rënien serish viktimë e një ngjarjeje të njëjtë”.

Gazetarët e çështjeve sociale, kryesisht ata që kanë dhe eksperiencë më të madhe si reporter janë më të prirur të zbatojnë etikën duke mbuluar imazhin e fëmijëve, duke dhënë vetëm inicialet në rast se i mituri është përfshirë në një situatë në konflik me ligjin apo është viktimë e shfrytëzimit për punë apo abuzimit seksual.

Ajo që i mungon sot medias shqiptare është një përpjekje për vetkorrigjim, duke pasur parasysh faktin se kur flasim për ngjarje delikate me dhunë, abuzime apo shfrytëzime të çfarëdo lloji, nuk flasim thjesht dhe vetëm për statistika, por pë jetë njerëzore që më shumë se vet ngjarja mund ti damkosë për gjithë jetën, bërja e saj mediatike. 

Rekomandime

Situata e mësipërme tregon që të dhënat në disa raste janë kontradiktore.  Bashkitë kanë statistikat e tyre, ministria e punës dhe cështjeve sociale të tjera, policia të tjera e ministria e arsimit të tjera më vete. Mungon një koordinim apo një studim kombëtar me evidenca te plota me mbi situatën e fëmijëve në rrugë apo me problem.

Gjithashtu shifrat flasin për pak kallzime e shumë më pak ndëshkime. Masat merren kur rastet janë emergjente por jo gjithnjë janë të vazhdueshme. Ka shumë raste kur fëmija nis shkollën por e braktis sërish.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.