Bukinisti: Kam kaluar ditë të nxehta dhe me shi e stuhi duke shitur libra
Në Tiranë librat mund të blihen jo vetëm në libraritë klasike, në rrugë dhe trotuare, shitës ambulante shesin libra shpesh të vjetër, por edhe tituj aktual. Në një shëtitje rreth Tiranës vihen re shitësit e librave. Trotuare të mbushura me libra të vjetra që shiten kryesisht nga ata që librin e kanë mik të ngushtë të jetës së tyre. Kështu është dhe historia e Xhevat Çaushit, bukinistit që prej 25 vitesh shet libra në rrugët e kryeqytetit. Në një intervistë për Pozitivi.org Xhevati ndan jo vetëm pasionin dhe përkushtimin e përditshëm por dhe vështirësitë që has cdo ditë.
Ju jeni një nga ata persona që keni zgjedhur që një cep të trotuarit në kryeqytet ta ktheni në librari, sa vite keni që shisni libra dhe si është një dite pune e juaja?
Në fillimet e demokracisë si shumë biznese të tjera që filluan në trotuar dhe unë fillova të tregtoj libra me pakicë në trotuar. Kur bizneset e tëra u larguan nga trotuari, ne të librave kemi qënë të privilegjuar falë mbrojtjes që kemi pasur nga kryebashkiakët që kanë ikur dhe kanë ardhur, sepse ata janë miqtë e librit. Kam 25 vite që merrem me libra, kam kaluar ditë të nxehta dhe të ftohta ditë me shi dhe stuhi, por gjithmonë këtë punë e kam bërë më dëshirë dhe pasion.
Pse mendoni se lexuesit duhet t’ju zgjedhin ju dhe jo të shkojnë në një librari fizike?
Një pjesë e klienteve është i detyruar të më përzgjedhë mua sepse tek unë gjen ato libra që në librari fizike nuk i gjen, si përshembull romane të vjeter libra për shkolla profesionale ndërtimi, hidraulike, elektrike, mjekësore, juridik, gjuhësor, bujqësor, historik, libra shkollore, ushtrime të zgjidhura për nivele të ndryshme, fjalore dhe metoda të përdorur dhe me çmime të arsyeshme. Gjithashtu ka klientë të cilët kanë vite që janë besnikë dhe gjejnë shumëllojshmëri të librave të të gjitha fushave dhe me çmime shumë të favorshme.
Cilat janë pritshmëritë tuaja dhe çfarë vështirësish keni hasur? Sa libra në ditë shiten?
Objektivat që i pata vënë vetes arsimimin e fëmijëve dhe krijimin e bibliotekes familjare e realizova falë kësaj pune. Edhe pse lagem në shi edhe kur kam ftohtë dhe kur kam vapë, edhe pse lodhem këto vështirësi i përballoj sepse të librat qëndrojnë njerëzit më të kulturuar dhe të arsimuar e në komunikim me ta dhe kur je lodhur çlodhesh.
Kush është target grupi që blen më shumë libra dhe cilat zhanre librash kërkohen më shumë?
Më afër librit janë vajzat dhe fëmijët e moshave të ndryshme, në distancë qëndrojnë djemtë dhe burrat. Të rinjtë kryesisht preferojnë libra motivues, libra psikologjik, libra të Drajzerit, të Tolstoit, Remarkut, Balzakut, Hygoi, Kafkes, Paulo, Coelho, Floberit, Kadares, Agollit etj.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.
