Agida Koci, gazetarja e apasionuar pas fotografisë
19/08/2022 Shpërndaje

Agida Koci, gazetarja e apasionuar pas fotografisë

Pjesë e momenteve më rëndësishme të shumë organizimeve familjare, Agida Koci ndan me pozitivi.org pasionin e saj për fotografinë që ka nisur në mënyrë shumë rastësore. Me profesion gazetare, por gjithmonë gati për fotografuar momentet më të bukura.

Agida si ka lindur dashuria për fotografinë?

Nuk mund të përcaktoj një moment të saktë se kur aparati u bë lodra ime e preferuar. Vite më parë vëllai më sillte aparate të thjeshtë nga Greqia për të bërë foto apo video. Atëherë ishte një mënyrë për ta kaluar kohën bukur. Kur nisa punë në tv rreth 5 vite më parë, e shihja aparatet profesionalë të kolegut tim operator e fotograf, e dija se tashmë fotografia nuk do të ishte vetëm një mjet për të kaluar kohën.

Je pjesë e momenteve më të bukura familjare, ditëlindje, propozime, fejesa, cila është ndjesia juaj si fotografe e casteve kaq të vecanta për shumë njerëz?

Shpesh nuk e kuptoj në gëzoj unë më shumë për njerëzit apo ata për veten. Sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë jam e papërtuar dhe kam shumë durim. Di të them se nuk ka asgjë më të bukur se të bësh foto në shtatzëni e më pas edhe kur bebi ka mbushur 1 vjeç apo edhe më shumë. Unë futem në historinë e familjes dhe ata më hapin derën, e për këtë ia vlen çdo minutë që harxhoj me ta.

Cila është fotografia e parë që ti ke realizuar me aparat?

Të parën fare nuk e mbaj mend, por me siguri ka qenë ndonjë shkrepje e pakuptimtë sa për të kuptuar parametrat e aparatit. Por mbaj mend që në fillime i kam bezdisur shumë kolegët e mi kur një foto më dilte ose shumë e zezë, ose shumë e bardhë. Tani është bukur kur ajo që mendon është si ta realizoj një foto në mënyrën më të mirë të mundshme.

Cfarë të inspiron për të realizuar fotografi aq të veçanta?

Inspirohem nga çdo bisedë që bëj me njerëzit. Edhe kur kam ditëlindje apo evente të tjera, nuk shkoj asnjëherë pa folur më parë me ta, pa u familjarizuar. Ç’ka më përshkruajnë ata më frymëzon si dhe lumturia që i shoh në ditët e tyre më të veçanta

Fotografia është art dhe pasion por cilat jane disa sekrete profesionale që keni ju si fotografe?

Unë e kam mësuar aparatin në mënyrë autodidakte dhe ndoshta nuk jam personi më i mirë për të dhënë këshilla. Ama 2 gjëra mendoj se i kam kuptuar mirë, e para të jesh gjakftohtë edhe nëse diçka nuk shkon mirë dhe e dyta të qëndrosh në stilin tënd dhe mënyrën tënde të të bërit fotografi.

Sa vlerësohet puna fotografes sot në vendin tonë?

Duke qenë se është profesioni im i dytë, nuk mund të bëj një përcaktim të saktë. Duhet thënë se tashmë njerëzit duan të shijojnë më shumë ditë të veçanta të jetës së tyre në një shkrepje e kjo është diçka që të gëzon, por edhe të rrit mundësinë për të pasur punë.

Cila është këshilla që do t’i jepnit dikujt duke që ka pasion fotografinë?

Jo vetëm dikujt që ka pasion fotografinë, por çdo lloj gjëje që ju bën të lumtur përqafojeni. Për mua fotografia është terapi përveçse punë. Janë momente që ti nuk mendon për asgjë veç se si të kënaqësh personin që po i bën foto.

#gazetar #foto te bukura #foto #foto per profil

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.