SHKRIMTARI TË RINJVE: LETËRSIA “TERAPIA” MË E MIRË PËR TË PËRBALLUAR ÇDO VËSHTIRËSI
29/11/2022 Shpërndaje

SHKRIMTARI TË RINJVE: LETËRSIA “TERAPIA” MË E MIRË PËR TË PËRBALLUAR ÇDO VËSHTIRËSI

Gjimnazi “Gramoz Palushi” ishte ndalesa e radhës e bisedave letrare në kuadër të projektit “Evropa përmes Letërsisë”. Biseda u zhvillua në ambjentet e shkollës “bajram Curri” për shkak se gjimnazi i Kamzës po rikonstruktohet. Të rinj të jashtëzakonshëm u bënë pjesë e këtij takimi me shkrimtarin Liridon Mulaj, ku u diskutua për letërsinë dhe për njohjen ndërmjet saj të realiteteve dhe kulturave të reja.

Të rinjtë ndanë përvojat e tyre të leximit ndërsa pyetje të shumta kishin edhe për shkrimtarin Liridon Mulaj, i cili ndau me ta përvoja të leximeve që kanë ndikuar në formimin e tij si shkrimtar dhe lexues.

Pyetja e përbashkët e të gjithë nxënësve ishte; cili është sugjerimi I shkrimtarit për librin që duhet lexuar patjetër nga kushdo?

“1984” i George Orwell është libri të cilin e sugjeroj te çdo lexues. Duhet të jetë lexim i domosdoshëm dhe në shkolla. Vetëm kështu shoqëria vetëdijësohet për pasojat e diktaturave – ishte përgjigja e menjëhershme e shkrimtarit.

Disa prej nxënësve të gjimnazit “Gramoz Palushi” të Kamzës janë në hapat e parë të shkrimit letrar ndoshta do të jenë shkrimtarët e së ardhmes. Ndërsa disa të tjerë u fokusuan tek ajo që përmendet shpesh, rëndësia e të lexuarit, fuqinë e ndikimit që ka tek lexuesi.

Shkrimtari Mulaj tha se sipas tij nuk mund të ketë një libër që ta ndryshon jetën, por shumë libra sigurisht që mund ta bëjnë. Ndërsa mësuesja e letërsisë Alam Sefa theksoi rëndësinë e leximit për nxënësit.

“Nuk besoj se e ka këtë fuqi një libër i vetëm, por letërsia në tërësi e ndryshon jetën tonë, dhe këtë e them me bindje dhe këtu përfshij edhe veten. Letërsia ka qënë terapia, e cila më ka shkëputur nga kthetrat e një periudhe shumë të vështirë. Jam i bindur se nëse e shihni kështu edhe secili prej jush dhe bashkëmoshatarëve tuaj do ta kuptojë se është tamam kështu, një terapi, madje më e mira për të përballuar vështirësi, për t’u shkëputur nga momente jo të mira, shoqëri jo të mira”-tha Liridon Mulaj.

 Në takimin e zhvilluar me drejtorin e kësaj shkolle Blerim Deda, na bëri të ditur se nxënësit e gjimnazit “Gramoz Palushi” janë fitues të disa medaljeve të arta në olimpiadat kombëtare të Letërsisë, por edhe lëndëve të tjera.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.